Epërsia e Dijes

O vëllai im! Dije se dituria është të njohësh të vërtetat e sendeve, si; cilësinë; sasinë, përbërjen dhe vetë sendin. Kjo varet nga të qënurit diçka e vetme. Dijetar është ai person i cili arrin të kuptojë në mënyrë gjithëpërfshirëse të vërtetat e gjërave. Ashtu siç dihet, dija është ajo që gëdhendet në trurin e njeriut dhe vlera e dijes është sa vetë ajo. Gradët e dijetarëve janë sipas nivelit të dijes. Dituria më e vlefshme, më e lartë dhe më e dobishme është dituria (njohja) e Allahut xh.sh.

Të njohësh Allahun xh. sh (marifetullah) është dituria e njëshmërisë (teuhid). Kjo lloj diturie është e detyrueshme për çdo person, sepse Profeti Muhamed a.s ka thënë: “Kërkimi i dijes është detyrim për çdo mysliman dhe myslimane.”

Veç kësaj, ka urdhëruar edhe udhëtimin për fitimin dhe kërkimin e dijes, ku thotë: “Mësojeni dijen edhe nëse gjendet në Kinë.”

Personat të cilët janë të pajisur me njohjen e Allahut, dituri e cila është më e larta, kjo sepse Allahu në librin e Tij shprehet kështu: “ Allahu, engjëjt dhe dijetarët dëshmojnë që nuk ka Zot tjetër veç Allahut…” (Ali Imran 18).

Dijetarët e diturisë së njëshmërisë (teuhid) janë profetët dhe trashgimëtarët e tyre Ulemaja. Thelbi dhe përbërja e kësaj diturie e cila është e përsosur dhe me vlera, nuk i përjashton dhe nuk  i sheh si negative dituritë e tjera. Mësimi i Astronomisë, Astrologjisë dhe të tjera të ngjashme me këto, janë si një parapërgatitje për mësimin e diturisë hyjnore. Pa qënë këto dituri paraprakisht,  nuk mund të mësohet dituria hyjnore (teuhid). Më pas do të përmendim edhe dituritë që rrjedhin prej diturisë hyjnore (teuhid).

O vëllai im! Dije se dituria është e vlefshme në vetvete edhe nëse nuk merret parasysh përmbajtja e saj. Madje edhe shkenca e magjisë, edhe pse është e kotë, përsëri në vetvete është me vlerë. Këtë çështje mund ta shpjegojmë në këtë formë, dituria është e kundërta e injorancës, pasoja e injorancës është errësira… Errësira është palëvizshmëri; palëvizshmëria është e afërt me mosekzistencën; mosekzistenca është vendi ku gjenden humbja dhe e kota. Dispozita e injorancës është mosekzistenca, ndërsa dispozita e diturisë është ekzistenca; ekzistenca është më e vlefshme së mosekzistenca.

Udhëzimi, drejtësia dhe dija, si hallka të zinxhirit të ekzistencës, tregojnë epërsinë e ekzistencës ndaj mosekzistencës dhe dijes ndaj injorancës. Sepse injoranca është verbëri dhe errësirë; ndërsa dija është largpamësi dhe iluminim. Allahu xh. sh, thotë kështu në Kuranin Famëlartë: “Nuk janë kurrsesi njësoj i verbëri dhe ai që sheh, as errësira dhe drita… (Fatir 19-20)  – “Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë?” (Zumer, 9).  Dija është superiore ndaj injorancës sepse injoranca është atribut i trupave (sendeve), ndërsa dija është atribut i shpirtit. Kështu që shpirti është superior ndaj trupit.

O vëllai im! Pasi shpjeguam vlerën e dijes, duhet të dish se vendi i ruajtjes së dijes është shpirti i njeriut dhe jo trupi. Kjo për arsye se trupat janë të kufizuar dhe mund të mbajnë një pjesë të vogël të shkrimeve dhe regjistimeve  (të diturisë). Ndërsa shpirti nuk njeh pengesë në ruajtjen dhe transmetimin e dijes.

Burimi: Risaletu’l Ledunnijje, Imam Gazali r.a

Përktheu: Marius Tafani 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: