Djaloshi i pasur në kohën e Profetit Musa (a.s)

Një djalosh i ri dhe plot ambicie, i kërkoi Profetit Musa (a.s), që ta lusë Zotin ta bëjë të pasur. Musai (a.s) e pyeti nëse e preferonte pasurinë gjatë tridhjetë viteve të para, apo tridhjetë viteve të fundit të jetës.

Djaloshi u hutua paksa nga kjo pyetje dhe pasi u mendua gjatë, i tha: “E dua tridhjetë vitet e para të jetës. Unë dua ta shijoj rininë time. Veç kësaj, ku e di nëse do të jetoj derisa të bëhem gjashtëdhjetë vjeç”, duke harruar se vitet e pleqërisë, me sëmundjet, dobësinë dhe pafuqinë, janë shumë të vështira.

Musai (a.s) e luti Zotin dhe Ai ia pranoi lutjen, duke e pasuruar këtë djalosh për tridhjetë vitet e para të jetës së tij. Atij iu shtua aq shumë pasuria, saqë nuk dinte ç’të bënte me paratë. Ai filloi të ndihmojë fukarenjtë dhe shtresat në nevojë. Jo vetëm që u jepte para, por i ndihmonte edhe të bënin tregti. U jepte jetimëve, u shlyente borxhet borxhlinjve, martonte beqarët, etj…

Tridhjetë vitet e para përfunduan dhe Musai (a.s) priste që personit në fjalë t’i sosej pasuria, por asgjë nuk po ndryshonte, madje pasuria veç i shtohej. I çuditur, Musai (a.s) e pyeti Zotin: “Si është e mundur, o Zot? Kemi hyrë në tridhjetë vitet e dyta dhe atij veç i shtohet pasuria?”

Zoti i Lartësuar i tha: “O Musa! Pashë që robi Im i hapi portat e pasurisë që i kisha dhënë, për të furnizuar robërit e Mi. Si t’ia mbyll Unë portën, nga e cila e furnizoja me të mira?!

Postime të ngashme