Historia e Profetit Musa (a.s.)

Pasi profeti Jakub (a.s.) bashkë me familjen e tij vizituan Egjiptin, ata vendosën të jetonin atje. Egjipti ishte një vend i mirë dhe i përshtatshëm për ta. Profeti Jakub, njihej gjithashtu edhe me emrin Izrael, që ka kuptimin rob i Zotit, kështu që në Egjipt bijtë e tij i quajtën bijtë e Izraelit. Në çastet e fundit të jetës, i shtrirë në shtrat, Jakubi thirri të bijtë dhe u tha:

“Bijtë e mi! Unë po vdes, shpirti im po shtegton për në botën tjetër, kurse trupi im do bëhet dhé. Po unë kam një shqetësim. Pasi të vdes unë, ç’do bëhet me ju? Ç’rrugë do ndiqni?”

“Rrugën tënde e të të parëve të tu, baba. Të premtojmë se nuk do të ndahemi nga rruga e Zotit tënd, të Is’hakut, Ismailit, Ibrahimit, Zotit të vetëm, Krijuesit solid, që ne i jemi përkushtuar me gjithë qenien tonë!”, iu përgjigjën të bijtë.

I qetësuar nga këto fjalë, profeti Jakub dha shpirt. Kishte lënë porosi ta varrosnin në tokat e Palestinës. Pasi bijtë e dërguan trupin e tij dhe e varrosën në Palestinë, preferuan të ktheheshin sërish në Egjipt, pranë Jusufit. Begatia dhe pasuria e një shteti aq të fuqishëm për kohën, siç ishte Egjipti, ishte shumë tërheqëse. Atje u martuan e krijuan familjet e tyre, u bënë me fëmijë, e dita-ditës u shtuan më shumë.

Vitet rridhnin me shpejtësi. Baballarë, bij, nipër, stërnipër. Popullsia e Izraelëve ishte shtuar goxha. Mirëpo në ndjekje të përfitimeve të kësaj bote e të ndonjë pozite të mirë, ata i harruan plotësisht porositë e Jakubit. Numri i besimtarëve të devotshëm prej tyre ishte shumë i vogël. Ndërkohë, në krye të Egjiptit kishte ardhur një sundimtar tiran, Faraoni, që nuk i linte të merrnin frymë të qetë. Ushtronte dhunë mbi ta, i nënçmonte e nuk u jepte asnjë farë të drejte. Sjellja e këtij Faraoni ishte edhe sprovë për ata, por edhe një tërheqje vëmendjeje, që të shkundeshin e t’i ktheheshin rrugës të të parëve të tyre. Ndërsa Faraoni e familja e tij jetonin në luks të paparë ndonjëherë, Izraelët i kishte lënë në mjerim dhe i përdorte si skllevër, dhe cilindo që guxonte ta kundërshtonte, e vriste pa mëshirë.

Faraoni pretendonte se ishte perëndi, ndaj kërkonte që të gjithë t’i bindeshin e ta adhuronin. Po edhe Izraelët kishin harruar prejardhjen dhe premtimin që i kishin bërë Jakubit. Shumica kishin zgjedhur besimin politeist të egjiptianëve dhe adhuronin perënditë e tyre. Vetë shpirti u ishte skllavëruar. Tradhtonin njëri-tjetrin edhe për një grusht pará e për interesin e vet ishin të predispozuar të bënin gjithçka.

Një ditë, orakujt kishin bërë një parashikim që mund të quhej fatal për Faraonin dhe për vendin. Sipas parashikimeve, një djalë që do lindte nga Izraelët, në të ardhmen do të shkatërronte gjithë pushtetin e Faraonit. I zemëruar, u ngrit në këmbë dhe dha një urdhër që i kalli tmerrin të gjithëve: “Që tani, çdo djalë që do t’u lindë Izraelëve, do të vritet në vend!”

Urdhri mori dhenë dhe nisi të zbatohej menjëherë. Nënat shtatzëna ishin llahtarisur. Më përpara të gjithë ëndërronin e luteshin t’u lindte një djalë, kurse tani kjo ishte gjëma më e madhe. Sapo dikujt nga Izraelëve i lindte një djalë, menjëherë ushtarët e Faraonit e merrnin dhe e vrisnin në vend, para syve të nënave. Rrugët oshtinin nga zërat e mekur të foshnjave, shtëpitë dridheshin nga vaji i nënave. Në çdo vend ku jetonin Izraelët, kishte pllakosur një atmosferë e rëndë zie dhe frika i kishte pushtuar të gjithë.

Pikërisht, në njërën prej këtyre ditëve të tmerrshme, në një shtëpi të Izraelëve lindi një djalë. Ai djali, që kur të rritej, do të shkatërronte pushtetin e Faraonit, Musai. Prindërit e tij ishin nga ata të paktë besimtarë të devotshëm që kishin mbetur nga bijtë e Izraelit. E ëma dridhej gjithë tmerr se mos ia shihnin beben e porsalindur e ia vrisnin. Vendosi të mos i tregonte askujt për fëmijën, as njerëzve më të afërt. E mbante të fshehur dhe e ushqente në sekret të plotë. Sa herë që zgjohej, e ëma bënte çmos ta pushonte menjëherë që mos t’i dëgjohej e qara.

Një mbrëmje, nëna e re dëgjoi një zë të çuditshëm, një zë që më tepër i ngjante një frymëzimi të brendshëm që vjen nga thellësia e shpirtit: “Sapo të shohësh se jeta e fëmijës tënd është në rrezik, lëshoje mbi ujë. Mos ki frikë, mos u merakos! Ne do e sjellim atë sërish te ti. Ai është njeri i zgjedhur, profet.

Bashkë me zërin heshtën edhe tmerret e nënës së re. Një qetësi e lumtur e pushtoi të tërën dhe i lidhi gjithë shpresat me atë zë të mëshirshëm. Nga ca miq kërkoi t’i bënin një kanistër. Pasi i dha birit të pijë gji për herë të fundit, e puthi fort dhe e vuri në kanistër. Tok me të shkoi në breg të Nilit dhe me guxim e lëshoi shportën në lumë.

Veç zemra e nënës e dinte se ç’dhimbje kishte ndjerë ajo kur kishte lëshuar foshnjën e saj në lumë! Po ajo e dinte se mëshira e Zotit (xh.sh.) do e ruante djalin e saj më së miri. Ai që e kishte mësuar nënën e re ta lëshonte Musain në lumë, Ai do ta shoqëronte me mëshirën e Tij në çdo hap, Ai, Zoti i Musait, Zoti i lumit Nil, Zoti i gjithësisë!

Sapo kanistra ciku lumin, rrjedha u ngadalësua dhe me ëmbëlsi, lumi përkundi Musain si një djep. Zoti urdhëroi lumin të mos i bënte keq Musait, po ta mbarte me siguri deri në destinacionin e paracaktuar, në pallatin e Faraonit, ku e priste një qetësi e rehati e paimagjinueshme. Lumi Nil iu bind pikë për pikë urdhrit hyjnor. Vala e tij e shpuri kanistrën me foshnjën e bekuar gjer në pallatin e Faraonit.

Në kopshtin e bukur që ndodhej në mes të pallatit dhe brigjeve të Nilit, gruaja e Faraonit kishte dalë si zakonisht për të bërë shëtitjen e mëngjesit. Një dëshirë e pakuptimtë e shtynte të ecte e ta zgjaste shëtitjen më tepër se zakonisht. Ajo ishte shumë ndryshe nga i shoqi. Faraoni ishte mohues dhe ateist, kurse ajo ishte një besimtare e bindur dhe e devotshme. Ai ishte mizor dhe i pamëshirshëm, kurse ajo ishte e ëmbël dhe e dhimbsur. Ishte shumë e bukur, po në fytyrë gjithmonë i dalloheshin gjurmët e një trishtimi. As pasuria e pafund e pushteti i të shoqit, as dhuratat e shtrenjta që merrte, as bukuria nuk arrinin ta lumturonin. Sa dëshironte të kishte një fëmijë! Ndoshta një fëmijë kishte për ta lumturuar zemrën e saj të trishtuar. Zoti nuk i kishte falur fëmijë dhe ajo e vuante këtë!

Duke ecur, Asias i zunë sytë një kanistër që lundronte n Nil. Urdhëroi menjëherë shërbëtorët që e shoqëronin ta merrnin dhe t’ia sillnin atë kanistër. Ishte shumë kurioze të dinte ç’kishte brenda një kanistre në mes të lumit. Kur e hapi, brenda pa fytyrën e bukur e të ndritshme të një foshnje. Ndjeu t’i dridhej zemra dhe një dashuri e jashtëzakonshme e pushtoi për foshnjën. Nuk i mbajti dot lotët. Qau me dënesë, ndërsa me kujdes mori beben në krahë. Foshnja nuk pushonte së qari, ndërsa Faraoni u çudit tek pa të shoqen me një foshnjë të vogël, të cilën e puthte gjithë dashuri. Faraoni i habitur, iu afrua dhe e pyeti se ç’ishte ai fëmijë? Kur Asia i tha se e kishte gjetur brenda një kanistre në breg të lumit, Faraoni u nxeh.

“E në qoftë se është nga Izraelët? Patjetër duhet të ishte i vdekur ky fëmijë!”

“Jo! Jo! Nuk duhet të jetë prej tyre! Mos e vrit, të lutem! Ndoshta bëhet një shkas lumturie dhe për mua, dhe për ty. Le ta mbajmë, le ta rrisim ne këtë fëmijë. Të lutem! Ndoshta bëhet i mbarë, bëhet bir për ne!”, i tha Asia duke shtrënguar foshnjën fort.

Faraoni kishte mbetur i shtangur nga sjellja e së shoqes. Si mund ta donte kaq fort një fëmijë të gjetur në lumë? Ajo qante nga gëzimi! E ç’nuk kishte bërë ai që e shoqja të lumturohej njëherë, por kurrë tisi i trishtimit nuk ishte hequr nga fytyra e saj. Vendosi t’ia plotësonte të shoqes këtë dëshirë dhe e lejoi ta merrte beben e ta rriste në pallat. Asia u ngazëllye, u lumturua aq shumë sa i vezulluan sytë. Faraoni nuk e kishte parë këtë gëzim te Asia as kur ishin martuar, as kur i kishte dhuruar asaj pasuri pa fund.

Musai i vogël qante sërish. Atëherë ata u kujtuan se ai ishte i uritur. Faraoni urdhëroi që të sillnin menjëherë ato gra që kishin fëmijë në gji me qëllim që ta ushqenin, por Musai nuk pranonte të pinte. Asia u mërzit, po nuk ishte vetëm Asia ajo që qante e pikëlluar për djalin e vogël. Në brigjet e larta të Nilit qante zemërplasur edhe nëna e pikëlluar e Musait. Kushedi ku e kishin shpënë valët e lumit kanistrën me djalin e saj të vogël. Asnjë fjalë në lidhje me të, asnjë lajm. Thirri të bijën:

“Shko, bijë, gjer te pallati i Faraonit dhe shih mos merr vesh ndonjë gjë për një bebe mbi ujë. Çfarëdo që të ketë ndodhur, lajmi aty shkon më parë! Po kujdes, se mos dyshojnë për ty!”

Motra e Musait shkoi gjer në pallat pa rënë në sy. Aty mësoi për beben e gjetur, e pa nga larg, i dëgjoi zërin e të qarat. Aty mësoi dhe për të qarat e tij të vazhdueshme prej urisë. Të gjithë në pallat shkonin e vinin të shqetësuar pa ditur ç’të bënin. Atëherë vajza iu afrua mbretëreshës.

“Madhëri, unë njoh dikë që ka qumështin shumë të mirë, ndoshta ajo mund të kujdeset për këtë fëmijë!”

“Në qoftë se ti gjen dikë që të mund të mëndë këtë fëmijë, të premtoj se do të të shpërblej shumë mirë. Do të të plotësoj çfarëdo dëshire që ti të kesh!” , i tha mbretëresha.

Vajza shkoi në shtëpi, mori të ëmën dhe me ngut erdhën në pallat. Sapo e ëma e afroi në gji, Musai, pa u grindur aspak, filloi të pinte qumësht i qetë. Mbretëresha sa nuk fluturonte nga gëzimi.

“Merreni, ju lutem, këtë fëmijë! Le të rrijë me ju për sa kohë ka nevojë për qumësht. Dhe unë do ju paguaj shumë mirë për këtë!”

Zoti ia kishte kthyer prapë të birin nënës së përmalluar më tepër nën një kujdes e siguri të veçantë. Fëmija rritej më së miri. E ëma e mëndte, mbretëresha e shikonte e kënaqej me të sa herë donte. Kur e ndërpreu nga gjiri, e ëma ia dorëzoi Musain sërish mbretëreshës. Paskëtaj, rritja e Musait do vazhdonte në pallat.

Logjika dhe vullneti hyjnor kishin bërë që gjithçka të organizohej më së miri e Musai (a.s.) të edukohej nga dijetarët më të mëdhenj të kohës, në kushtet më të mira, madje në pallatin e Faraonit. Aty mësoi shumë shkenca të kohës. Por, ndërsa mësimet e tjera i dëgjonte me vëmendje, në orën e teologjisë, ishte gjithmonë i papërqendruar. Pallavrat e mësuesit, që shpjegonte me zell hyjninë e Faraonit, i dukeshin shumë pa vlerë. Ai e kishte gjithë kohën parasysh Faraonin dhe e dinte më së miri se ai ishte njeri si gjithë të tjerët. I vetmi ndryshim i tij, ishte mizoria që e karakterizonte.

Musai (a.s.) e dinte gjithashtu se nuk ishte biri i Faraonit, po vinte nga një familje Izraeli. Faraoni ishte nga Koptët dhe Musai përditë ishte dëshmitar se sa keq silleshin Koptët me Izraelët. Një ditë, kishte dalë nga pallati dhe shëtiste nëpër rrugët e qytetit. Në një cep të zbrazët të rrugës pa një Kopt që po rrihte dhunshëm një Izraelit. Izraeli ishte në gjendje shumë të keqe dhe thërriste për ndihmë.

Musai vendosi të ndërhynte për t’i dhënë fund grindjes. Kopti ishte shumë i bëshëm e i fuqishëm, kurse Izraeli ishte një thatim pa fuqi. Musai u afrua, tërhoqi nga këmisha Koptin dhe e goditi. Kopti u përplas në cep të rrugës dhe aty për aty, dha shpirt në vend. Musai vërtetë e kishte goditur fort Koptin, por nuk kishte pasur asnjë qëllim ta vriste. Kur pa trupin e Koptit tek dergjej pa shpirt, Musai ngriu.

“Pa dyshim është dora e shejtanit këtu!”, tha me vete. “Ai është një armik i betuar i njeriut. O Zot i mëshirës pa fund! O më i Larti! Pa dyshim që unë dëmtova më shumë vetveten. Më fal!”, u lut Musai.

Zoti i Dijes dhe i Mëshirës e dinte shumë mirë qëllimin e Musait, ia njihte shumë mirë zemrën atij. Pendesa e Musait u pranua dhe Zoti ia fali gabimin, se ai nuk kishte pasur për qëllim as krimin dhe as dhunën.

Musai (a.s.) ishte mërzitur. Ngjarja ia kishte bërë shpirtin copë. Edhe pse nuk ishte faji i tij, Musai e ndiente veten fajtor për vdekjen e Koptit. Në qytet asnjë nuk e dinte shkakun e vdekjes së tij, por prapë Musai kishte ankth. E kaloi gjithë natën jashtë. Të nesërmen, duke ecur rrugës, takoi sërish Izraelin që kishte ndihmuar më parë, tek po grindej prapë me një Kopt. Sapo vuri re Musain që po afrohej, nisi të thërriste me të madhe: “Ndihmë! Ndihmë! Po më vret!”

Ai kërkonte sërish që Musai ta mbronte e të dilte fitimtar në grindjen e vet. Dukej qartë se ishte një njeri i mbrapshtë. Musai u nxeh dhe vendosi t’i jepte një mësim të mirë Izraelit grindavec, sa mos t’i binte më ndërmend të grindej e të rrihej me të tjerët. Por ai u tërhoq nga prapa dhe nisi të thërrasë me të madhe:

“Hë, ç’do? Apo do kryesh prapë ndonjë krim? Do më vrasësh dhe mua si vrave Koptin e pafajshëm dje?”

Musai e lëshoi menjëherë dhe u largua që andej, por Kopti që po grindej me Izraelin, i kishte dëgjuar të gjitha. Ai vrapoi menjëherë te Faraoni për t’i raportuar ngjarjen dhe i tha atij se vrasësi i Koptit që ishte gjetur i vdekur, kishte qenë Musai. Faraoni mezi e kishte pritur këtë rast. Dha urdhër ta kapnin menjëherë Musain dhe ta ekzekutonin.

Ndërkohë Musai vendosi të fshihej në një vend të sigurt jashtë qytetit dhe nuk ia tregoi askujt vendndodhjen e vet, veç një mikut besnik, i cili e furnizonte me ushqime dhe i sillte lajmet e fundit. Një ditë, miku vrapoi pa frymë te Musai:

“Musa, kanë përgatitur gjithçka për të të gjetur. Kam frikë për ty. Po të gjetën, të zhdukin menjëherë. Largohu menjëherë nga Egjipti. Veç kështu mund të jesh i sigurt!”

Musai nuk e zgjati shumë, por dëgjoi mikun e të vet dhe vendosi të largohej.

“O Zot, shpëtomë nga e keqja e mizorëve dhe e kriminelëve!”, u lut.

Pastaj mori rrugën. Largimi i tij kishte ndodhur shumë papritur. Nuk kishte asgjë me vete. As një kalë të kalëronte dhe as karvan që t’i bashkohej. E priste një rrugë e gjatë, plot rreziqe e të papritura nëpër shkretëtirën e egër. Faraoni e kishte gjetur shkakun për ta hequr qafe fare kollaj dhe Musai, pa dashur, ia kishte dhënë vetë këtë mundësi. Doli në shkretëtirë. Rëra i digjte këmbët, dielli i përvëlonte kokën. Musai kishte vendosur të shkonte në qytetin Medien. I rraskapitur, vazhdonte rrugën në shkretëtirën përvëluese. Ishte i etur, i uritur, i zhgënjyer. Veç te Zoti i vet kishte një besim të palëkundshëm e një përkushtim total.

Më në fund në horizont u dukën muret e Medienit. Musai u ndal për t’u çlodhur pak pranë një pusi ku njerëzia i jepte ujë bagëtisë. Gjatë gjithë udhëtimit ishte ushqyer veç me gjethe e barëra, që kishte gjetur ndanë oazeve. Edhe etjen, aty e kishte shuar. Nuk ishte ndalur në asnjë vend nga frika mos e gjenin ushtarët e Faraonit. Me të arritur në Medien, mori frymë thellë dhe u ul të shijonte pak ndenjën e sigurisë që e pushtoi, pa menduar për problemet që e rrethonin.

Lodhjen e kishte të papërshkrueshme, rrobat i ishin vjetruar, etja dhe uria e kishin shkatërruar. Iu afrua pusit për të mbushur barkun me ujë, kështu uria mund t’i shuhej ndopak. Mes barinjve që ruanin dhentë, vuri re edhe dy vajza të reja, që me vështirësi mblidhnin bagëtitë e veta. Ata kishin shumë nevojë për ndihmë, dhentë po u iknin, i ishin ngatërruar me tufat e të tjerëve e vajzat nuk po i ndanin dot.

Musai i bënë shumë përshtypje këto vajza, që megjithëse ruanin dhentë, kishin një brishtësi e delikatesë të jashtëzakonshme. Në përgjithësi barinjtë ishin djem, duke qenë se ishte punë e vështirë dhe e lodhshme. Më e vogla e vuri re habinë e Musait.

“Babai ynë është shumë i moshuar dhe nuk ia lejon shëndeti të dalë me ne në kullota. Vëllezër nuk kemi. Prandaj jemi vetëm.”

“Më lejoni ta bëj unë punën tuaj për sot”, u tha Musai. “Po iu jap unë ujë deleve tuaja.”

Vuri delet para dhe iu afrua pusit. Po barinjtë e tjerë, kishin mbaruar punën e vet dhe e kishin mbyllur grykën e pusit me një gur të rëndë, që të mos ndotej uji. Guri ishte aq i rëndë, sa mezi mund ta luanin nga vendi disa burra. Por Musai ishte në gjendje ta luante vetë. I dha deleve ujë, mbylli pusin prapë dhe u nis të kthehej pranë vajzave. Por etja edhe uria i vazhdonin me gjithë forcën.

“O Zoti im, o më i Larti! Kam mbetur i pafuqishëm, i vobektë. Vetëm Ti mund të më ndihmosh, O Zoti im. Zgjate dorën Tënde të mëshirës drejt meje!”

Kur u kthyen në shtëpi, i ati i pyeti vajzat dhe ato i treguan se si i kishte ndihmuar një i panjohur.

“Atëherë shkoni te ai dhe i thoni se të kërkon babai ynë! – tha babai i urtë. Duhet ta shpërblej për punën që ka bërë.”

Vajza vrapoi aty ku kishte lënë Musain. Ndihej në ankth. Kur dëgjoi fjalët e vajzës, Musai u ngrit në këmbë dhe buzëqeshi. I tha se nuk i kishte ndihmuar as për pará, as për shpërblim. Por vajza këmbënguli. Një zë i brendshëm i thoshte se mirësia hyjnore po e ftonte drejt surprizave, aq më tepër që kishte aq shumë nevojë për pak pushim. Nuk kundërshtoi dhe nga sjellja fisnike ecte para vajzës.

Arritën te shtëpia. Kur u takua me babain e vajzave, që të dyve u ndritën sytë. Profeti Shuajb (a.s.) dalloi në sytë e djalit që i kishte ardhur mik, atë vezullimin e mahnitshëm, që askush nuk e njihte më mirë se ai.

Musai ishte rehatuar. Edhe këtë burrë fisnik që i kishte hapur derën, e kishte dashur fort. Në bisedat e tij dallohej një urtësi e dituri e thellë, sjelljen e fjalën e kishte shumë të ëmbël, në fytyrë i ndriste drita e besimit dhe e përkushtimit. Ndërkohë që Musai po ngrihej e po u kërkonte leje të ikte, vajza e vogël iu afrua të atit.

“O baba, a nuk kërkoje vazhdimisht një burrë besnik e të fuqishëm për të të ndihmuar në punët e tua? Ja ku të erdhi te dera. Merre Musain në punë, atë e ke shumë të përshtatshëm, edhe besnik, edhe të fuqishëm.”

“Ku e di ti se është i fuqishëm?” pyeti i ati

“E pashë kur ngriti i vetëm një shkëmb që mezi e lëvizin dhjetë burra.”

“Mirë i fuqishëm, po nga ta dimë se është i besuar?”

“Kur erdhëm në shtëpi, nuk desh të ecte pas meje që unë të mos ndihesha keq. Kur flet me të, ai skuqet dhe nuk i ndan sytë nga toka.”

Shuajbi u kthye nga Musai, që po bëhej gati të dilte.

“Musa, kam një propozim për ty. Në qoftë se rri këtu e bëhesh ndihmësi ynë për tetë vjet, do të të martoj me njërën prej vajzave të mia e do të të mbaj si bir. Po ndenje dhjetë vjet, kjo tregon mirësinë e bujarinë tënde. Mirëpo unë nuk dua të të mbaj të lidhur, ti e di vetë. Por as mirësia, as bujaria ime, nuk ka për të të munguar.”

Musait (a.s.) i qeshi fytyra. Ky propozim ishte dashamirësia e Zotit vetë! Ai nuk ngurroi aspak dhe pranoi. Ai u martua me vajzën e vogël dhe për dhjetë vjet me radhë i shërbeu Shuajbit me një zell shembullor. Ato dhjetë vite që i kaloi pranë Shuajbit, ishin një periudhë shumë e rëndësishme në formimin e Musait. Shumicën e kohës ai e kalonte me meditim e me adhurim. Shkencat që kishte mësuar në pallatin e Faraonit, i bashkonte me forcën e tij të besimit dhe shijonte i lumtur mrekullinë e njohjes së mirëfilltë. Edhe nga Shuajbi, gjithashtu, mësoi shumë gjëra. Ndodhja e Musait aty ishte reflektim i qartë i vullnetit të Zotit. Një profet ishte mësuesi i një profeti tjetër.

Dhjetë vite kaluan shpejt dhe koha e ndarjes erdhi. Musai bashkë me nusen e tij nisën përgatitjet për Egjipt. Edhe ai vetë nuk po e kuptonte se ç’ishte kjo dëshirë e papërmbajtur që e shtynte të kthehej sërish në Egjipt. Ishte i bindur veç për një gjë, i duhej të kthehej me çdo kusht atje.

Musai ishte rrugës bashkë me familjen e tij. Ishte dimër, ftohtë. Netët e shkretëtirës ishin të zeza sterrë. E kuptoi se po ecnin kuturu nëpër shkretëtirë. Kishin humbur. Ai dhe familja kishin mbetur në mes të ftohtit të shkretëtirës së Sinës. Pas pak zuri një stuhi rëre. Musai futi familjen e vet pas një dune rëre dhe me dy gurë u mundua të ndizte zjarr, po ishte e pamundur. Era i shuante menjëherë xixat e dobëta që lëshonin gurët.

Musai nuk diti ç’të bënte. Gruaja dhe fëmijët po dridheshin nga të ftohtët. Ngriti kokën dhe hodhi vështrimin tej, në horizont. Diçka kërkonte, një dritë, një shpresë. Dorën e ndihmës që do i zgjaste Zoti i Mëshirës pafund, Ndihmësi i vetëm i atyre që janë në vështirësi.

Diku larg, dalloi një dritë. Me vrull kërceu nga vendi.

“Zjarr! Pashë zjarr!”

Pasi porositi të vetët ta prisnin aty pa luajtur nga vendi, u nis drejt dritës. Do shkonte të merrte pak zjarr dhe t’i pyeste ata njerëz, a karvan, a ç’të ishin, në ç’anë të shkretëtirës ishin dhe si mund ta gjenin rrugën sërish.

Të gjithë po shihnin nga drejtimi që kishte marrë Musai para se të humbiste në terrin e shkretëtirës, po asnjë fije drite, asnjë pikë në errësirë nuk dukej gjëkundi. Megjithatë, u strukën dhe nisën të prisnin Musain gjithë shpresë.

Ishte stuhi e madhe, Musai mezi lëvizte këmbët nga era. Rëra i copëtonte sytë. Ashtu eci gjer në luginën Tuva, në të djathtë të kodrës Tur. Vendi ku arriti ishte shumë i çuditshëm. Aty nuk kishte as ftohtë, as shi. Sikur stuhia nuk kishte kaluar atypari. Një qetësi misterioze, e thellë, kishte mbuluar gjithçka. Më në fund, Musai arriti te burimi i dritës. Por një zë i fortë, që buçiste anembanë, shpërtheu në gji të natës.

“Allahu, Zoti i botëve, më i Larti i të lartëve, është larg prej çdo të mete dhe Pronar i vetëm i mrekullive pa fund.”

Musai (a.s.) kishte shtangur në vend. Zemra i rrihte fort dhe gjithë trupi i dridhej. Zëri misterioz jehonte nga çdo anë. Kur e mblodhi veten disi dhe i hodhi sytë nga zjarri, habia iu shtua edhe më fort. Mu në mes të zjarrit ndodhej një pemë mrekullisht e gjelbër. Në mes të zjarrit ajo as digjej, as thahej, veçse bleronte magjishëm. Me gjithë ngrohtësinë e zjarrit që e ndiente aq afër e me djersët që i rridhnin çurg, Musai vazhdonte të dridhej. Pema ndodhej në të majtë të kodrës, nga lugina Tuva. Një dallgë e mrekullueshme drite kishte pushtuar çdo anë. Musai nuk rezistoi dot më, por mbuloi sytë me duar.

“Ç’të jetë kjo, dritë a zjarr?” pyeti veten.

Papritur qielli e toka nisën të dridheshin me një forcë të paparë. Ishte Zoti i Plotfuqishëm, Krijuesi i qiellit e i tokës, Ai që fliste.

“Musa!”

“Urdhëro!” mezi tha me zë të mekur.

“Unë jam Zoti yt!”

“Po. Unë besoj. Je Zoti im.”

“Gjendesh në Tokën e Shenjtë të Luginës Tuva, hiqi këpucët!”

Duke u përkulur me nderim të thellë, Musai hoqi këpucët.

“Ty të kam zgjedhur profetin Tim! Prandaj dëgjoje me vëmendje shpalljen që po të revelohet! Unë jam Zoti dhe nuk ka zot tjetër veç Meje! Prandaj adhurimin ma drejto vetëm Mua! Falu, për të më kujtuar Mua! Pa dyshim që ora e fundit e botës do të vijë, vetëm se Unë e kam fshehur atë! Po jua them që do të vijë dhe çdo njeri ta dijë mirë përfundimin e veprave që kryen në këtë botë dhe të sillet sipas kësaj! Ruaju, të mos të të tërheqin pas vetes ata njerëz që nuk i besojnë këto dhe që shkojnë pas dëshirave e joshjeve të vetvetes e të mos të të ndajnë ty nga rruga e Zotit! Se pastaj bëhesh edhe ti nga të shkatërruarit.”

Ndërsa dëgjonte shpalljen hyjnore, Musai (a.s.) ishte shtangur i tëri. Trupin ia përshkonin të dridhurat dhe nuk ishte në gjendje të lëvizte dot.

“Ç’është ajo gjë që mban në dorën e djathtë, o Musa?”

Po Musait i ishin prerë fuqitë dhe i ishte mekur zëri. Me të po fliste i Adhuruari, i Gjithëpushtetshmi, i Gjithëdituri Zot i botëve. Ai e dinte më mirë se kushdo se ç’kishte Musai në dorë. Dituria e Tij e pafund mbështillte gjithçka. E kishte gjithsesi  një arsye kjo pyetje!

“Është bastuni im”, u përgjigj Musai me zë të dridhur. “E mbaj gjithmonë, mbështetem kur ec, më ndihmon për ndonjë punë…”

“Lëshoje, Musa!”

Musai e lëshoi shkopin përdhé, por mbeti pa frymë nga ato që pa. Bastuni lëvizi si i gjallë, u përdrodh dhe u kthye në një gjarpër gjigant. Musait po i dridhej trupi dhe zemra. Nuk i rezistoi dot asaj pamjeje dhe nisi të vraponte së prapthi.

“Mos u tremb Musa! Profetët nuk kanë frikë! Afrohu sërish dhe qetësohu! Ji i sigurt në praninë Time!”

Musai ndaloi dhe u kthye të shihte ç’bëhej. Bastuni ende lëvizte.

“Kape!” e urdhëroi Zoti. “Dhe mos ki frikë! Do ta kthejmë atë në gjendjen e parë!”

Musai mezi qëndronte kur u zgjat për të prekur gjarprin. Sapo e ciku, ai u kthye sërish në shkopin e zakonshëm.

Zoti (xh.sh.) vazhdoi të komunikonte me Musain.

“Tani fute dorën në gjoksin tënd, o Musa! Do të shohësh një tjetër mrekulli. Kur ta nxjerrësh prapë, ajo do jetë e shndritshme, lëbyrëse, marramendëse! Sapo të vendosësh duart mbi gjoks, frika jote do të shuhet.”

Musai veproi siç iu tha. Futi dorën në gjoks; kur e nxori, ishte e bardhë dhe e shndritshme si një hënë e plotë. Gjithë ç’kishte parë, ia kishte shtuar shumë emocionet dhe e kishte tronditur pa masë. Po sapo vuri dorën mbi zemër, u qetësua plotësisht, nuk i mbeti më asnjë gjurmë frike. Me t’u qetësuar, Zoti i tha të shkonte te Faraoni dhe ta ftonte atë për të besuar Zotin. Gjatë këtij misioni ai asnjëherë nuk do përdorte forcën fizike, por forcën e fjalës e të argumentit dhe do sillej shumë ëmbël edhe po të zemërohej e të irritohej. Përveç kësaj, Musait iu ngarkua edhe misioni të nxirrte Izraelët nga Egjipti. Mrekullitë që i dhuroi Zoti, do i shërbenin shumë për përmbushjen e këtyre misioneve. Ai do t’i provonte Faraonit dhe njerëzve të tij se kush ishte Zoti i vërtetë.

Kur dëgjoi emrin e Faraonit, Musai u step disi. Faraoni nuk e kishte harruar se Musai ishte bërë shkak për vdekjen e një Kopti, i afërm me të. Ende e kërkonte Musain dhe ndoshta sa ta shihte, do kërkonte ekzekutimin e tij. Ishte vërtet një mision i rëndë për të. Musai iu lut Zotit që ta ngarkonte edhe Harunin, vëllain e tij me misionin e profetit. Haruni kishte një oratori shumë të fortë, kështu do ishte më e thjeshtë ndoshta përballja me Faraonin. Zoti e pranoi lutjen e Musait dhe i tha se do ishte gjithmonë me ta.

Ato momente Haruni ndodhej në Egjipt. Një engjëll i posaçëm e vizitoi dhe i dha sihariqin që ishte zgjedhur si profet. Kjo detyrë sa e zorshme, aq edhe e nderuar, e emocionoi shumë Harunin. Në fakt, do ta kishin punën pak pisk, se nuk ishte e lehtë të përballeshe me perandorin më të madh të kohës, aq më shumë që ai e konsideronte veten perëndi. Por Zoti i kishte mbushur me qetësi e me besim zemrat e tyre. Pavarësisht mizorisë së pushtetin të vet, Faraoni nuk do të mundte t’u bënte keq atyre, sepse Mbreti Absolut ishte me ta.

Musai dëgjoi me vëmendje gjithë sa ju tha. Pastaj hapi duart dhe nisi të lutej me gjithë shpirt.

“Zoti im, zgjeroma zemrën, zgjidhma gjuhën, lehtësoma punën e këtë mision të rëndë, jepmë forcë e fuqi që të thërras njerëzit në rrugën Tënde!”

Pas momenteve më të rëndësishme të jetës së vet, kur Musai (a.s.) ishte nderuar me detyrën e një profeti të madh, u kthye pranë familjes së vet. Misioni i tij i vështirë kishte nisur, stafeta e profetësisë, pas profetëve Ibrahim, Is’hak, Ismail, Jakub, tani ishte në dorën e Musait.

Sapo mësuan që Musai ishte kthyer, shumë Izraelë i lidhën shpresat me të. Musai nuk ishte si ata, ishte shumë i ditur e i urtë, ishte i drejtë e i moralshëm. Ata vetë e kishin mendjen veç të fitonin diçka më shumë, ndonjë post a pasuri, dhe nuk iu bënte shumë përshtypje gjendja ku ndodheshin. Asnjëherë nuk kishin marrë mundimin të rregullonin ndonjë gjë. Ishin të përçarë dhe pre e zënkave të shpeshta me njëri-tjetrin. Jeta nën sundimin e Faraonit ishte më e leverdishme për ta sesa të luftonin e të rrezikonin të humbnin ndonjë gjë. Musai ishte ndryshe. Ai ishte i lirë e krenar dhe nuk pranonte pushtet tjetër veç Zotit.

Së bashku me të vëllain, Harunin, Musai (a.s.) shkoi te pallati i Faraonit. Ky ishte një urdhër i Zotit dhe profetët do t’i bindeshin pa diskutim. Kur Faraoni njohu Musain, që qëndronte përballë tij, u shastis. Menjëherë desh të urdhëronte ta varnin, por kureshtja nuk e la. Më mirë ta përdorte dhe për interesat e veta.

“O Faraon! Ne ndodhemi këtu përpara teje si të dërguar të Zotit. Vërtet ti je mbret, por kurrsesi perëndi. Ti po sillesh shumë keq me Izraelët, duhet të heqësh dorë nga mizoria me ta. Na lejo t’i prijmë atyre drejt atdheut të tyre të parë, Tokës së Shenjtë.”

“Musa, a nuk je ti ai djalë që të kemi rritur këtu në pallatin tonë?”

“Faraon! Po të mos kishte qenë ajo mizoria jote, që digjte zemrat e nënave, edhe unë do rritesha me njerëzit e mi, nuk do isha i detyruar të fshihja identitetin tim. Përveç Asias, kush më deshi mua në pallatin tënd?”

Faraoni u përtyp. Por s’e prishi qetësinë. Më mirë ta poshtëronte para të gjithëve.

“Në mos e ke harruar, ti ke bërë një krim, prandaj je arratisur që këtej.”

Musai ishte ballëhapur. Në fjalët e tij kishte pjekuri e zgjuarsi të thellë, aspak frikë.

“Atë kohë isha shumë i ri. Aq më tepër që unë nuk kisha asnjë faj. Unë do të varesha pa m’u dhënë mundësia të provoja pafajësinë time, apo jo? U detyrova të braktis gjithë të dashurit e mi e të merrja rrugët e mërgimit. Pas kësaj, Zoti më dha misionin e profetit.”

“Kush është ky Zoti, o Musa? Çfarë je duke thënë?”

“Zoti i qiellit dhe i tokës dhe i gjithçkaje që ekziston ndërmjet tyre. Ai që unë të ftoj t’i besosh. Ai, vula e të cilit dallohet në çdo gjë të cilën Ai e ka krijuar.”

Faraoni pa ata që kishte përreth dhe nënqeshi me tallje.

“E dëgjoni ç’thotë ky?”

Musai vazhdoi fjalën. Ato që po thoshte patën një ndikim rrufeje në sallon.

“Po, Faraon. Ai është Zoti im, Zoti yt dhe Zoti i të parëve tanë.”

“Po ky qenka i çmendur! Ju paska rënë për pjesë një profet i çmendur!”

Musai nuk u nervozua. Zoti e kishte porositur të sillej pa nervozizëm.

“Po të mendosh, do e kuptosh se Ai është Zoti i lindjes dhe i perëndimit. Zoti i gjithçkaje!”

Ideja e faraonit për ta mundur me fjalë Musain, nuk po i jepte rezultat. Ai ishte shumë i zgjuar. Më mirë të merrej me gjendjen e tij.

“Shiheni këtë varfanjak! Pse, Zotin e tij do besoj unë? Unë që jam kaq i pasur! Që jam zot vetë?!”

“Zoti i vërtetë është Zoti i botëve, Ai që ka krijuar gjithçka nga hiçi. Ai që ka në dorë jetën dhe vdekjen. Të ftoj të besosh, o faraon!”

“Po të adhurosh dikë tjetër veç meje, do të të ndryj në qeli, do të të lë të kalbesh atje!”

Musai buzëqeshi.

“Po sikur të të tregoj një mrekulli?”

“Vërtet? Po na tregove ndonjë mrekulli nga Zoti yt, do të të besoj çfarë thua.”

Musai hodhi shkopin në mes të sallonit. Shkopi i Musait ishte kthyer në një gjarpër të tmerrshëm që përdridhej nëpër sallë. Faraoni ishte ngrirë i lemerisur.

Pastaj Musai futi dorën në gjoks. Kur e nxori, ajo ishte e bardhë dhe e ndritshme sa t’i merrte sytë. Gjithë pallati u ndriçua me një dritë të mrekullueshme. Ngjante si diell! Nga frika, Faraoni ishte bërë dyllë. Të tjerët që ndodheshin aty, kishin ngrirë, nuk ishin në gjendje të thonin asgjë. Një heshtje e plotë ishte nderur mbi sallon.

Para vështrimeve të çuditura të njerëzve, Musai preku gjarprin dhe ai menjëherë u kthye në gjendjen e parë. Futi dorën në gjoks dhe ajo u bë si më parë. Pastaj, duke i lënë të gjithë të shokuar, doli nga salla dhe u largua prej pallatit të Faraonit.

Faraoni sikur ishte gurëzuar. Frika e kishte mpirë… Pa kaluar shumë kohë, ngjarja mori dhenë. Gjithë Egjipti fliste për Musain dhe të vëllain, Harunin. Ngado tregohej se si këta vëllezër profetë kishin shkuar në pallatin e Faraonit për ta ftuar të besonte Zotin, si ai ishte tallur me ta, kishte dashur t’i mundte me fjalë. I madh e i vogël fliste për mrekullitë.

Faraoni ishte shqetësuar, reputacioni po i cenohej. Ai duhet të vazhdonte të mbetej idhull, perëndi për njerëzit e vet. Iu afrua Hamanit, njërit prej guvernatorëve të vet më të besuar.

“Më ndërto një kullë të lartë. Me të do ngjitem gjer në qiell e do shoh a është vërtet Zoti i Musait atje, apo jo! Në fakt e di se gënjen, por dua ta vërtetoj dhe vetë!”

“Musai është magjistar! Thërrasim magjistarët më të aftë dhe u tregojmë të gjithëve se Musai nuk është veçse një magjistar mashtrues. Kështu populli do e njohë Musain dhe ai nuk do jetë më një shqetësim për ne.”, thanë këshilltarët.

Faraoni mendoi disa herë ta varte Musain, por kjo gjë do ia ulte prestigjin; të gjithë do mendonin se nuk e kishte mundur dot me fjalë dhe e kishte vrarë. Edhe i vdekur, Musai mund të bëhej një hero për popullin dhe mund të paraqiste një kërcënim serioz për reputacionin e tij si “perëndi”.

Sapo e kishte marrë vesh se Musai ishte profet, Asia i kishte besuar menjëherë. Ajo e kishte mbrojtur gjithmonë Musain para Faraonit, por kësaj radhe nuk kishte qenë aspak e lehtë. Menjëherë Faraoni e kishte hedhur në birucë të burgut dhe e kishte torturuar keq Asian. Aq sa një ditë, Asia iu lut Zotit me gjithë shpirt, “O Zoti im, të lutem, bëj një shtëpi për mua në xhenetin Tënd, ku të jem e mbrojtur nga mizoria e faraonit!” Zoti e pranoi këtë lutje të sinqertë të Asias dhe shpejt ajo dha shpirt.

Një ditë, ndërsa Profeti ynë, Muhamedi (paqja qoftë mbi të), bisedonte me shokët e vet, ra fjala për Asian: “Më të nderuarat e grave janë katër: Merjemi, Hatixhja, Fatimja dhe Asia.”

Faraoni thirri sërish Musain dhe i tha se do ta sfidonte magjinë e tij. Musai pranoi, dhe i kërkoi që sfida të bëhej në një ditë të shënuar, pas mëngjesit, dhe në praninë e gjithë gjindjes. Edhe Faraoni, këtë donte, të turpëronte Musain.

Faraoni urdhëroi t’i mblidhnin të gjithë magjistarët dhe pasi u tregoi se Musai hidhte shkopin përtokë e ai sakaq shndërrohej në gjarpër, u kërkoi që ta sfidonin e ta mundnin.

Magjistarët qeshën me ironi. I thanë se ishte numër i lashtë magjie. Faraoni u lehtësua kur pa se magjistarët e morën me të lehtë dhe se kishin shumë besim në vete.

Erdhi dhe dita e shënuar. Njerëzit ishin mbledhur dhe prisnin me padurim. Erdhën magjistarët nën duartrokitjet e turmës. Kur erdhi Faraoni, brohoritjet mbuluan sheshin. Ndërsa kur erdhi Musai me të vëllain, Harunin, ra një heshtje e thellë. Musai ndenji në cep të sheshit dhe lutej në heshtje.

Ra heshtja. Magjistarët iu afruan Musait dhe e pyetën:

“Kush do nisë i pari, ne apo ti?”

“Ju!”, u tha ai.

Magjistarët lëshuan të gjithë së bashku shkopinjtë e litarët që mbanin në dorë, dhe sheshi u mbush me gjarpërinj, të mëdhenj e të vegjël. Që të gjithë lëviznin, të gjithë përdridheshin… Në fakt, ishte veç një iluzion, asnjëri nuk ishte i vërtetë. Ishte veç një numër i bukur. Fillimisht njerëzit i zuri frika, por pastaj shpërthyen duartrokitjet. Faraoni i kënaqur, qeshte me vete. “Mbaroi dhe puna e Musait tani. Dhe ne kujtuam se ç’bënte. Ja, forca e Faraonit. Ja, perëndia e vërtetë!”

Kur pa sheshin e mbushur me gjarpërinj, Musai u trondit disi. Ai nuk ishte një magjistar, nuk ishte kjo puna e tij, por sot i duhej të matej me ta. Ai kishte forcën dhe mrekullinë e besimit. “Mos u tremb! Ti je më lart nga ata! Sapo ta hedhësh në tokë shkopin tënd, do e shohësh si do i gëlltisë gjarpërinjtë e tyre! Puna e tyre është magji, nuk është reale. E vërteta je ti. Asnjëherë magjia nuk mund të triumfojë mbi të vërtetën.” , dëgjoi një zë.

Musai tashmë ishte i qetë. Lëshoi shkopin që mbante në dorë mu në mes të sheshit. Me të cekur në tokë, shkopi u shndërrua në një gjarpër të tmerrshëm, të vërtetë. Nuk ishte iluzion, nuk ishte si të tjerët. Magjistarët shtangën, Faraoni u tremb. Gjarpri iu drejtua shkopinjve e litarëve që kishin hedhur magjistarët e që dukeshin si gjarpërinj dhe i gëlltiti një nga një. Gjarpri i Musait, me një shpejtësi të paparë, e pastroi brenda disa minutave sheshin nga gjërat e tjera. Pastaj iu afrua Musait, i cili e preku me dorë dhe gjarpri u kthye menjëherë në shkopin e mëparshëm.

Magjistarët e kuptuan menjëherë se ai burrë nuk bënte magji sikur ata. Ata ishin më të zotët e magjisë dhe e dinin më së miri se çfarë mund të bëhej me magji e çfarë jo. Ishte thjesht mrekulli hyjnore! Menjëherë u përkulën dhe thirrën:

“Ne e besojmë me gjithë shpirt Zotin e Musait e të Harunit, Zotin e vërtetë të gjithësisë!”

Njerëzit në shesh, pa e kaluar tronditjen e ngjarjes që kishin parë, u tronditën me fjalët e magjistarëve. Faraoni e kuptoi se po i ikte kontrolli nga duart. Gjithë inat, u kthye nga magjistarët.

“Si guxoni t’i besoni Musait pa më marrë leje mua?”

“Pas kësaj, nuk kemi nevojë të pyesim kënd për të besuar të vërtetën”, u përgjigjën.

“Ky është një komplot. Dhe unë do ju pres duart e këmbët, pastaj do t’ju var nëpër pemë. Pastaj do e shohim kush guxon të kundërshtojë këtu.”

“Bëj ç’të duash! Pas atyre që dëshmuam, ne nuk heqim dorë nga Musai. Ne besuam Zotin. Shpresa jonë e vetme është që Ai të na i falë mëkatet e derisotshme. Vetëm Zoti është mbi gjithçka. Edhe sikur të na torturosh, të na varësh e të na mbytësh, ti veç këtë jetë ke për të na e shkatërruar. E kjo jetë dihet se është kalimtare. Ç’rëndësi ka kjo jetë para Zotit të përjetshëm? Dëshira jonë e vetme është të shkojmë në xhenet, pranë Zotit!”, thanë ata.

Faraoni po tërbohej. Menjëherë urdhëroi të vareshin magjistarët. Dita e jashtëzakonshme u mbyll me kaq. Musai dhe Haruni u kthyen mes besimtarëve, Faraoni iku në pallatin e vet.

Musai i kërkoi Faraonit t’i lejonte bashkë me Izraelët të largoheshin nga Egjipti, por Faraoni refuzoi. Allahu e sprovoi pastaj Faraonin dhe koptët me përmbytje, pastaj me pushtim nga karkalecët të gjitha hapësirave, më tej insekte të shumëllojshme, me bretkosa, e së fudni me gjak; i gjithë uji që përdornin koptët kthehej menjëherë në gjak.

Gjatë çdo mrekullie, koptët i kërkonin Musait t’i lutej Zotit të tij t’i shpëtonte. I lodhur dhe i pashpresë përballë mrekullive që tregoi Musai, Faraoni i lejoi të largoheshin nga Egjipti. Por kur pa se Muasi dhe Haruni (a.s.) kishin mbledhur izraelët dhe po largoheshin, iu vu nga pas që t’i vriste.

Ndërkohë Musai kishte arritur në breg të Detit të Kuq. Nga larg, dukeshin flamurët e ushtrisë së faraonit. Izraelët që ishin me Musain i pushtoi frika. “Mos u trembni, Zoti i botëve është me ne, Ai do të ma tregojë rrugën.” , i qetësoi Musai

Ishin momente shumë të rënda. Para kishin detin. Prapa ushtria armike. Nuk kishin as forca, as armë për të luftuar. Pikërisht, atë çast, Zoti e urdhëroi Musain: “Preke detin me shkop!”

Sapo shkopi i Musait preku detin, ujërat e tij u ndanë më dysh dhe u hap një rrugë mu në mes të detit. Një rrugë që rrethohej majtas e djathtas me dallgë vigane. Musai nga para dhe Izraelët nga pas, nisën të ecnin nëpër rrugën e hapur në det. Ishte një mrekulli e jashtëzakonshme! Dallgët shkrumbonin e hidheshin, por vetëm anë rrugës. Përgjatë kalimit, sikur i mbante një dorë e padukshme dhe ata as që i lagnin udhëtarët. Më në fund, Musai bashkë me njerëzit e vet kishin arritur në bregun tjetër të Detit të Kuq.

Faraoni u ngri nga habia kur arriti në breg të detit. Një tjetër mrekulli! Një rrugë kalimi, e thatë, mu në mes të detit! Në fillim u tremb, por pastaj ra pre e inatit dhe e zemërimit të vet. I urdhëroi të ndiqnin rrugën. Faraoni para dhe ushtria me kuaj nga pas, nisën të ecnin nëpër rrugën ku pak më parë kishte kaluar Musai me njerëzit e vet. Ushtria e Faraonit kishte arritur mu në mes të detit, kur Zoti urdhëroi detin të kthehej në gjendjen e mëparshme. Faraoni dhe ushtria e tij gjigante, gjendeshin në fund të detit. Deti i kishte përpirë. As edhe një gjurmë, as nga faraoni, as nga ushtria e tij. E liga nuk kishte arritur të triumfonte më tepër. Mizoria e Faraonit kishte marrë fund.

Mijëra vite më vonë, dallgët nxorën në breg trupin e Faraonit, Ramsusit të dytë.

Musai vazhdoi rrugën nëpër shkretëtirën Sina bashkë me njerëzit e tij. Atje iu zbrit nga Zoti libri hyjnor, Teurati. Përveç kësaj, Zoti i shpalli Musait “dhjetë urdhrat” që janë dispozita që komandojnë njerëzit për besimin, nderin dhe drejtësinë. Por, në fakt, Izraelët nuk ishin më ata të parët. Megjithë premtimin që i kishin bërë Musait, me gjithë mrekullitë që i kishin parë me sytë e tyre, me t’u larguar Musai për pak kohë, në periudhën që iu shpall Teurati, ata iu kthyen besimit të vjetër dhe nisën të adhuronin një viç prej floriri. Vërtet që profeti Musa vuajti shumë nga populli i vet!

Megjithatë Musai qëndroi me ta gjer në frymën e fundit, duke i këshilluar të besonin vetëm Zotin dhe të mos i ndaheshin rrugës së Tij.

Postime të ngashme