Disa dispozita rreth agjërimit

 

  • Për t’u liruar nga agjërimi, udhëtari duhet ta ketë vendosur para imsakut se do udhëtojë dhe niset në udhëtim. Kjo, sepse, nëse nuk vendos të udhëtojë para imsakut dhe niset të udhëtojë para ose pasdite, nuk i lejohet prishja e agjërimit. Ndërkaq, kur është fjala për të sëmurin, rregulli i mësipërm ndryshon, sepse i sëmuri edhe nëse ka filluar të agjërojë në agim, por më vonë e ka kapluar sëmundja, ai mund ta prishë dhe të mos agjërojë. Dallimi është i dukshëm, sepse udhëtari mund ta shtyjë udhëtimin e tij, ngase kjo gjë varet nga ai, kurse i sëmuri nuk mund ta evitojë sëmundjen e tij, sepse ajo i vjen edhe përkundër dëshirës së tij.
  • Nëse personi është duke i plotësuar (agjëruar kaza) ditët e paagjëruara të Ramazanit, është mekruh prishja e ndonjë dite për shkak të ndonjë gostie, kurse gjatë agjërimit vullnetar parapëlqehet të prishet, nëse është i sigurt se do ta plotësojë, në të kundërtën jo.
  • Nëse i mituri hyn në periudhën e pjekurisë moshore gjatë një dite të Ramazanit ose pabesimtari e pranon fenë islame, ata duhet ta plotësojnë atë ditë të Ramazanit, por jo edhe ditët e tjera të kaluara, sepse nuk kanë qenë të detyruar.
  • Nëse gruas i shfaqen të përmuajshmet gjatë ditës sa është agjërueshëm, në veçanti nëse i ndodh kjo në fillim të ditës, ajo duhet menjëherë ta prishë, sepse nuk bën të agjërojë për faktin se adhurimi nuk bëhet në gjendje të papastër. Nga ana tjetër, udhëtari që kthehet nga udhëtimi joagjërueshëm, ose femra që pastrohet nga të përmuajshmet e grave gjatë ditës, që të dy nuk duhet të hanë atë ditë deri në mbrëmje.

Postime të ngashme