Këshillë e shkurtër për pritjen e muajit të madh të Ramazanit
Muaji i Ramazanit është një mundësi e artë për këdo që dëshiron të bëjë një ndryshim në jetën e tij. Sigurisht, ndryshimet në jetë varet drejtpërdrejt nga ndryshimet që ne bëjmë te vetja dhe përpjekja jonë për të kaluar një jetë sa më të mirë. Njerëzit e urtë e shohin Ramazanin si një kohë të veçantë për ta transformuar veten dhe për të zbuluar brenda saj aftësi të rralla, që e lartësojnë qenien njerëzore. Për këdo që dëshiron të arrijë diçka në këtë muaj dhe e konsideron atë si të veçantë, do të japim disa këshilla të shkurtra, të cilat na ndihmojë në arritjen e qëllimeve tona.
Ramazanin duhet ta nisim me zemër të pastër dhe kjo arrihet në mënyrë primare në sajë të pendimit. Pendimi është një dhuratë e Zotit të gjithësisë për njerëzit, të cilët shpeshherë i bëjnë padrejtësi vetëve të tyre. Ta presësh Ramazanin me zemër të pastër e të penduar është çelësi i hapjes së saj ndaj përfitimit të bekimeve hyjnore që zbresin pamasë në këtë muaj. Zemra është vendi ku Zoti i gjithësisë sheh gjendjen tonë dhe kësisoj ne duhet të kujdesemi veçanërisht për të.
Zemra e njeriut ndotet kryesisht nga mëkatet dhe ndjenjat negative që mund të gjenden brenda saj. Në Islam mëkatet konsiderohen si errësirë, thënë ndryshe një barrë e rëndë në zemrën tonë. Kur zemra mbushet me mëkate dhe ndikimin që vjen prej tyre, ajo s’ka ndonjë emocion të veçantë dhe përmallim për adhurimin e Zotit. Që të arrijmë ta ndiejmë këtë të fundit, atëherë le të pendohemi për ç’ka kemi bërë dhe të jemi optimistë se Zoti do ta pranojë pendimin tonë. Përveç pendimit, le të marrim vendimin se këtë muaj do të përpiqemi ta shfrytëzojmë sa më tepër dhe do t’i mbajmë të hapura dyert e zemrës sonë, në mënyrë që begatitë hyjnore të kenë mundësi të depërtojnë brenda saj.
Përveç pendimit të sinqertë, për ta pritur sa më mirë këtë muaj duhet marrë në konsideratë edhe një planifikim i mirë i kohës, si i vetmi element që na mundëson ta mbushim kohën tonë denjësisht. Planifikimi i kohës brenda muajit lidhet me punët tona të përditshme dhe gjithashtu me kohën jashtë punës. Në punën tonë duhet të jemi sa më produktivë dhe të qetë. Ramazani nuk është pengesë për punën, as mundësi për të fjetur më tepër ditën, por kohë kur ne i japim vlerë çdo vepre me të cilën mbushim ditët tona. Besimtari këtë muaj është zgjuar më tepër se në çdo kohë tjetër të vitit.
Në Ramazan duhet të tregojmë kujdes të shumëfishtë për kohën tonë të lirë. Kjo kohë duhet të na gjejë në mënyrë të veçantë me angazhim në leximin e Kuranit Famëlartë. Në kohën e lirë duhet të kemi prioritet adhurimin me të gjitha format e tij. Padyshim, Ramazani është edhe një muaj sakrifice. Zoti dëshiron që në këtë muaj të qëndrojmë disa larg nga nevojat tona të përditshme për ushqim dhe pije, e të kthehemi kështu tërësisht drejt Tij. Kjo e fundit është një ndër simbolikat e këtij adhurimi kaq të veçantë. Përfitimi nga ky muaj i madh është i lidhur veçanërisht me përgatitjen tonë shpirtërore e psikologjike për ta pritur atë.