Dita e Kijametit

Kijameti është dita e fundit kur do të shkatërrohet gjithësia, nuk e di askush tjetër veç Allahut se kur do të ndodhë kjo ditë. Pasi të shkatërrohet çdo gjë, pas një farë kohe të cilën e di vetëm Allahu, do t’i fryhet surit (borisë) për tu ringjallur çdo gjë që ishte shkatërruar. Do bjerë një shi nga qielli i cili do t’i gjallërojë të gjithë, duke u ringjallur kështu të gjithë si bimët pas shiut. Atë ditë njerëzit do të mendojnë që kanë qëndruar një ditë ose një pjesë kohe në tokë, kështu do të nxitojnë drejt sheshit të Mahsherit duke falenderuar Allahun. Atë ditë njerëzit do të merren në llogari për punët e tyre, duke kaluar kështu nëpër disa faza dhe gjendje në ditën e Kijametit.

Hashr (Tubimi i njerëzve)

Allahu kur përmend këtë ditë në kuran e përshkruan këtë ditë si ‘dita e madhe’ ose ‘dita kur do të mbidhen të gjithë njerëzit’. Atë ditë njerëzit do të zgjohen të shastisur nga zëri i surit që do t’i fryejë Israfili a.s, duke u ngritur nga varret e tyre nisen në drejtim të zërit që i ringjalli ata. Njerëzit duke filluar nga i pari deri tek i fundit do të mblidhen në këtë shesh të madh, i cili nuk do të ketë asnjë majë sepse çdo gjë do të bëhet shesh nga ky shkatërrim i madh që do të ndodhë.

Atë ditë njerëzit do të dalin para Providencës Hyjnore të zbathur, lakuriq dhe të pabërë synet, por përsëri nuk do ta shohin njëri tjetrin për shkak të frikës që i ka kapluar nga ajo gjëmë e madhe.

Profeti a.s në një hadith thotë: “Në atë ditë të tmerrshme njerëzit do të digjen prej diellit, të gjithë do të zhyten në djersë aq sa gjynahe kanë bërë, kush deri në kyçet e këmbës, kush deri te gjunjët, kush deri në bel, kush deri në kraharor, kush deri në fyt e kush deri te veshët.” (Muslim, Xhennet 62; Tirmidhî, Kijamet 2, 6).

Atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër veç hijes së Arshit të Allahut, disa persona do të shpërblehen nga ana  e Allahut, këta janë:

  1. Udhëheqësi i drejtë.
  2. I riu që është rritur duke adhuruar Allahun e Plotfuqishëm.
  3. Njeriu që zemrën e tij e ka lidhur me xhamitë
  4. Dy njerëz të cilët janë dashur për hir të Allahut, që janë takuar për këtë dhe janë ndarë për këtë.
  5. Ai burrë që është thirrur nga një grua e bukur dhe me pozitë (për të kryer marrëdhënie me të ), por thotë: “I frikësohem Allahut”.
  6. Personi që jep për bamirësi dhe e fsheh.
  1. Personi që e kujton Allahun në vetmi dhe sytë e tij lotojnë. (Buhari, Ezan 36; Müslim, Zekat 91)

Libri i veprave

Të gjithë njerëzve do tju jepet libri i veprave të tyre, duke i thënë: “Lexo librin tënd! Të mjafton ty sot si gjykues i vetes tënde.”

Personi i cili ka kryer vepra të mira në këtë botë, atij do t’i jepet libri nga ana e djathtë. Ai person që do të marrë librin nga ana e djathtë do të gëzohet shumë, sa do tja tregojë librin e tij të tjerëve duke i thënë; ‘Shiheni librin tim, merreni dhe lexojeni’, ky person e do e ketë llogaridhënien të lehtë, ku do të futet në xhenet.

Kurse një person i cili ka bërë vepra të këqija do t’i jepet libri nga ana e majtë do të thotë; “Mjerë unë çfarë libri qënka ky, nuk ka lënë gjë të vogël dhe as të madhe pa e shkruar. Ah sikur të mos më ishte dhënë libri dhe mos e dija kurrë llogarinë time. Ah sikur të kishte përfunduar çdo gjë bashkë me vdekjen!… (Haka, 99/18-27).

Llogaridhënia

Pastaj njerëzit do të dalin para Allahut për tu marrë në llogari për veprat e tyre. Atë ditë njerëzve do tju mbyllet goja, duke mos folur dot për çfarë kanë bërë, por atë ditë do të flasin dhe dëshmojnë duart, këmbët, veshët dhe sytë për çdo vepër që kanë kryer. Njeriu aty do të përballet me çdo vepër të vogël apo të madhe, që ka bërë në këtë jetë.

Profeti a.s thotë; “Allahu atë ditë do të flasë me çdo njeri pa asnjë ndërmjetës. Njeriu do të shohë në krahun e djathtë, pastaj do të shohë veprat e mira që ka bërë, do të shohë në krahun e majtë, duke parë veprat e këqija që ka bërë, pastaj do të shohë përballë, ku do të shohë vetëm xhehenemin.

Mizan (Peshorja e veprave)

Pasi të përfundojë llogaridhënia, veprat e njerëzve do të vendosen në peshore për tu matur. Allahu ka vendosur peshore të cilat janë shumë të sakta në peshimin e tyre, saqë nuk do t’i bëjnë askujt padrejtësi. Njeriu që do të ketë veprat e mira më të rënda do të shpërblehet me xhenet, kurse personi i cili i ka veprat e këqija më të rënda do të dënohet për to. Ndër veprat të cilat do të peshojnë më shumë në peshore është morali i mirë.

Ura e Siratit

Pasi të bëhet peshimi i veprave, njerëzit për të shkuar në xhenet ose në xhehenem duhet të kalojnë nëpërmjet urës së Siratit, e cila është e vendosur mbi xhehenem. Profeti a.s thotë se ura e Siratit është më e hollë se fija e flokut dhe më e mprehtë se tehi i shpatës. Njerëzit vepërmirë do ta kalojnë urën e Siratit në varësi të punëve të tyre, kush sa hap e mbyll sytë, kush si një vetëtimë, kush me shpejtësinë e erës, kush si një zog, kush me shpejtësinë e një kali apo të një deveje.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: