• August 10, 2020

Dashuria e Profetit Muhamed (s.a.s.) për nënën

Siç dihet, Profeti (s.a.s.) e humbi nënën e tij, zonjën Emine kur ishte akoma një djalë i vogël gjashtë vjeç. Por, nëse ajo do të jetonte nuk është e vështirë të mendohet dashuria e sinqertë dhe respekti që do të tregonte Profeti (s.a.s) për të.

Ajetet kuranore dhe hadithet profetike rreth të drejtave të prindërve, urdhrat dhe këshillat që shprehin ato na tregojnë qartë sesi do të sillej Profeti (s.a.s.) me prindërit e tij nëse do të ishin gjallë.

Le të shohin se çfarë thotë Kurani rreth kësaj teme, pastaj të përmendim disa hadithe profetike. Allahu  i Lartë thotë në Kuranin Famëlartë:

-“Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit të afërt, ndaj fqinjit të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. Allahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet.”[1]

-“Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mirë ndaj) prindërve të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirin. (E porositëm) Të jetë mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të vetë, sepse vetëm tek Unë është kthimi juaj.”[2]

-“Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of “, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese). Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: ‘Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël’.”[3]

Ndërsa Profeti Muhamed (s.a.s.) është shprehur:

-Kënaqësia e Allahut gjendet në kënaqësinë e prindërve, ndërsa zemërimi i Allahut ndodhet në zemërimin e tyre.[4]

-Ndër gjynahet më të mëdha janë t’i shoqërosh shokë Allahut dhe kundërshtimi i prindërve.[5]

-Kur e pyesin Profetin (s.a.s.) se për cilin person duhet të kujdesemi më së shumti, Profeti i përgjigjet tre herë “nëna” dhe në katërtën “babai”.[6]

Pra, siç vihet re, në ajetet dhe hadithet e mësipërme tregohet rëndësia dhe vlera e respektimit të prindërve.

Tani do të përpiqemi të tregojmë një kujtim të Profetit (s.a.s.) nga nëna e Tij dhe sjelljen e Tij ndaj zonjave që ishin në pozicionin e nënës për Të:

Profeti (s.a.s.) gjatë umres së Hudejbijes, kur ishte rrugës për në Mekë vizitoi edhe Ebvan. Duke kërkuar leje nga Allahu (xh.sh), vizitoi varrin e nënës së Tij. Ai e rregulloi me dorën e Tij varrin dhe filloi të qante. Myslimanët që e panë Profetin duke qarë, filluan të qanin edhe ata. Kur e pyetën përse qan, Profeti (s.a.s.) iu përgjigj: “Kujtova dhembshurinë dhe  mëshirën e nënës për Mua dhe qava.”

Kur lindi profeti i nderuar (s.a.s.), atë e pati mëkuar për një javë robëresha e Ebu Lehebit, Suvejbe. Profeti (s.a.s.) gjatë gjithë jetës ishte sjellë mirë më këtë grua dhe i kishte bërë asaj vetëm mirësi. Kur Profeti emigroi në Medine, i dërgonte asaj vazhdimisht ushqime dhe i dërgonte përshëndetje me anë të atyre që vinin e iknin dhe pyeste për gjendjen e saj. Profeti e vazhdoi këtë kujdes për të derisa ajo ndërroi jetë.  Kur mësoi se ajo kishte vdekur, pyeti nëse ajo kishte ndonjë të afërm dhe mësoi se ajo nuk kishte asnjë të afërm.

Një herë mëndesha e Tij, zonja Halime erdhi në Meke dhe i tha Profetit (s.a.s.) që po kalonin një  thatësirë të madhe, dhe se kafshët e tyre kishin ngordhur nga thatësira. Profeti, i cili në atë kohë ndodhej në Meke dhe ishte i martuar me Hatixhen (r.a), i dhuroi Halimes 40 krerë dele dhe një deve për t’i hipur gjatë rrugës dhe për të transportuar ngarkesën.

Sërish, një ditë tjetër, mëndesha e Profetit, Halimja erdhi tek Profeti (s.a.s.). Profeti u ngrit menjëherë në këmbë, tregoi respekt duke e thirrur: “Nëna ime e dashur! Nëna ime e dashur!”, hoqi një rrobë të Tij dhe e shtroi që ajo të ulej. Një sjellje e tillë, në atë kohë cilësohej si shenjë dashurie dhe respekti.

Le të përmendim këtu edhe Umu Ejmen Bereken (r.a), e cila në librat e shemailit[7] përmendet si dadoja e Profetit. Profeti (s.a.s.) e donte dhe e respektonte shumë këtë zonjë që i pati shërbyer Atij. Ai e donte aq shumë atë, saqë herë herë i thoshte asaj: “Ti je si nënë e dytë për mua”. Duket i çuditshëm fakti që Profeti atë e quante si nënën e dytë. Duke pasur parasysh edhe statusin e saj shoqëror, e cila në ato kohë ishte një shërbëtore robëreshë, kuptohet më mirë vlera, respekti dhe dashuria që tregonte Profeti për të. Sepse, në periudhën e injorancës, skllevërit nuk kishin asnjë të drejtë njerëzore. Në një situatë të tillë, Profeti e lartësonte Umu Ejmenin në nivelin e nënës.

Kjo situatë, tregonte që me ardhjen e Profetit (s.a.s.) do të kishte një zhvillim të madh në fushën e të drejtave të grave.

Do të ishte e dobishme edhe përmendja e zonjës Fatma, bashkëshortes së Ebu Talibit. Kjo zonjë, që kur Profeti kishte ardhur në shtëpinë e tyre në moshën tetë vjeçare, e kishte trajtuar atë si fëmijët e vetë.

Profeti (s.a.s.) ashtu siç kishte vepruar me gratë e tjera që i kishin shërbyer kur ishte i vogël, ashtu ishte sjellë edhe me zonjën Fatma. Ai e kishte respektuar atë gjatë gjithë jetës dhe nuk ishte sjellë asnjëherë keq me të. Kur Fatma ndërroi jetë, Profeti (s.a.s.) që shprehur: “Më vdiq nëna”, këmishën e Tij e kishte dhënë si qefin për të dhe e kishte futur me duart e tij në varr.

Kur e pyesin për arsyen e këtij interesimi kaq të madh për të, Ai (s.a.s.) thotë:

-Nuk ka askush tjetër që të më ketë bërë mirë mua më shumë se kjo grua përveç Ebu Talibit. Këmishën ia dhashë asaj si qefin që ajo të veshi nga rrobat e xhenetit në parajsë. E futa vetë në varr, që ajo të ndjehet rehat dhe të mësohet më të.

Atyre që ishin të habitur nga mërzia e Profetit (s.a.s.) për vdekjen e Fatmas, Ai u pati thënë:

-Ajo ishte nëna ime! Kur fëmijët e saj ishin të uritur, ajo në fillim më ushqente mua, më rregullonte flokët, ajo ishte nëna ime![8]

Pas këtyre fakteve historike, mund të themi pa asnjë mëdyshje se dashuria e Profetit (s.a.s.) për nënën ishte shumë e madhe.

Kështu që, myslimanët, si në çdo aspekt, ashtu edhe në dashurinë për nënën shembullin më të mirë e shohin tek Profeti Muhamed (s.a.s.). Për rrjedhojë, të gjithë myslimanët duke marrë shembull nga Profeti ynë i dashur, duhet t’i duan dhe respektojnë nënat dhe ato që janë statusin e nënës për ta.

Për rrjedhojë, nëse e kemi në jetë nënën duhet të tregojnë vazhdimisht dashuri dhe respekt për të, duhet të jemi në çdo kohë në shërbim të saj. Nëse ka ndërruar jetë, duhet ta përmendim me mëshirë, duhet t’i ndajmë me fëmijët kujtimet që kemi më atë, të lutemi për atë dhe të kryejmë vepra që atë do ta qetësonin në botën tjetër.

[1] Surja Nisa, 36.

[2] Lukman, 14.

[3] Surja Isra, 23-24.

[4] Tirmidhi, Birr ve Sila, 3.

[5] Tirmidhi, Birr ve Sila, 4.

[6] Buhari, Edeb, 2.

[7] Disiplina që analizon aspektin njerëzor të Profetit tonë.

[8] Shikoni shembujt rreth dashurisë së Profetit (s.a.s.) për nënën Ibn Sa’d, Tabakâtu’l-Kubrâ, I, 109-117; Ibnu’l-Esîr, el-Kâmil, I, 459; Ahmed b. Ebî Ya’kub b.Xha’ferr, Tarîhu’l-Ja’kubî, II, 14; Mevlânâ Abdulbâkî, Meâlimu’l-Jakîn , fq. 25.

Postime të mëparshëm

Koha, dëshmitarja e punëve tona

Postime të rradhës

Besim dhe shpresë