Kushtet e Haxhit me zëvendësues (bedel)

Dijetarët – juristët e shkollës juridike Hanefi, që Haxhi me zëvendësues (bedel) të jetë i vlefshëm, përveç kushteve parësore për çdo adhurim, e që janë: të qenët mysliman, moshë e rritur dhe me mendje të shëndoshë, kanë vënë edhe disa kushte shtesë, që janë:

– Vdekja e personit për të cilin shkohet në Haxh para se ta kryejë Haxhin.

– Personi i cili e autorizon tjetrin për kryerjen e Haxhit, duhet që vërtet ta ketë të pamundur kryerjen e Haxhit, sepse po qe se ai do të kishte mundësi vetë, atëherë Haxhi i bedelit quhet i pavlefshëm. Ky është mendimi i të gjithë dijetarëve myslimanë, me përjashtim të shkollës juridike Maliki, të cilët në asnjë mënyrë nuk lejojnë Haxh bedel për personin, i cili është i gjallë.

– Nijeti i Haxhit nga i autorizuari (bedeli) të bëhet për personin të cilin e zëvendëson, sepse i autorizuari (bedeli) Haxhin e kryen për tjetrin e jo për vete, andaj patjetër duhet theksuar “e bëra nijet Haxhin për filanin”.

– Pamundësia e kryerjes së Haxhit duhet të vazhdojë deri në vdekje, sepse nëse shmanget pamundësia dhe kthehet në gjendje të rëndomtë, atëherë Haxhi bedel është i pavlefshëm dhe ai personalisht duhet ta kryejë Haxhin.

– Personi, i cili e autorizon tjetrin për kryerjen e Haxhit në vend të tij, duhet ta ketë detyrim Haxhin, sepse po nuk e pati kësisoj, Haxhi bedel nuk konsiderohet i vlefshëm. Nga kjo nënkuptohet se nëse një person, i cili nuk ka pasuri të mjaftueshme dhe Haxhin nuk e ka detyrim, porse autorizon dikë për kryerjen e Haxhit zëvendësues (bedel), kurse më vonë arrin pasuri, Haxhi bedel konsiderohet i pavlefshëm dhe ky Haxh duhet përsëritur.

– Të gjitha shpenzimet apo shumica e tyre, që i bën bedeli për kryerjen e Haxhit, duhet të jenë nga pasuria e atij që e autorizon për haxh bedel, me përjashtim kur trashëgimtari nga vetë pasuria e tij në mënyrë vullnetare shpenzon për atë që nga ai ka trashëguar. Nëse Haxhi bedel kryhet në bazë të testamentit – amanetit (uasije) të lënë nga i vdekuri, dhe për të ka caktuar pasuri dhe kohën se kur duhet t’i kryhet Haxhi, atëherë veprohet sipas testamentit, e nëse në testament nuk ka përcaktuar asgjë as për pasurinë e as për vendin, Haxhi duhet t’i kryhet në kohën e duhur dhe nga vendi i caktuar prej të ndjerit, nga 1/3 e pasurisë së tij, ose nga vendi prej ku mjafton pasuria e tij për ta kryer Haxhin. Nga kjo nënkuptohet se për Haxhin bedel që është farz, ai duhet të kryhet nga vendi që është bërë farz, e jo nga ndonjë vend tjetër, duke u bazuar në analogjinë – kijasin me namazin.

– Personi, i cili autorizohet për kryerjen e Haxhit bedel, duhet që  ta kryejë detyrimin personalisht, sepse nuk ka të drejtë, që për kryerjen e Haxhit, të autorizojë dikë tjetër, me përjashtim nëse për këtë e lejon autorizuesi. Në rastin e parë, nëse i autorizuari pa lejen e autorizuesit e cakton dikë tjetër për kryerjen e këtij Haxhi, ky adhurim është i pavlefshëm, nuk pranohet, kurse autorizuesi bart përgjegjësi fetare dhe morale, përfshi dhe pasojat materiale, duke kompensuar shpenzimet për autorizuesin e parë.

– Personi, i cili autorizohet të kryejë Haxhin bedel, duhet të ketë qenë në Haxh për vete, ngase nuk lejohet të shkohet për tjetrin, nëse nuk e ke kryer për vete. Ky është mendimi i shumicës dërrmuese të dijetarëve myslimanë, i cili mbështetet në hadithin e transmetuar nga Ibn Abasi r.a. që thotë:

عَنِ ابْنِ عَبَّاسٍ أَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَ سَلَّمَ سَمِعَ رَجُلًا يَقُولُ لَبَّيْكَ عَنْ شُبْرُمَةَ قَالَ مَنْ شُبْرُمَةُ قَالَ أَخٌ لِي أَوْ قَرِيبٌ لِي قَالَ حَجَجْتَ عَنْ نَفْسِكَ قَالَ لَا قَالَ حُجَّ عَنْ نَفْسِكَ ثُمَّ حُجَّ عَنْ شُبْرُمَةَ

Profeti e kishte dëgjuar njërin duke thënë “Lebbejke an Shubrume!” Pejgamberi e pyeti: – Kush është Shubrumi?” Ai iu përgjigj: – Një vëllai im. Pejgamberi i tha: – A e ke bërë Haxhin për vete? –Jo nuk e kam bërë! Profeti a.s. i tha: – Bëje Haxhin për vete, e pastaj për Shubrumin.” (Ebu Davudi)

Në këtë çështje distancohen dijetarët e shkollës juridike Hanefi, të cilët lejojnë të shkuarin në Haxh për tjetrin pa e kryer këtë detyrim për vete, porse ky veprim është i dënueshëm (mekruhi tahrimen). Dijetarët Hanefi mendimin e tyre e ndërtojnë në përgjithshmërinë e hadithit të Hath’amit, sepse Profeti a.s. i kishte thënë: “Bëje Haxhin për babain tënd”, pa e pyetur se a kishte bërë ai (që kishte pyetur) Haxh për vete apo jo. Megjithatë, edhe dijetarët Hanefi këtë veprim nuk e preferuan, porse këtë veprim e lejuan duke e dënuar rëndë dhe duke e afruar shumë afër haramit.

– I autorizuari për Haxhin bedel është i detyruar ta kryejë atë lloj të adhurimit për të cilin është i autorizuar, andaj nëse është autorizuar të kryejë Haxh ifrad duhet të veprojë sipas autorizimit, sepse nëse ai ka autorizim për ifrad dhe e bën nijet për temettu ose kiran, ai Haxh, sipas Ebu Hanifes, është i pavlefshëm dhe i autorizuari detyrohet të kompensojë shpenzimet, sepse nuk i është përmbajtur porosisë së autorizuesit. Megjithatë, sipas mendimit të dy nxënësve të Ebu Hanifes, Imam Ebu Jusufit dhe Imam Muhamedit, ky Haxh është i vlefshëm, sepse vërtet i autorizuari ka ndryshuar porosinë, por ndryshimi është bërë në të mirë, andaj edhe Haxhi është i vlefshëm.

Meqenëse Haxhi me zëvendësues (bedel) kryhet për tjetrin e jo për vete, atëherë i autorizuari për kryerjen e këtij adhurimi duhet me përpikëri t’i përmbahet porosisë dhe të mos guxojë ta ndryshojë atë, sepse po nuk iu përmbajt porosisë, atëherë bart përgjegjësinë morale dhe fetare si dhe pasojat materiale. Nga kjo nënkuptohet se personi që dëshiron të autorizojë dikë për kryerjen e Haxhit të këtij lloji, duhet të jetë vigjilent dhe të zgjedhë personin i cili i di mirë rregullat dhe dispozitat e Haxhit bedel, që është i sinqertë dhe di rolin e rëndësinë e përgjegjësisë. Këto çështje, dijetarët myslimanë i kanë përpunuar dhe shkoqitur hollësisht, andaj edhe duhet përmbajtur këtyre rregullave.

– I autorizuari për Haxh zëvendësues (bedel) duhet të bëjë nijet vetëm për një Haxh, pra nuk guxon të ketë më shumë se një zëvendësim (bedel), andaj nëse një person autorizohet nga dy persona për kryerjen e Haxhit dhe i njëjti bën nijetin për të dy, Haxhi i tyre është i prishur, kurse i autorizuari patjetër duhet të bartë përgjegjësi dhe pasojat materiale, duke ua kompensuar të dyve shpenzimet e Haxhit.

– Nëse haxhiu që shkon bedel për tjetrin, por gjatë Haxhit kryen ndonjë veprim që e prish Haxhin tërësisht, atëherë barra e përgjegjësisë bie mbi personin e autorizuar dhe i njëjti ka për detyrim që shpenzimet t’ia kompensojë autorizuesit, në mënyrë që ai të ketë mundësi ta përsërisë atë. Gjykohet kështu, ngase i autorizuari është zotuar të kryejë Haxh të plotë dhe jo Haxh që rrezikon të mos pranohet. Në anën tjetër, nëse haxhiu bedel bën ndonjë veprim që dëmton Haxhin dhe për përmirësimin e Haxhit duhet therur kurban, apo të japë ndonjë kefaret, bedeli është ai i cili kefaretet apo shpenzimet i shlyen nga pasuria e tij.

– Që edhe urdhëruesi edhe i urdhëruari të jenë myslimanë, me shëndet mendor të plotë. Mirëpo, nëse ka detyruar ndonjë person e pastaj ai është sëmurur psikikisht, lejohet që për të të bëhet Haxhi.

 

Postime të ngashme