Japin për Allahun atë që e urrejnë
Në universitetin e Ez’herit gjendej një hapësirë e veçantë, ku mund të studionin të verbërit. Prindërit kishin dërguar djalin e tyre të verbër të studionte për shkencat fetare në Ez’her.
Siç dihet nga mjekësia, ka edhe lloje të verbërisë, që mund të shërohen dhe ka që janë të pashërueshme. Caktimi i Zotit deshi që ky djalë të shërohej. Në momentin që u shërua, familja e mori nga studimet që kishte nisur në shkencat fetare dhe e regjistroi në fakultetin e mjekësisë.
Kur e dëgjoi këtë ngjarje dijetari i mirënjohur Muhamed el-Gazali, citoi menjëherë ajetin: “Ata japin për Allahun atë që e urrejnë.”
وَ يَجْعَلُونَ لِلَٰهِ مَا يَكْرَهُونَ
Allahu na thotë në Kuran të japim prej gjërave më të mira, që Ai na ka furnizuar, në mënyrë që të kryejmë falënderimin për ato mirësi dhe të tregojmë që zemra jonë nuk është e lidhur pas të mirave materiale.