Falja dhe mëshira, dy virtyte që mungojnë midis nesh

Allahu i Lartësuar thotë: “Por, nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allahu është vërtetë falës dhe Mëshirëplotë.” (Tegabun, 64/14)

Mësuesi i njerëzimit (s.a.s) ka thënë: “Allahu më porositi për 9-të gjëra dhe përmendi prej tyre; ta fal atë që më ka bërë padrejtësi dhe t’i jap atij që më ka privuar.”

Shkenca moderne na ka treguar një aspekt të kësaj mirësie, të cilën e arrin ai që fal dhe toleron, në këtë botë përpara sesa ta arrijë në Ahiret. Studimet provojnë se ka një lidhje të ngushtë midis faljes së të tjerëve dhe shëndetit njerëzor. Michael Berry thotë në librin e tij rreth kurimit të sëmundjeve kancerogjene: “Humbja e aftësisë për të falur dhe toleruar është në vetvete një shfaqje e parregullsisë së shëndetit. Ajo ndikon negativisht në shëndetin e njeriut. Është e vërtetuar shkencërisht se tensioni nervor vjen si rezultat i mos-faljes apo mos-tolerimit të të tjerëve. Kështu dëmtohet sistemi tretës, enët e gjakut dhe sistemi imunitar i trupit.”

Të mos falësh dhe të mos tolerosh dëmton edhe sistemin muskular, si shkak i tensionit të vazhdueshëm muskular. Kjo vazhdon me rritjen e mundësisë për t’u prekur nga dhimbja e kokës, marrjen e mendëve, lodhjen dhe humbjen e ekuilibrit. Njerëzit që refuzojnë të falin dhe mendojnë se po i dënojnë të tjerët, në fund ata e paguajnë vetë çmimin e të gjithë kësaj. Ata janë njësoj me njerëzit që pinë helm dhe shpresojnë se do të dëmtohen të tjerët.

Disa thonë që nuk munden të falin dhe tolerojnë, sepse kjo është panatyrshme. Në fakt nuk është diçka e natyrshme, por e mbinatyrshme. Prandaj Allahu ka thënë: “Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë. Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.” (Fussilet, 41/34)

Kjo është një vepër e thellë, që kërkon qëllim të lartë për të marrë vendimin e faljes dhe përgjigjen me atë që është më e mira. Në këtë formë njeriu i bindet urdhërit të Allahut dhe është kërkues i kënaqësisë së Tij. Nëse njeriu mundet ta bëjë këtë gjë, Allahu do ta nderojë atë, do t’ia zbusë zemrën dhe do t’ia mbushë atë me dashuri.

Ndenjat negative, si urrejtja dhe mungesa e faljes, për ata që mendojmë se na kanë lënduar apo na kanë bërë padrejtësi, çojnë në një ndryshim thelbësor energjik në trupin tonë. Ky çrregullim çon në ndryshimin e çlirimit të substancave kimike dhe të sinjaleve elektrike në trupin tonë. Të gjitha këto ia ulin njeriut aftësinë për të menduar qartësisht dhe për të marrë vendimet e duhura.

Në të vërtetë është një fat i madh që të kesh një zemër të aftë për të falur, qoftë edhe armiqtë e tu. Modelin më të mirë të kësaj e gjejmë tek i Dërguari i Allahut (s.a.s), i cili ka thënë: “O Allah, udhëzoje popullin tim sepse ata nuk dinë.” Në çlirimin e Mekës i tha Kurejshëve: “Shkoni, jeni të gjithë të lirë.” Ia tha Kurejshëve, të cilët kishin planifikur vrasjen e tij.

Kur lutesh për përmirësimin dhe udhëzimin e atyre që të kanë lënduar, atëherë do të ndiesh drejt tyre një lloj dashurie dhe faljeje. Sepse është e pamundur ta heqësh urrejtjen nga zemra, pa e zëvendësuar atë me diçka tjetër. Ajo që e zëvendëson është dashuria, dashuria për Krijuesin dhe dashuria për krijesat për hir të Krijuesit.

Njerëzit që falin dhe tolerojnë, kanë treguar një ndryshim në ndjenjat, sjelljet dhe mendimet e tyre. Ata ndihen sikur u është hequr një barrë e rëndë nga shpatullat dhe atyre u humbet dëshira për t’u hakmarrë. Ndihen më të qetë, mbushen me dashuri, mëshirë dhe paqe. Kjo është një çështje e vështirë, që kërkon qëllim të pastër, përpjekje, durim, vendosmëri dhe ndihmë prej Zotit.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: