Dobitë e Zekatit (1)

Zekati është ekuilibruesi i pasurisë, me anë të tij pasuria shpërndahet në të gjitha shtresat e shoqërisë, nuk mbetet e tëra në dorën e pasanikut, duke ju dhënë një pjesë edhe të skamurve, por ndahet sipas disa masave të caktuara midis tyre.

Zekati është një siguri sociale, sepse në shpirtin e zekatit gjendet ndihmesa ndaj; të varfërve, skamurve, borxhlinjve, udhëtarëve dhe njerëzve të dobët. Ai forcon personalitetin e njeriut, pasurinë dhe forcon atë si nga ana shpirtërore po ashtu dhe nga ana materiale. Zekati është një sigurim për të gjitha shtresat në nevojë të një shoqërie. Modeli modern i sigurimit shoqëror është nisur fillimish në vitin 1941 ku edhe u vendos për formimin e një institucioni që do të merrej me këtë gjë, por Islami e ka sjellë këtë 1400 vite më parë, kur nuk ekzistonte koncepti i ndihmesës ose mbështetjes.

Zekati eliminon të gjitha dallesat  dhe ndryshimet e tepërta në shoqëri, duke afruar distancën mes shtresave dhe duke krijuar në shtresë të mesme. Me rritjen e numrit të personave me të ardhura të mesme në shoqëri shtohet mirëqenia. Produkti nuk mbetet vetëm në duart e disa personave, por hapet mundësia të blihet edhe nga të tjerët. Mundëson qarkullimin e pasurisë duke mos e grumbulluar kështu vetëm në duart e të pasurve.

Zekati parandalon stokimin e parasë duke shtyrë drejt investimit, sepse zekati nuk jepet me paratë e fituara, por me burimin e parave, kjo gjë do t’i bënte me humbje njerëzit, për këtë arsye, për të parandaluar humbjen ata janë të detyruar që ta investojnë pasurinë që kanë.

Zekati ruan ekuilibrin shoqëror, sepse Zoti i ka krijuar njerëzit të ndryshëm si nga natyra, po ashtu edhe nga mënyra e jetesës. Kë e ka bërë të pasur, kë të varfër, e kë me të ardhura të mesme… Ashtu siç thuhet dhe në ajetin kuranor; “Disa prej jush Allahu i ka pajisur më mirë. Por, ata të cilëve u ka dhënë më shumë, nuk u japin furnizim atyre që i kanë nën vete, edhe pse janë të barabartë në nevoja. Si po i mohoni dhuntitë e Allahut?” (Nahl, 71).

Të qenit në të njëjtin nivel të të ardhurave është e pamundur për të gjithë, sepse shoqëria përbëhet nga persona me kapacitet, energji dhe punë të ndryshme. Braktisja e këtyre punëve do të çonte në paralizimin e shoqërisë. Nëse shpërblimi i të gjitha punëve do të ishte i njëjtë, atëherë të gjithë njerëzit do të donin të bënin punët më të lehta dhe kështu punët e vështira do ngelnin, duke prishur kështu ekuilibrin shoqëror. Shihet qartë se të ardhurat në masa të ndryshme janë një domosdoshmëri për shoqërinë njerëzore. Për të afruar dhe bashkuar këto skaje të ndryshme të shoqërisë njerëzore ka nevojë për ura, dhe pikërisht kjo urë është Zekati…

Përgatiti: Marius Tafani

Postime të ngashme