Gjerësia e shpirtit

Bujar dhe shpirt gjerë është ai njeri që e ka dorën të lëshuar në dhurata, që ndihmon e dhuron me zemër të hapur. Bujaria është sjellja a zakoni i të dhuruarit me zemërgjerësi, i të ndihmuarit të të tjerëve pa ngurrim. Bujaria është një rregull i lartë i moralit, sipas të cilit njeriu, me mundësitë që ka, pa synuar tjetër shpërblim përveç kënaqësisë së Allahut, u dhuron në pastërti e mirësi të plotë atyre që kanë nevojë, brenda përmasave të së ligjshmes.

Pa dyshim, ndër treguesit më të fuqishëm të besimit është edhe vënia e pasurisë dhe e të mirave vetjake në shërbim të të tjerëve.

Asketët e kanë quajtur bujarinë profesion të profetëve dhe të evliave.

Bujaria është shprehje themelore e të qenit i sigurt në fuqinë, mëshirën dhe mirësinë e Allahut. Zemrat që nuk janë të përlyera prej lakmive, prej babëzive e prej mungesës së dhembshurisë, e pasqyrojnë kthjelltësinë dhe pastërtinë e tyre në formën e bujarisë.

“Të ushqyerit e të gjitha gjallesave në faqe të dheut i përket Allahut. Edhe vendet ku ato do të banojnë dhe vendet e banesës së tyre të fundit Ai i di.” (Kuran, Hud, 6) Një zemër që e beson këtë, nuk sheh kurrfarë rreziku në të dhuruarit pa masë të gjithçkaje që ka në dorë; përkundrazi, me këtë sjellje ndien lumturi e mirëqenie.

Për të mposhtur lakminë, duhet të jesh bujar, qoftë duke dhuruar shumë, qoftë pak, qoftë kur je i pasur, qoftë i varfër. Ai që nuk jep në varfëri, kur pasurohet sërish nuk jep. Të dhënit nuk merr vlerë nga sasia, por nga qëllimi.

Bujaria është mjeshtëri e shpirtit. Ajo i shtyn njerëzit që t’u dhurojnë atyre në nevojë, i nxit që të zhvillojnë mirësinë. Njeriu që e zotëron këtë mjeshtëri, ndihmon gjithkënd me gjithçka të dobishme në fushat personale e shoqërore. Ajo sjell një përmirësim të barazisë sociale.

Dijetarët e Islamit e ndajnë bujarinë në këto shkallë:

  1. Sehavet: Bujaria që ushtrohet duke ndarë një pjesë të mallit. Kjo pranohet si shkalla më e ulët e bujarisë. E tillë është dhënia e zekatit.
  2. Xhud: Bujaria që ushtrohet duke shpërndarë pjesën më të madhe të mallit në zotërim dhe duke mbajtur për vete vetëm pakicën e tij.
  3. Ithar (Altruizëm): Bujaria e ushtruar me diçka që njeriu e ka të nevojshme për vete, por që duke iu nënshtruar humbjes dhe vështirësive, në vend që ta përdorë vetë, e dhuron në dobi të të tjerëve.

Myslimani, duke u sjellë me bujari, atë që Allahu ia ka dhuruar, duhet ta shpenzojë sa është gjallë, për kënaqësinë e Zotit, në një mënyrë të përshtatshme.

Në mënyrë që të fitohet virtyti i bujarisë, duhet që  kundrejt ndihmës që ofrohet të mos priten lëvdata e shpërblime; gjithashtu duhen shmangur sjelljet që mund ta turpërojnë apo ta vënë në pozitë të vështirë atë që përfiton nga ndihma.

©URTËSI.AL

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: