Fëmijët dhe lodrat
Lodrat dhe sportet janë pjesë e rëndësishme e procesit të edukimit të fëmijëve. Para së gjithash, të luajturit me lodra duhet t’i ndihmojë ata të zgjerojnë mendimin, të njihen me arritjet teknologjike, prandaj është e rekomandueshme që të përdoren lodra të tilla zbavitëse, si: trena, aeroplanë, anije, robotë, etj.
Ndërsa për të zhvilluar ndjenjën e estetikës, të së bukurës dhe shijen për artet, fëmijët duhet të nxiten për të vizatuar me bojëra, të merren me kultivimin e luleve dhe kopshtari.
Ata duhet të nxiten gjithashtu për të luajtur me lodra, të cilat zhvillojnë aftësitë e tyre projektuese e ndërtuese, siç janë lodrat e montimit të pjesëve të ndryshme për ngritjen e pallateve, urave, shtëpive, etj.
Prindërit duhet të tregojnë kujdes, që me rritjen e tyre, t’i drejtojnë fëmijët drejt lojërave që rrisin aftësitë fizike dhe nxisin zhvillimin e trupit, me veprimtari të tilla sportive që nuk bien ndesh me parimet morale dhe nuk sjellin pasoja të rrezikshme.
Qëllimi kryesor i edukimit në përgjithësi dhe për rrjedhojë edhe i lodrave dhe sporteve, është t’i pajisë fëmijët me ndjenja fisnike, t’i mbajë ata të shëndetshëm shpirtërisht dhe fizikisht.
Nëse prindërit nuk do të tregojnë vëmendje në zgjedhjen e lojërave argëtuese për fëmijët, ata do të jenë shkaktarët që do t’u hapin atyre rrugët drejt veprimeve të papranueshme, ndjenjave jo të pastra që prishin shpirtrat e tyre, do t’i vënë përpara dëmeve emocionale, të cilat do të kenë pasoja në jetën e tyre.