Komunikimi në Familje i Profetit (s.a.s)
Tregohet nëpër burime të ndryshme se Profeti (paqja qoftë mbi të) i tregonte shumë rëndësi bisedimit brenda familjes. Në ushqimin e darkës, kërkonte që gjithmonë të ishin bashkë, ku mund të flisnin rreth problemeve familjare. Por gjithashtu thuhet se Profeti (paqja qoftë mbi të) të paktën dy herë në ditë takohej me bashkëshortet e tij, ku dhe bisedonte me to, u thoshte fjalë për tu fituar zemrat, dëgjonte hallet dhe problemet e tyre dhe i ndihmonte në punët e shtëpisë. Ai sillej aq mirë me gratë e tij saqë përcillet se ai ishte njeriu më i butë, i buzëqeshur dhe komunikueshëm me gratë e tij kur gjendej vetëm me to. Aq i dashur dhe i sjellshëm ishte ai (paqja qoftë mbi të) me to saqë përcillet se ai i puthte gratë e tij kur futej në shtëpi dhe në kohët kur ishte me agjërim.[1]
Profeti (paqja qoftë mbi të) i përshëndeste gratë e tij sapo futej në shtëpi, saqë thuhet se dhe kur shkonte natën vonë dhe ato ishin shtrirë për të fjetur, përsëri ai i përshëndeste me zë të ulët.[2] I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ulej e bisedonte me gratë, madje disa çështje i diskutonte me to si shok. Profeti (paqja qoftë mbi të) nuk kishte aspak nevojë për idetë dhe mendimet e tyre sepse ai mbështetej nga shpallja hyjnore. Mirëpo Profeti donte t’i mësonte disa gjëra umetit, bashkësisë së tij. Si çdo praktikë tjetër, edhe këtë i Dërguari i Allahut e fillonte nga shtëpia e vet!
Komunikimi i Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të) brenda familjes është me të vërtetë një shembull shumë i bukur për tu marrë, sepse vlera që i pati dhënë i Dërguari i Allahut gruas ishte e një niveli të paparë gjer atëherë dhe e tillë vazhdon të mbetet edhe sot. Sikur të ngrihej një natë e të pyeste për shëndetin dhe mirëqenien e ndonjërës nga gratë, ai, do të shkonte edhe te të tjerat për t’i pyetur e respektuar po njëlloj. Nuk vërehej që, në sjelljen ndaj tyre, ai të parapëlqente ndonjërën ndaj të tjerave. Si çdo njeri tjetër, edhe secila nga gratë e pandehte veten si njeriun më të dashur për të Dërguarin e Allahut, gjë që buronte nga mirësia dhe bujaria e tij e madhe. Profeti (paqja qoftë mbi të) i kërkonte falje Allahut për prirjet e zemrës që s’i kishte në dorë dhe thoshte kështu: “Mund të ndodhë që, pa i rënë as vetë në të, ta dua njërën më shumë se të tjerat dhe kjo do të ishte padrejtësi. Prandaj, o Zoti im, strehohem në mëshirën tënde nga kjo gjë që s’e kam në dorë!”[3]
Kjo delikatesë te ai do të ishte reflektuar me të gjithë anët e veta edhe te shpirtrat e bashkëshorteve që ndarja e tij pati lënë pas një vetmi dhe mall të pambarim. Ndoshta nuk i jepnin fund jetës sepse këtë gjë Islami e ndalonte, mirëpo, pas largimit të të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të), jeta për to qe bërë një klithmë e gjatë, një dhimbje e pashuar!
Përgatiti: Marius Tafani
[1] Muslim, Sijam, bab 12, vëll 2, (nr. 1106), fq 778.
[2] Muslim, Eshribe 174.
[3] Tirmidhi, Nikah, vëll 3, (nr. 1140), fq 438