Historia e Profetit Shuajb (a.s)
“O populli im!
Adhuroni Zotin!…
Nuk ka asnjë perëndi tjetër veç Tij!…
Është Ai Sunduesi i vetëm i qiejve e i tokës!…
Është Ai që ju ka krijuar nga asgjëja, që ju ka furnizuar me gjithë të mirat, që ju ka dhënë jetë!…”
Ky zë jehonte përditë në rrugët e qytetit të Medienit. Ishte zëri i një profeti, i një njeriu nga gjaku i profetit Ibrahim, i Shuajbit (a.s.).
Profeti Shuajb ishte i dërguar në qytetin Medien. Ai vend ishte si një xhenet. Pyje të gjelbër, lumenj të kulluar, zogj që nuk reshtnin së kënduari… Ishte si një ekspozitë e bukurive hyjnore. Po edhe pse çdo qenie e gjallë, çdo trëndafil e bilbil ishte një simbol i madhështisë hyjnore, njerëzit e Medienit nuk e shihnin këtë. Sikur të kishin perde para syve, sikur veshët u ishin mbyllur, zemrat u ishin gurëzuar, ndërgjegjet u kishin heshtur.
Në sheshin më të madh të qytetit, profeti Shuajb (a.s.) u fliste qindra njerëzve të mbledhur, duke i shokuar me fjalët që u thoshte.
“Nuk ka perëndi tjetër veç Zotit! Hiqni dorë prej adhurimeve të kota. Drejtohuni vetëm Zotit!”
Ndikimi i këtyre fjalëve në mendjen e atyre njerëzve nuk kishte ndryshim prej tërmetit. Gjer atë ditë populli i Medienit adhuronte një pemë gjigante, të quajtur Ejke. Ata besonin se ajo pemë ishte burimi dhe shkaku i çdo të mire natyrore që posedonin. Gjithashtu ata adhuronin edhe dukuri të ndryshme natyrore që iu dukeshin si burim fuqie e pushteti në botë.
Ndërsa turma e njerëzve shpërndahej, secili mundohej me mendjen e vet të zgjidhte misterin e fjalëve të çuditshme të Shuajbit.
Për një kohë të shkurtër fjalët e Shuajbit u përhapën në të gjithë vendin, por më tepër se pasues, ata patën një ndikim momental, kalimtar, që shpejt u harrua nga njerëzit. Shumë të paktë ishin ata që i besonin me shpirt fjalëve të tij. Aq më tepër të pasurit dhe drejtuesit e vendit as që donin t’ia dinin për fjalët e Shuajbit, që ishin tërësisht në kundërshtim me interesat e tyre. Këto fjalë mund të ishin shkak për rrënimin e pushtetit të tyre një ditë, prandaj më mirë të mos i vinin vesh aspak.
Pas disa ditësh, profeti Shuajb (a.s.) ishte sërish në shesh.
“O populli im! Zoti ju ka dhënë mirësi pa fund. Keni plot pasuri. Kur matni, kur peshoni, veproni me ndershmëri! Mos i mashtroni njerëzit! Mos e përzieni pasurinë tuaj me mall të pamerituar! Kjo nuk ju falet. Kini frikë Zotin!”
Banorët e Medienit edhe pse ishin shumë të pasur, bënin shumë paudhësi. Ishin të pangopur. Një tekstilist për shembull, gjithmonë priste disa centimetra më pak nga copa që shiste, duke dashur të fitonte më shumë. Shitësi i frutave i peshonte gjithnjë mangët. Dikush tjetër gënjente për mallin që kishte duke i veshur atij cilësi që s’i kishte aspak për ta shitur dy-tre fish më shtrenjtë. Po ashtu edhe blerësit. Pa i rënë në sy shitësit mundoheshin të vidhnin ndonjë gjë, t’i jepnin paratë mangët. Secili mashtronte, gënjente, vidhte. Askush nuk e ruante të drejtën e tjetrit, gjithkush mundohej për vete, duke mos pyetur për asgjë. Aq kishin humbur vlerat morale në vend, sa nuk kishin as turp kur i bënin këto punë. Pasuria e tyre fryhej çdo ditë e më shumë me mallra të pamerituara.
Në fillim, paria e vendit nuk i vuri rëndësi fjalëve të Shuajbit. U tallën me të dhe deshën ta ulnin para syve të njerëzve. Një ditë e thirrën dhe i thanë:
“Ne nuk po i kuptojmë këto fjalë që na thua, o Shuajb. Ti na flet për gjëra shumë pa kuptim. Mos je gjë i ardhur nga yjet? Ti kërkon gjëra pa kuptim prej nesh. Të lëmë mënjanë besimin e derimësotshëm e të adhurojmë një zot të ri?! Ti na thua se Zoti ty të dërgon shpallje. Të ka zgjedhur si profet. Po a s’kishte kë të gjente tjetër ky Zoti, po gjeti një njeri si ne? A mos je gjë i çmendur?”
Nuk kuptonin. As nuk kishin ndërmend të kuptonin. I dërguari padyshim që njeri duhej të ishte. Si mund të bëhej shembull një engjëll a një krijesë tjetër për njerëzit? Duhej të ishte njeri, por njeri i mrekullueshëm, që të ishte shembull konkret në çdo veprim të tijin.
Sërish profeti Shuajb (a.s.) vazhdonte misionin e tij, edhe pse shumicës nuk i shkonin fort për shtat këto fjalë.
“Hiqni dorë nga këto prapësi, ju po e prishni njerëzimin. Kini frikë Zotin! Pendohuni dhe lutjuni Atij t’iu falë mëkatet! Nuk ka shpëtim tjetër veç Tij. Ai është mëshiruesi më i madh dhe patjetër do t’ju falë.”
Po më kot. Zemrat ishin të taposura në terrin e egoizmit dhe as që donin të dinin për gjëra të tjera veç përfitimeve të ndryshme.
Pas disa kohësh, një grup njerëzish të varfër e të pafuqishëm nisi të mblidhej rreth profetit. Ata ishin të varfër, të papërlyer dhe aq me pisllëqet e asaj shoqërie dhe të ndërgjegjshëm deri diku për rrugën e gabuar që ndiqej. Te Shuajbi ata gjetën shpresën dhe ndershmërinë që kishin ëndërruar. Por paria e shoqërisë u shqetësua shumë nga ky zhvillim. Ata nuk donin në asnjë mënyrë që Shuajbi të kishte pasues, aq më shumë ata varfanjakë të paaftë që po u hapeshin sytë. Menjëherë morën masa. Nisën të përdornin dhunën dhe pushtetin e tyre mbi besimtarët. I ndiqnin dhe i persekutonin kudo që i gjenin. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, i pengonin që të shkonin pranë Shuajbit (a.s.) duke i vënë lloj-lloj pengesash në rrugë e duke i trembur e frikësuar. Taktikat e përhershme të forcave të errëta këto janë. Në fillim, me tallje e poshtërim, në qoftë se nuk vlen, me kërcënim. Po nuk u bëri punë dhe kjo, i drejtohen dhunës.
Profeti Shuajb (a.s.) ishte njeri shumë trim. Gjithashtu ishte shumë i mërzitur për njerëzit që megjithë paralajmërimet e tij e me ftesat e kthjellëta për në rrugë të drejtë e për shpëtim, vraponin drejt zjarrit të ferrit. Ah sikur të besonin! Sikur ta përjetonin dhe ata qetësinë e mirësinë e besimit.
Kjo vuajtje për njerëzit që po humbisnin, nuk e linte asnjëherë të qetë profetin Shuajb.