Devotshmëria gjendet në zemër

Një nga shokët e Profetit (a.s), Vasibe (r.a), tregon: “Një ditë ndodhesha në xhami dhe u nisa drejt Profetit (a.s), që ta pyes mbi të mirën dhe të ligën. Unë fillova të kapërcej rreshtat e njerëzve për t’u afruar tek Profeti (a.s) dhe disa më thoshin: “Largohu nga i Dërguari i Allahut, o Vasibe!”

Unë ua ktheja: “Më lini të qetë! Nuk ka njeri që zemra ime ta dojë më fort sesa atë.”

Kur Profeti (a.s) më pa, ma bëri me shenjë dhe më tha: “Afrohu, o Vasibe!” Unë u ula dhe gjunjët e mia prekën gjunjët e Profetit (a.s).

Ai (s.a.s) më tha: “O Vasibe! A të të tregoj se përse ke ardhur?!”

Unë iu përgjigja: “Po, o i Dërguar i Allahut.”

Më pas, Profeti (a.s) bashkoi tre gishtat dhe duke më prekur në kraharor drejt zemrës, më tha: “O Vasibe! E mira është ajo me të cilën ndihet e paqtë vetja dhe qetësohet zemra. Kurse e liga është gjithçka që të ngushton kraharorin dhe nuk e lë ndërgjegjen të qetë. O Vasibe! E mira gjendet këtu – në kraharor – sado mendime të ndryshme të të japin njerëzit.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: