Meditimi
Meditim do të thotë që me anë të leximit të gjërave që tregojnë për Allahun, siç është gjithësia, të arrish në gradën e njohjes së Zotit dhe kështu ta forcosh më shumë besimin. Lidhja e fortë e njeriut me të vërtetat e besimit është e lidhur ngushtë me meditimin. Kur i rreshtojmë para nesh njohuritë që kemi për Allahun, ato japin frytin e dijeve të reja. Thënë ndryshe, njohja lind një njohje të radhës dhe kjo rrugë kështu vazhdon gjithnjë.
Një meditim i tillë sjell në zemër njohjen, ndonjëherë e tregon veten edhe si një dritë hyjnore në brendësi të zemrës së njeriut. Kjo është situata e ndodhur me të gjithë pejgamberët (zbritja e shpalljes në zemrat e tyre). Por kjo dritë në zemër, ndonjëherë mund të shfaqet edhe në sajë të të mësuarit apo përpjekjeve të vazhdueshme. Një njeri që mediton shpesh mund edhe të mos jetë në dijeni për këto të reja, apo nuk mundet dot t’i shprehë plotësisht me gjuhën e tij, gjithsesi ajo dritë e diturive lind dhe zhvillohet në zemrën e tij.
Fryti i meditimit është dija. Kur dija arrin në zemër, gjendja e saj fillon të ndryshojë. Kur ndryshon zemra, atëherë fillon të ndryshojë edhe puna e organeve (gjymtyrëve) të tjera. Duke u nisur nga kjo, ne mund të themi se meditimi është edhe një fillim, por edhe çelësi i të gjitha mirësive. Meditimi bën që njeriu të kalojë nga gjendjet e shëmtuara tek ato të bukura, nga lakmia te mjaftueshmëria dhe i përfton njeriut gjendjen e të parit të gjërave në fytyrën e tyre të vërtetë dhe devotshmërinë.
Pa qenë njeri me njohje të plotë ndaj Zotit, atëherë zemra do të mbushet plot me dashurinë e kësaj bote dhe do të largohet nga ahireti. Por kur njohja e Tij depërton në zemër, gjendja ndryshon. Njeriu fillon të përjetojë ndryshime në vullnetin dhe dëshirat e tij. Në këtë formë e kupton që ahireti është parësor dhe nga dynjaja duhet të anohet vetëm aq sa është e domosdoshme.
“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për njerëzit e mençur. Për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) O Zoti ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i Zjarrit.” (Ali Imran, 3/190-191)
“Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! Po qiellin, se si është ngritur?! Po malet, se si janë vënë të patundur?! Po Tokën, se si është shtrirë?! Prandaj këshilloji (njerëzit o Muhamed), se ti je vetëm këshillues.” (Gashije, 88/17-21)