DISA RREGULLA RRETH AGJËRIMIT

Para se të fillojë muaji i Ramazanit, besimtari duhet të përgatitet sa më mirë që është e mundur. Kështu ndiqen gjurmët e të Dërguarit të Allahut, i cili para ardhjes së Ramazanit, krahas përgatitjeve të tjera, bënte edhe dua duke thënë:

اللهم بارك لنا في رجب و شعبان و بلّغنا رمضان

O Zoti im, na begato në Rexheb e Shaban dhe na mundëso ta arrijmë Ramazanin.” Nuk ka dyshim se agjërimi është adhurimi, i cili më së miri e reflekton sinqeritetin e besimtarit dhe besëdhënien e tij Krijuesit. Prandaj, duhet kushtuar kujdes edhe disa çështjeve të tjera, sepse ato vetëm sa i japin kuptim më domethënës.

Ngritja në syfyr dhe ngrënia e ushqimit

Syfyri është koha e ngrënies së ushqimit pas dy të tretave të natës e deri në kohën e imsakut. I Dërguari i Allahut ka këshilluar ngritjen në syfyr dhe ngrënien sado pak qoftë të ushqimit. Ai ka thënë se të ngriturit në syfyr ka begati, ndërkaq për ata që ngrihen në syfyr edhe melekët bëjnë dua. Ebu Seid el-Hudriu transmeton se Profeti a.s. ka thënë: “Në syfyr ka bereqet. Kurrsesi të mos rrini pa u ngritur në syfyr, qoftë edhe sa për të pirë një gllënjkë ujë, sepse Allahu xh.sh. dhe melekët bëjnë lutje për ata që ngrihen në syfyr.” (Transmeton Ahmed bin Hanbeli).

Koha e syfyrit është pikërisht ajo kohë kur njeriu më së shumti ka nevojë për të fjetur, kështu që nëse ai e braktis gjumin, ushqehet, përmend Allahun xh.sh., lexon Kur’an, përgatitet për ta falur namazin e sabahut, etj., për të gjitha këto Allahu i Gjithëmëshirshëm e shpërblen nga begatitë e Tij.

Vonimi i syfyrit dhe shpejtimi i iftarit

Është traditë e Profetit a.s. shtyrja e syfyrit mundësisht deri në përmbyllje të kohës së tij, pra deri në kohën e imsakut. Dobitë e kësaj shtyrjeje janë të shumta, por ne po i përmendim dy prej tyre:

  1. Mundëson, sadopak, shkurtimin e kohës ditore të agjërimit.
  2. E zvogëlon në minimum mundësinë e kapërcimit të namazit të sabahut.

Ja se ç’porosi  jep Profeti a.s.: “Ymeti im do të ketë mbarësi për sa kohë do ta shpejtojë iftarin dhe do ta shtyjë syfyrin.”(Transmeton Ebu Davudi).

Enes bin Maliku r.a. transmeton se si Profeti a.s. ka thënë: “Ngrihuni në syfyr se në ngritjen dhe ngrënien e syfyrit ka bereqet.” (Transmeton Buhariu).

Ngrënia e syfyrit të shtyhet deri vonë, natyrisht, brenda limiteve të caktuara, pa e tejkaluar kohën e imsakut. Prandaj, syfyri është mirë të shtyhet deri në kohën e imsakut, kurse 18-20 minuta më vonë mund të falet namazi i sabahut. Lidhur me këtë, Zejd bin Thabiti ka një rrëfim të tijin: “Ne hanim syfyr bashkë me Profetin a.s., e pastaj e falnim namazin e sabahut.” Enesi e kishte pyetur: “Sa kohë kishte kaluar mes syfyrit dhe namazit të sabahut? -Sa për t’i lexuar 50 ajete, – i ishte përgjigjur ai.”

Duke u bazuar në këtë rast, disa dijetarë kanë pohuar se ky interval kohor është i mjaftueshëm sa për të lexuar suren “El-Hakka” që ka 52 ajete, ose suren “El-Murselat” që ka 50 ajete.

Në anën tjetër, është synet që personi i cili agjëron të hajë iftar sapo të hyjë koha e akshamit. Profeti a.s. gjatë Ramazanit njëherë bënte iftar e pastaj falte namazin e akshamit. Madje, ai edhe thoshte: “Për sa kohë që njerëzit të vazhdojnë të nxitohen në iftar, do të kenë mbarësi.” Kështu, pra, iftari nuk duhet vonuar duke u marrë me angazhime të tjera, ndërsa darka është mirë të hahet pas faljes së namazit të akshamit.

Postime të ngashme