Dilema, i pasur apo i varfër?
Grumbullimi i pasurisë dhe fitimi i shumtë në jetën e kësaj bote mund të jetë një çështje konfuze për shumë myslimanë. Nëse lexojmë jetën e Profetit (a.s) dhe të sahabëve, vihet re lehtësisht bollëku në të cilin shumica jonë gjendemi.
Por, në anën tjetër shohim edhe shumë sahabë me pasuri të jashtëzakonshme, me të cilën ndihmuan edhe myslimanët e tjerë. Prej tyre ishte Osman b. Affani dhe Abdurrahman b. Aufi (r.a).
Edhe në Kur’an e gjejmë këtë lloj balance, midis vetë pejgamberëve. Në një anë na rrëfehet historia e Profetit Ejub (a.s), që dergjej në shtrat dhe ishte i varfër dhe në anën tjetër na rrëfehet Profeti Sulejman (a.s), me një pasuri shumë të madhe.
Ajo që vlen të theksohet është se Allahu i lavdëron të dy këta pejgamberë në të njëjtën formë, duke i cilësuar prej njerëzve të lartë.
Dikush ishte pyetur: “A nuk zgjodhi Profeti (a.s) të ishte një profet shërbyes dhe jo profet mbret, kësisoj të jesh i varfër është sunnet?”
I dituri u përgjigj: “Profet shërbyes interpretohet me të qenët afër njerëzve. Ai kishte zgjedhur një rrugë më efektive për t’i thirrur njerëzit në fe dhe nuk nënkuptohet me përzgjedhjen e varfërisë.”
Njeriu mund të fitojë pasuri, për sa kohë ajo nuk ia ndryshon atij personalitetin dhe nuk i depërton në zemër. Përdorimi i saj në rrugën e Zotit bëhet shkak për lehtësimin e vështirësive të të tjerëve dhe fitimin e kënaqësisë së Zotit.