Leximi i Kuranit

Me të vërtetë Kurani është fjala e Allahut të Madhërishëm, që ia zbriti Pejgamberit Muhamed (a.s) për t’i treguar njerëzimit rrugën e drejtë dhe ai i cili i përmbahet Kuranit, do të jetë i udhëzuar, ndërsa kush largohet nga ai, do të jetë në një humbje të mjerueshme. Duke e ditur vlerën e Kuranit, Allahu i Lartësuar na e obligoi leximin dhe praktikimin e tij, duke thënë: “Ata që lexojnë librin e Allahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet. Që Ai (Allahu) do t’ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t’ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është Mëkatfalës dhe shumë mirënjohës”. (Fatir, 29-30)

Po ashtu, Pejgamberi (a.s) na ka lajmëruar për shpërblimin e madh që ka ai person, i cili lexon Kuran. Prej haditheve që flasin për vlerën e leximit të Kuranit veçojmë: “Lexojeni Kuranin, sepse ai do të vijë si ndërmjetësues për ata që e lexojnë atë”.

“(Në Ditën e Gjykimit) Do t’i thuhet atij që e lexon Kuranin: “Lexo dhe ngrihu, lexo ashtu siç ke lexuar në dynja, se me të vërtetë vendi yt është në ajetin e fundit që do të lexosh”.

Prijësi i myslimanëve, Osmani (r.a) ka thënë: “Sikur zemrat tona të ishin të pastra, nuk kishin për t’u ngopur me fjalët e Allahut”.

Postime të ngashme