FARZET E HAXHIT

Sipas shkollës juridike Hanefi farzet (ruknet) e Haxhit janë tre:

1. Ihrami

Me fjalën “ihram”, në kuptimin gramatikor, nënkuptohet të ndalosh diçka që është e lejuar, kurse në terminologjinë e sheriatit islam nënkuptohet: nijeti me gjithë zemër për të kryer Haxhin, të realizosh shqiptimin e telbijes (lebbejk Allahumme lebbejk…) gojarisht pa ndonjë ndarje mes nijetit dhe telbijes pasi ke veshur ihramin. Nga kjo qasje nënkuptohet se ihrami është nijeti për Haxh. Shqiptimi i nijetit është veprim i pëlqyeshëm (mustehab), si p.sh. të thuash: “E bëra nijet ta kryej Haxhin për hir të Allahut, prandaj ma lehtëso o Zot dhe ma prano.” Nëse personi i cili në momentin e veshjes së ihramit dhe bërjes nijet humb vetëdijen apo i bije të fikët duke qenë në mikat, atëherë nijetin e Haxhit për të mund ta bëjë dikush nga bashkudhëtarët e tij dhe pasi të ketë bërë nijetin për vete, thotë: “O Zoti im, ai dëshironte Haxhin, lehtësoja atij.” Pastaj e thotë telbijen. Ky nijet për të është i vlefshëm dhe konsiderohet se e ka plotësuar farzin. E njëjta dispozitë vlen edhe për të sëmurin që është në kllapi për shkak të sëmundjes. Nëse më tutje i kthehet vetëdija këtij personi, atëherë ai vazhdon vetë t’i kryejë detyrimet, por nëse humbja e vetëdijes vazhdon edhe më tutje, për të mund të bëjë Haxhin personi i cili e ka bërë nijet.

2. Qëndrimi në Arafat

Qëndrimi në Arafat në kohën e caktuar është farz (rukn) i Haxhit, qoftë edhe një çast dhe pavarësisht se a qëndron në këmbë apo ulur, zgjuar apo në gjumë. Profeti a.s. ka thënë:

الحج عرفة

Haxhi është (qëndrimi në) Arafat  (Ahmedi)

Koha e qëndrimit në Arafat është prej kohës së zenitit, ditën e Arafatit, deri disa çaste para lindjes së diellit, ditën e Bajramit. Haxhiu, i cili nuk qëndron në Arafat brenda kësaj kohe, konsiderohet se e ka humbur Haxhin dhe atë duhet ta përsërisë.

3. Tauafuz-zijaret

Është fjala për tavafin i cili bëhet pas gjuajtjes së guralecëve ditën e parë të Bajramit. Ky tavaf quhet edhe tauaful ifada dhe është farz i Haxhit. Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë ka thënë:

ثُمَّ لْيَقْضُوا تَفَثَهُمْ وَ لْيُوفُوا نُذُورَهُمْ وَ لْيَطَّوَّفُوا بِالْبَيْتِ الْعَتِيقِ

Pastaj le ta heqin papastërtinë e tyre, le t’i zbatojnë premtimet e veta dhe le të sillen (bëjnë tavaf) rreth shtëpisë së lashtë.” (El-Haxhxh, 29)

Për t’u plotësuar ky farz, nevojitet që haxhiu të bëjë së paku katër rrotullime rreth Qabes, sepse tri rrotullimet e fundit janë vaxhib.

Këto janë tri farze, apo për të qenë më të qartë, tri rukne kryesore të Haxhit. Në vazhdim të kësaj të theksojmë edhe disa farze që ndërlidhen me kryerjen e këtyre farzeve, e që janë:

  1. Radhitja mes farzeve, që nënkupton se tri farzet e lartpërmendura të kryhen radhazi, pra të fillohet me ihramin, pastaj qëndrimi në Arafat dhe në fund Tavafuz-zijareti.
  2. Është detyrim që çdo farz të kryhet në kohën dhe vendin e vet.
  3. Nijeti i tavafit farz është kusht i vlefshmërisë së tij. Nijeti duhet të jetë me gjithë zemër e jo formalisht.

Dispozita e këtyre farzeve është pavlefshmëria e Haxhit nëse nuk zbatohen të gjitha këto farze. Nëse braktiset një nga këto farze,  pavarësisht se a bëhet kjo me qëllim apo me harresë, gabimisht apo pa dije, Haxhi është i pavlefshëm dhe nuk mund të përmirësohet me therje të kurbanit.

 

 

Postime të ngashme