Kontrollo ndotjen nga zhurma
Zhurma është mjaft stresuese dhe mund të çojë në dëme fizike dhe psikologjike. Ajo është ndoshta disavantazhi më i keq i jetesës në një qytet të madh ose afër një vendi të mbipopulluar, apo industrial. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj niveleve të larta të zhurmës, shkakton dobësim gradual të kapaciteteve të të dëgjuarit, duke ndikuar negativisht në daullen e veshit dhe ndonjëherë duke dëmtuar nervin e dëgjimit.
Efektet negative të zhurmës e tejkalojnë dëmtimin e të dëgjuarit, duke krijuar probleme akoma më serioze në sistemin nervor. Natyra e zhurmshme e jetës së qytetit mund të shpjerë në turbullim, ulje të përqendrimit, shqetësim, stres dhe dhimbje koke të vazhdueshme. Përveç këtyre, zhurma ndikon gjithashtu edhe në baraspeshën delikate të hormoneve të trupit tonë.
Studimet tregojnë se ekspozimi ndaj zhurmës rrit prodhimin e kortikosteroideve dhe adrenalinës. Rritja e lartë dhe anormale e tyre ndikon në rritjen e kolisterolit dhe triglicerideve, të cilat si pasojë japin probleme serioze të zemrës dhe qarkullimit të gjakut, si dhe çrregullime në sistemin tretës.
Islami na mëson se qetësia i relakson nervat, kurse zhurma i irriton ato. Në Kuran ne lexojmë edhe këshillën e LLukmanit të urtë për të birin, ku ndër të tjera ai thotë: “…ule zërin tënd, se zëri më i egër është ai i gomarit”. Kurani dhe Suneti urdhërojnë për qetësi, duke marrë në konsideratë rehatinë dhe ndjenjat e të tjerëve, duke iu shmangur çdo gjëje që mund t’i lëndojë ata, madje edhe ngritjes së zërit. Ata inkurajojnë të menduarit thellë, meditimin, reflektimin e kreativitetin dhe të gjitha këto kanë nevojë për qetësi dhe nerv të relaksuara.