Këshilla e parë e Imam Gazalit r.a ndaj nxënësit të Tij

O biri im! Prano prej meje tetë këshilla, nëse nuk dëshiron që në ditën e Gjykimit dituria jote të bëhet armiku yt. Sipas katër prej tyre duhet të veprosh, e katër tjerat të tregojnë çfarë duhet braktisur; Katër këshillat që duhen braktisur.

KËSHILLA E PARË

Provo që të diskutosh e debatosh sa më pak të, çfarëdo qoftë ajo. Në to ka më shumë dëm sesa dobi. Ato janë burim i të gjitha cilësive të këqija si dyfytyrësia, lakmia, mendjemadhësia, urrejtja, armiqësia, lavdërimi e të ngjashme. Por, nëse në praninë tënde diskutohet për diçka, dhe ti e sheh se pa ty e vërteta nuk do të dalë në pah, në atë rast të lejohet që të përfshihesh në diskutim me qëllimin e vetëm që të ndihmosh në fitoren e së vërtetës. E për këtë ka dy tregues:

1.  ti dëshiron të thuhet e vërteta, qoftë nga ti apo nga kundërshtari yt,

2. të dëshirosh që të diskutosh i tërhequr, jo para syve të njerëzve.

Por, nëse po debaton për një çështje të caktuar që ti je i bindur se ke të drejtë dhe që tjetri po debaton vetëm për t’u fjalosur, atëherë jepi fund atij diskutimi menjëherë, përndryshe lind zilia dhe ofendimi, e kurrfarë dobie nuk del.

Shpjegimi i dobisë;

Të pyesësh është sikur t’i tregosh mjekut për të sëmurin, e përgjigja është angazhimi i mjekut që i sëmuri të shërohet. Të padijshmit janë të sëmurë, e dijetarët janë mjekë. Dijetari i dobët nuk di të shërojë mirë, ndërsa dijetari i vërtetë e shëron atë që kërkon shërim dhe për të cilin mendon se mund të shërohet. Nëse sëmundja është kronike dhe e pashërueshme, e gjithë aftësia që i nevojitet mjekut do të jetë të shohë padobinë e shërimit, që të mos harxhojë kohën kot.

Padituria është sëmundje shumë e rrezikshme dhe është katër llojesh. Vetëm një lloj është i shërueshëm, e tri të tjerat nuk ka kuptim të shërohen:

Lloji i parë. Ky është ai që pyet nga zilia dhe ja kthen shpinën diturisë nga urrejtja.

Zilia është sëmundje e pashërueshme. Në këtë as nuk duhet përgjigjur, sepse, edhe nëse i jep përgjigjen më të qartë e më të mirë, me këtë vetëm sa e shton urrejtjen e tij, armiqësinë dhe zilinë e tij. Për të tillët është thënë: “Secila armiqësi është e kalueshme, përveç asaj që vjen si pasojë e zilisë, ajo nuk kalon.”

Më së miri është të lihen që tutje të vuajnë nga kjo sëmundje, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar: “Braktise dhe mos u brengos për atë që Neve na ka harruar e që kërkon vetëm kënaqësitë e kësaj bote.”

Me gjitha çfarëdo që bën e flet ziliqari, vetëm sa ndez zjarrin i cili shkatërron frytin e punës së tij. Resulallahu s.a.s., ka thënë: “Zilia i djeg veprat e mira, ashtu si zjarri që i djeg drutë.”

Lloji i dytë. Është injoranca, e cila gjithashtu është sëmundje e pashërueshme. Profeti Isa a.s ka thënë: “Kam arritur të ngjall të vdekurin, me lejen e Allahut, por nuk arrita të shëroj të paditurin.”

I paditur konsiderohet ai që kalon pak kohë duke kërkuar dituri, e mendon se s’ka më të dijshëm. Futet lehtë në debate dhe merr guximin për të kundërshtuar edhe dijetarët më të mëdhenj, që kanë kaluar jetën duke kërkuar dituri. Ky mendon se çfarë nuk e di ai, nuk mund ta dijë askush. Është injorancë t’i përgjigjesh këtij lloji njerëzish.

Lloji i tretë. Është personi i cili dëshiron të mësojë, dhe vetëm për këtë qëllim pyet, mirëpo është aq i padurueshëm, sa edhe ndaj përgjigjes më të mirë, nuk arrin ta kuptojë të vërtetën, por kupton vetëm atë që ka interes. Edhe këtij më mirë të mos i përgjigjesh. Profeti Muhammedi a.s ka thënë: “Ne profetëve, na është urdhëruar që njerëzve t’ju flasim sipas nivelit të kapacitetit të tyre.”

Lloji i katërt. Padituria që mund të shërohet,  është padituria e të sëmurit i cili pa kurrfarë inati, zilie apo dëshire të ulët,  dëshiron të fitojë dituri, pandaj edhe pyet, jo nga inati, por pyet për shkak të dashurisë që e ka për diturinë. Një i sëmurë i këtillë duhet shëruar dhe duhet përgjigjur pyetjeve të tij.

Burimi: Ejjuhe’l Ueled.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: