Çfarë Tejemumi, si veprohet?

Tejemum do të thotë “synim”. Tejemumi ka si qëllim zëvendësimin e abdesit ose të pastrimit të plotë trupor (guslit), kur nuk gjendet ujë ose kur është i pamundur përdorimi i tij. Në lidhje me tejemumin në Kur’an thuhet:

وَ إِن كُنتُم مَّرْضَى أَوْ عَلَى سَفَرٍ أَوْ جَاءَ أَحَدٌ مِّنكُم مِّنَ الْغَائِطِ أَوْ لامَسْتُمُ النِّسَاء فَلَمْ تَجِدُواْ مَاء فَتَيَمَّمُواْ صَعِيدًا طَيِّبًا فَامْسَحُواْ بِوُجُوهِكُمْ وَ أَيْدِيكُم مِّنْهُ

E, në qoftë se jeni të sëmurë (që mund t’ju dëmtojë uji) ose gjendeni në udhëtim, ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, ose nëse keni pasur marrëdhënie me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë gjeni dhé të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të… (Maide, 5/6)

Tejemumi bëhet sipas rregullave gjegjëse. Në fillim bëhet nijeti se për çfarë merret tejemumi dhe fillohet me emrin e Allahut. Pasi vendosen duart mbi dhè të pastër ose sendeve prej dheu, si gurët, rëra, tjegulla etj., shkunden duart për të hedhur poshtë trupa të fortë, që mund ta dëmtojnë fytyrën, duke i përplasur me njëra-tjetrën, pastaj me ato duar fërkohet fytyra dhe parakrahët deri në bërryla nga një herë. Në fillim të djathtën pastaj të majtën.

Tejemumi është farz në kushte të caktuara. Këtë e vërtetojnë Kur’ani dhe Syneti i Profetit a.s.

Shkaqet e tejemumit

Tejemumi lejohet ose është i domosdoshëm të merret në disa kushte të caktuara, të cilat janë:

1 – Kur nuk gjendet ujë i mjaftueshëm, ose nuk mund të arrihet për të marrë abdes.

2 – Kur për shkak sëmundjeje apo gjymtimi nuk mund të shkohet deri tek uji, edhe pse vendi ku ndodhet është afër.

3 – Kur rrezikon të humbasë namazi i xhenazes ose i Bajramit, nëse shkohet për të marrë abdes me ujë.

4 – Kur marrja e abdesit ose guslit me ujë dëmton shëndetin.

5 – Kur sasia e ujit që ka personi është aq e paktë, sa përdorimi i tij do ta linte personin pa ujë për të pirë.

6 – Kur personi që do të marrë abdes, në përdorimin e ujit ka nevojë për ndihmën e dikujt tjetër dhe nuk e gjen.

Situatat që e prishin tejemumin

1 – Gjërat që e prishin abdesin e prishin dhe e bëjnë të pavlefshëm edhe tejemumin.

2 – Kur merr fund shkaku për të cilin u justifikua marrja e tejemumit.

3 – Në qoftë se gjendet ujë në kohë dhe personi që ka marrë tejemum është duke u falur, namazi i tij prishet, për shkak se tejemumi tashmë është i pavlefshëm. Ai duhet të marrë abdes e të falet nga fillimi, por, nëse uji gjendet pasi namazi ka përfunduar, ai namaz nuk ka nevojë të përsëritet.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: