El- Hakk (i Vërteti)
El- Hakk është emri me të cilin mbahet Toka dhe gjithësia; emri, me të cilin është e lidhur ngushtë jeta jonë shoqërore.
E vërteta më e madhe është ekzistenca e Zotit. Ai është i Vërteti, fjalët e tij janë të vërteta, urdhrat e Tij janë të vërteta, ndalimet e Tij janë të vërteta…
Si e kërkon të vërtetën te dikush tjetër, o njeri? Të vërtetën absolute e gjen vetëm te Zoti dhe libri i Tij, Kurani. Të vërtetën absolute e gjen në thëniet e Tij, në urdhrat e Tij, në premtimet e Tij, në Xhenetin e Tij.
Të ecësh në drejtimin e kundërt të rrymës është shumë e vështirë. Mbarë gjithësia ndjek drejtimin e së vërtetës. Nëse do të ndjekësh drejtim të kundërt, do të përplasesh me gjithësinë dhe do të lodhesh, do të jetosh në strese dhe tension, nuk do ta gjesh kurrë qetësinë shpirtërore.
Andaj bëje të vërtetën të dashur! Jeto me të, vepro dhe vdis me të. Kurrë mos ki frikë nëse je me të vërtetën dhe asnjëherë mos e braktis atë, për asnjë arsye, kudo që të jesh!