Gjendjet e posaçme të femrave
Femra, e cila ka arritur moshën e pjekurisë, mund të ketë tri lloje gjakrrjedhjesh. E para është ardhja e zakoneve femërore (menstruacioneve) në një moshë dhe periudhë të caktuar ditësh. E dyta është gjakrrjedhja për një afat të caktuar pas lindjes. Dhe e treta, përveç këtyre dy rasteve, është gjakrrjedhja (istihade) e cila lind nga ndonjë sëmundje – çrregullim organik.
Zakonet femërore – Menstruacionet (hajzi)
Zakonet femërore ose të përmuajshmet femërore (hajd – hajz), ose cikli mujor i femrës, quhet “rrjedhja e gjakut nga mitra e gruas, e cila është e liruar nga sëmundja apo lindja e fëmijës”. Zakonet te femrat paraqiten me hyrjen e saj në periudhën e pjekurisë gjinore dhe mbarojnë me fillimin e menopauzës femërore.
Mosha e fillimit të zakoneve femërore (menstruacioneve) mund të ndryshojë nga një femër te tjetra në varësi të vendit, kushteve klimatike dhe zhvillimit fizik, mirëpo ajo fillon diku rreth moshës 10-vjeçare dhe zgjat deri-diku rreth moshës 50-vjeçare, kur femra kalon në menopauzë.
Menstruacionet mund të zgjasin më e pakta tri ditë e tri net dhe më e shumta dhjetë ditë e dhjetë net. Këtë e vërteton hadithi që transmeton Vail b. El-Eska, ku Pejgamberi a.s. ka thënë: “Menstruacioni më i vogël është tri ditë, kurse maksimumi është deri në dhjetë ditë.”
Gjakrrjedhja e femrës në periudhë kohore më pak se tri ditë ose më shumë se dhjetë ditë, konsiderohet Istihada. Nëse gjakrrjedhja e kalon traditën e femrës, por nuk kalon dhjetëditëshin, konsiderohet ndryshim i zakonit, porse ka dispozitën e hajzit. Gjendjen e pastër të femrës mes dy menstruacioneve e quajmë ‘tuhur’ (pastërti). Kjo periudhë zgjat më e pakta 15 ditë.
Përfundimi i menstruacioneve kuptohet nga ardhja e sekrecioneve me ngjyrë të bardhë. Ky lëng, që vjen pas menstruacioneve, mund të jetë dhe në ngjyrë kafé, jeshile, të verdhë ose të zezë. Namazet e pafalura gjatë periudhës së menstruacioneve nuk bëhen kaza, ndërsa ditët e paagjëruara kompensohen më vonë, pas pastrimit, sipas parimit ditë për ditë. Kur mbaron periudha e menstruacioneve, femra duhet të marrë menjëherë gusl, të pastrohet dhe t’i fillojë adhurimet.
Lehonia (Nifasi)
Në terminologjinë e Sheriatit, nifas do të thotë gjakrrjedhja e femrës gjatë lindjes së fëmijës dhe kohës së gjakrrjedhjes pas saj. Ndryshe, e perifrazuar, quhet gjaku i lehonisë. Lehonia nuk ka një kufi të përcaktuar, por afati më i gjatë i saj është 40 ditë.
Nëse lind fëmija dhe gruaja nuk vëren gjakrrjedhje, sipas Ebu Hanifes dhe mendimit të shumicës së fukahave (juristëve), detyrohet të pastrohet, pastrim ky i cili konsiderohet si rezervë, sepse zakonisht lindja e fëmijës nuk bëhet së paku pa pak gjakrrjedhje.
Nëse lindin binjakë dhe distanca mes lindjes së fëmijëve është më tepër se 6 muaj, atëherë kjo gjendje konsiderohet dy shtatzëni, dy lindje dhe dy nifase, e për këtë janë dakord të gjithë dijetarët. Mirëpo, nëse lindja e binjakëve bëhet me distancë kohore, më pak se gjashtë muaj, atëherë fillimi i nifasit konsiderohet me lindjen e fëmijës së parë, kurse iddeti pas lindjes së fëmijës së dytë, sepse nifasi, sipas Sheriatit islam, konsiderohet gjakrrjedhja e menjëhershme pas lindjes. Ky është mendimi i Ebu Hanifes, Ebu Jusufit si dhe mendimi i disa dijetarëve të medhhebit Shafi’j.
Nëse gruaja shtatzënë e hedh barrën e saj para kohe dhe te fëmija duken format e gjymtyrëve të trupit të tij, siç janë gishtërinjtë, thonjtë apo flokët, atëherë kjo gjendje konsiderohet nifas. Në të kundërtën, nëse te fëmija i abortuar nuk duken këto gjymtyrë të lartpërmendura, por është vetëm gjak i ngjizur apo pjesë mishi, atëherë gjakrrjedhja, nëse është në kohën e hajzit, konsiderohet hajz, e në të kundërtën gjak i prishur.
Me mbarimin e periudhës së lehonisë, femra mund të fillojë realizimin e adhurimeve, si namazi, agjërimi e të tjera. Nëse gjakrrjedhja vazhdon edhe pas 40 ditëve, atëherë kjo periudhë nuk konsiderohet më lehoni, por hyn në grupin e gjakut që shkaktohet nga ndonjë arsye tjetër-istihada.
Gjakrrjedhja nga një anomali-çrregullim (Istihada)
Nëse tek një femër me menstruacione periudha e tyre zgjat më pak se tri ditë apo më shumë se dhjetë ditë, atëherë gjaku që rrjedh quhet istihada. Ndërsa tek lehona, gjaku i cili vazhdon të rrjedhë edhe pas dyzet ditëve, quhet istihada. Kjo lloj gjakrrjedhjeje nuk e pengon gruan në kryerjen e adhurimeve, si namazi, agjërimi dhe gjithashtu nuk paraqet pengesë as për marrëdhëniet seksuale. Femra e cila ka një lloj gjakrrjedhjeje të tillë, merr abdes për çdo kohë namazi dhe brenda asaj kohe fal çfarë të dojë nga namazi.
Gjërat e ndaluara gjatë menstruacioneve dhe lehonisë
Të gjitha ato ndalime që vlejnë për femrën gjatë hajzit, vlejnë edhe gjatë nifasit. Ato mund t’i listojmë si më poshtë:
1. Namazi. Femra gjatë hajzit dhe nifasit nuk mund të falë asnjë lloj namazi. Tërë këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit a.s. i transmetuar nga Aisheja r.a. që i thotë Fatimes, bijës së Ebu Hubejshit: “Kur të vijë hajzi, braktise faljen e namazit, e kur të përfundojë pastroje gjakun nga ti dhe falu.” (Buhari dhe Muslimi). Namazi i mbetur pa u falur gjatë hajzit dhe nifasit, nuk duhet bërë kaza.
2. Agjërimi. Po ashtu edhe agjërimi ndalohet gjatë gjendjes së hajzit dhe nifasit, pa marrë parasysh llojin e dispozitës së agjërimit farz apo nafile. Mirëpo, në dallim nga namazi, agjërimi duhet bërë kaza ditët e ngelura pa agjëruar. Këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit a.s. që e transmeton Aisheja r.a.: “Pas kalimit të hajzit dhe nifasit jemi urdhëruar të bëjmë kaza agjërimin e nuk jemi urdhëruar për kompensimin e namazit.” (Muttefikun alejhi)
Shkak i këtij diferencimi mes këtyre dy farzeve është se agjërimi është detyrim vjetor, kurse namazi është detyrim ditor, sepse kryhet pesë herë në ditë dhe, nëse detyrohet me kaza, has në vështirësi.
3. Ndalohet leximi i Kur’anit. Pejgamberi ka thënë: “Nuk lexon (as nuk e thotë përmendsh) Kur’an femra në hajz, nifas dhe i papastri.” (Termidhiu)
4. Ndalohet prekja e Kur’anit, me përjashtim të rastit kur Kur’ani është i mbështjellë me mbulesë që nuk është e ngjitur me të, kurse në të kundërtën ndalohet. Gjithashtu, është mekruh prekja e çdo elementi që në të shkruan diç nga Kur’ani, siç janë qaforet e ndryshme, leuhatë etj.
5. Ndalohet marrëdhënia intime. Allahu xh.sh. thotë: “Të pyesin ty për menstruacionin, thuaj: Ajo është gjendje e neveritshme, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre derisa të pastrohen.” (Bekare : 222)
Sipas konsensusit islam, kryerja e këtij akti që është pranuar si i ndaluar, konsiderohet mëkat, madje prej mëkateve të mëdha, kurse ai, i cili e di ndalimin, por nuk e beson atë se është haram dhe e kryen këtë vepër, bën kufër. Në rastet kur femra është me menstruacione, lejohet për mashkullin të dëfrehet me tërë trupin e saj, me përjashtim prej gjunjëve deri në kërthizën e saj. Sipas konsensusit islam, lejohet fjetja me bashkëshorten gjatë menstruacioneve në një shtrat, sepse sipas parimeve islame nuk është i logjikshëm largimi nga shtrati.
6. Ndalohet tavafi rreth Qabesë edhe nëse është nafile.
Tavafi është në kuptim të namazit, andaj edhe ndalohet tavafi në rastet e menstruacionit. Nëse gruaja bën tavaf duke qenë në menstruacione, tavafi i saj është i vlefshëm, por me haram. Megjithatë, ajo detyrohet të presë kurban një deve, nëse është fjala për tavafin farz (zijaret), kurse detyrohet të presë kurban një dele për tavafin vaxhib, me përjashtim të rastit nëse e përsërit pasi të pastrohet. E njëjta dispozitë vlen edhe për të papastrin.