KUSH LIROHET NGA AGJËRIMI?

Rastet kur njeriu lirohet nga agjërimi:

– Sëmundja është një prej atyre rasteve, kur njeriu lirohet nga agjërimi, nëse ajo e dëmton agjëruesin e sëmurë ose ia vonon shërimin, kështu që me këshillim të mjekut specialist të fushës dhe të përkushtuar në fe, ai lirohet nga agjërimi, kushtimisht që ditët që ka prishur t’i kompensojë  (kaza) më vonë, kur të shërohet.

– Udhëtimi – I njëjtë si me rastin e sëmundjes është edhe rasti i udhëtarit, për shkak të vështirësive që paraqet udhëtimi. Pra, në qoftë se një person është i detyruar të udhëtojë duke agjëruar, dhe kjo për të paraqet vështirësi të jashtëzakonshme, ai nuk duhet të agjërojë, sepse kjo mund  ta shpjerë në rrezik jete.

Udhëtimi i ligjshëm që e justifikon mosagjërimin është ai që i shkakton mundime e vështirësi personit, që e ka bërë nijet të arrijë në një vend, largësia e të cilit është 90 km e më tepër dhe i cili ka vendosur që atje të qëndrojë më pak se 15 ditë. Mirëpo, në qoftë se agjërimi nuk e dëmton ose nuk i paraqet vështirësi ose shqetësime, ai mund edhe të agjërojë. Edhe nga kjo dispozitë sheriatike vetëkuptohet se Ligjdhënësi – Allahu xh.sh., nuk i ngarkon njerëzit me përgjegjësi që nuk mund t’i mbajnë, prandaj edhe urdhrat janë në masë të pranueshme. Ditët e paagjëruara gjithsesi duhen agjëruar më vonë kaza. Allahu xh.sh. ka thënë në Kur’an:

فَمَنْ كَانَ مِنْكُمْ مَرِيضًا أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِنْ أَيَّامٍ أُخَرَ

E kush është i sëmurë ose në udhëtim, (le të agjërojë) aq (ditë) nga ditët e tjera.” (Bekare: 184)

– Të përmuajshmet e grave dhe lehonia: Gjatë kohës kur femra është me të përmuajshmet e veta ose në kohën e lehonisë, jo vetëm që lirohet, por madje nuk i lejohet të agjërojë dhe as të falë namaz. Në qoftë se kjo gjendje ka ndodhur në ditët gjatë Ramazanit, atëherë ato ditë duhet t’i kompensojë pas Ramazanit në një kohë të përshtatshme, kurse namazin nuk ka nevojë ta plotësojë. Kjo bazohet në një rrëfim të Muadhit, i cili kur e kishte pyetur hz. Aishen se pse femra me menstruacione e bën kaza – kompenson agjërimin e jo edhe namazin, ajo i kishte thënë: “Kur ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut, kur unë isha me të përmuajshme, më thoshte ta bëja kaza vetëm agjërimin, kurse për namazin nuk më pati thënë gjë.” (Transmetojnë Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ahmed b. Hanbeli). Hazreti Aishja me një rast tjetër ka thënë: “Kur ne gratë e familjes së Profetit ishim me zakonet e grave (të përmuajshmet) ose lehoni, Profeti na urdhëronte të mos agjëronim dhe të mos e falnim namazin, e pas pastrimit prej tyre, na urdhëronte ta bënim kaza agjërimin e jo edhe namazin.” Kjo për shkak të numrit të madh të namazeve të mbetura, sa kohë që gruaja është e angazhuar me fëmijët, burrin dhe shtëpinë e saj, dhe po qe se ajo detyrohet me kazanë e namazeve, kjo do ishte një barrë e madhe për të, ndryshe nga agjërimi, i cili është një herë në vit, kështu që kazaja e tij nuk është edhe aq e vështirë.

– Shtatzënësia dhe ushqimi me gji (mëkimi). Gratë shtatzëna dhe ato që janë mëkuese, me qëllim që të mos dëmtohen vetë, si dhe fëmijët e tyre, përfitojnë nga leja për të mos agjëruar. Mirëpo, ditët e paagjëruara duhet t’i plotësojnë pas përfundimit të mëkimit.

– Pleqëria. Nëse njeriu është i moshuar dhe nuk mund ta përballojë dot agjërimin, ose e përballon por me shumë shqetësime e vështirësi, atij i lejohet mosagjërimi.

Në realitet, ata do të duhej që së paku tri ditë të fillojnë të agjërojnë dhe të binden se nuk mund ta përballojnë, madje as në stinën e dimrit, kur dita është dukshëm më e shkurtër. E pra, pasi vërtetohet se ata nuk kanë mundësi as ta bëjnë detyrimin kaza, atëherë detyrohen me shpërblesë (të ushqejnë  një të varfër, ushqim njëditor me dy vakte dhe me masë të caktuar) që i jepet një të varfri për çdo ditë të cilën nuk e ka agjëruar. Allahu xh.sh. me Kur’an na ka urdhëruar:

وَ عَلَى الَّذِينَ يُطِيقُونَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِينٍ

“E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim njëditor një të varfri…” (Bekare: 184).

Ndërkaq, nëse ai vetë është i varfër dhe nuk ka mundësi për shpërblesë (fidje), atëherë nuk ka kurrfarë detyrimi.

Ibn Abasi lidhur me ajetin e sipërshënuar ka thënë: “Ky ajet nuk është i anuluar (mensuh), por ka të bëjë me plakun dhe plakën që nuk kanë mundësi të agjërojnë, të cilët, për çdo ditë, si shpërblesë, duhet të ushqejnë nga një të varfër. Ky ajet, njëkohësisht, ka të bëjë edhe me të sëmurin nga një sëmundje për shërimin e së cilës nuk ka shpresë…”.

Ikrimeh bin Ammari ka treguar një rast të tillë: “Një herë e pyeta Tavusin lidhur me nënën time, e cila kishte një sëmundje për shkak të së cilës ajo pinte ujë shumë shpesh e nuk mund ta shuante etjen (diabetike), kështu që nuk kishte mundësi të agjëronte Ramazanin. Ai më tha: – Le të ushqejë për çdo ditë nga një të varfër me nga dy mudde (njësi matjeje ushqimi). I thashë: – Me çfarë mudde? Ai më tha: – Me atë të vendit tënd.” (Rastin e ka regjistruar Abdurrezaku).

Pra, këtu duhet pasur kujdes se nga agjërimi lirohet plaku ose plaka të shtyrë në moshë, për shkak të pleqërisë dhe i sëmuri pa shpresa për shërim. Mirëpo, në qoftë se i sëmuri nuk ka agjëruar dhe në fund të Ramazanit e ka paguar shpërblesën (fidjen) e pas një kohe është shëruar, ai duhet që ditët që nuk i ka agjëruar t’i bëjë kaza, sepse i është krijuar mundësia për agjërim.

– Ballafaqimi me armikun në luftë. Në qoftë se agjërimi e dobëson agjëruesin, i cili duhet të ballafaqohet në fushëbetejë me armikun, atëherë atij i lejohet të mos agjërojë. Kjo për faktin se interesi i përgjithshëm ka përparësi ndaj atij individual dhe se këtë të dytin mund ta realizojë edhe më vonë. Ditët e paagjëruara duhet të bëhen kaza.

– Prishja e agjërimit për shkak të presionit-dhunës fizike. Nëse agjëruesi kërcënohet me jetë ose lëndim të rëndë trupor ose këputje gjymtyre nëse nuk e prish agjërimin (kur e ka të detyrueshëm-farz), atij i lejohet edhe ta prishë e më pas duhet bërë kaza.

– Puna e rëndë fizike. Ka punëtorë të cilët janë të detyruar të kryejnë punë të rënda fizike, ose të rrezikshme për jetën, siç është puna në miniera, në metalurgji, ose në termocentrale, sidomos ditëve të gjata e të nxehta të verës. Të tillët duhet ta provojnë agjërimin, por nëse nuk kanë mundësi për ta  përballuar, ose kanë frikë se do t’u rrezikohet jeta, atëherë iu lejohet mosagjërimi dhe ditët e paagjëruara duhet t’i bëjnë kaza gjatë ditëve të pushimit ose dimrit, kur janë ditët më të shkurtra. Andaj, ata nuk kanë nevojë të rrezikojnë jetën e tyre e as ta ndërpresin punën për shkak të pamundësisë për të agjëruar, ngase nga të ardhurat e tyre personale varet mirëqenia materiale e familjes së tyre.

Kazaja e ditëve të prishura nuk është kusht të bëhet pa ndërprerje dhe, nga ana tjetër, kur njeriut i ofrohet mundësia duhen përmbushur sa më parë, e jo t’i vonojë pa nevojë. Borxhi ndaj Zotit duhet të paguhet sa më shpejt që është e mundur. Agjërimi i ditëve të paagjëruara mund të bëhet edhe me ndërprerje të tyre. Transmetohet nga Ibni Omeri r.a. sesi Pejgamberi a.s. ka thënë:

قضاء رمضان: إن شاء فرق و إن شاء تابع

Kompensimin (kazanë) e Ramazanit nëse dëshiron e agjëron ndaras, e nëse dëshiron i bashkon.” Ngjashëm transmeton edhe Buhariu sesi Ibn Abasi kishte thënë: “Nuk prish punë nëse kompensimi i Ramazanit bëhet me ndërprerje.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: