Çfarë është adhurimi?

Allahu xh.sh. thotë:

أَلَمْ تَرَ أَنَّ اللَّهَ يُسَبِّحُ لَهُ مَنْ فِي السَّمَاوَاتِ وَ الْأَرْضِ وَ الطَّيْرُ صَافَّاتٍ

كُلٌّ قَدْ عَلِمَ صَلاَتَهُ وَ تَسْبِيحَهُ وَ اللَّهُ عَلِيمٌ بِمَا يَفْعَلُونَ

A nuk e di për Allahun se Atij i lutet kush është në qiej e në tokë, madje edhe shpezët krahhapura. Të gjithë e dinë dhe janë të udhëzuar në lutje ndaj Tij dhe për madhërimin e Tij. Allahu e di se ç’punojnë ata.” (Nur, 41)

Në terminologjinë fetare adhurimi-ibadeti është përulja dhe bindja me vetëdije ndaj Allahut xh.sh. si dhe veprimi e sjellja me objektiv kënaqësinë e Allahut duke synuar që Allahu të jetë i kënaqur prej tij. Kjo veprimtari dhe sjellje përfshin dëshminë e besimit, ritet fetare, aktivitetin kontribuues në çdo nivel dhe çdo përpjekje të brendshme apo të jashtme (të mendimit apo të veprimit) që ka si synim kënaqësinë e Allahut.

Kur’ani e përmend adhurimin si arsye të krijimit të njerëzve dhe të xhindeve: “Unë nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijat :56)

Ndërkaq, nga njëra anë adhurim është të përmendësh shpesh dëshminë “La ilahe il’lAllah, Muhamedun resulull-llah”, të falësh namaz, të agjërosh, të shkosh në Haxh etj. Nga ana tjetër, edhe punët e tjera, si leximi, mësimi, sigurimi i drejtësisë etj. janë adhurim. Njeriu që punon që të ushqejë familjen me fitim hallall, njerëzit që shkojnë mirë me njëri-tjetrin, gjithashtu, kryejnë një lloj adhurimi.

Sikurse është adhurim që njeriu të falënderojë me rite, përmendje të Zotit dhe falënderime për të gjitha mirësitë që përfiton, si shëndeti, mirëqenia dhe kënaqësitë e kësaj bote, gjithashtu, megjithëse nuk kërkohet, atij i hapet një derë e madhe adhurimi kur goditet nga fatkeqësi ose sëmundje, sepse njeriu i kupton dobësinë, nevojën dhe paaftësinë e tij, dhe duke u kthyer nga Krijuesi Mëshirëplotë, kërkon strehim tek Ai, i lutet Atij dhe kryen kështu një adhurim të pastër ku nuk futet hipokrizia.

Përulja përpara Allahut xh.sh. është heqje dorë prej përuljes përpara gjithçkaje të krijuar, është kusht për ta ruajtur veten të papërlyer prej mëkatit, për të qenë njeri fisnik, i lumtur dhe në harmoni shpirtërore me veten e me të tjerët. Për këtë qëllim u krijua njeriu dhe ky është detyrimi i tij më i madh që ka në jetë. T’i përulesh Allahut xh.sh. dhe t’i plotësosh të gjitha porositë e tij është e domosdoshme, sepse njeriu e ka të palarë borxhin që ia ka Atij. Pra, është një mënyrë e shprehjes së mirënjohjes ndaj Zotit, që e lartësoi njeriun mbi shumë krijesa të tjera dhe tërë kohën i dhuron atij të mira. Se Mëshira dhe Mëshirëbërja e Zotit nuk kanë fund, Urtësia e Tij është e pashoqe, kurse vetitë që e karakterizojnë Atë janë aq të përsosura, aq sa Ai, me të vërtetë, e meriton përuljen dhe dashurinë e qenieve të gjalla.

Forma dhe mënyra e disa adhurimeve janë të përcaktuara me ajete Kur’anore dhe hadithe pejgamberike, ndërsa disa të tjera janë shpjeguar në përgjithësi si vepra të mira. Ato kryhen ashtu siç është urdhëruar dhe quhen teabudi (çështje adhurimore), si p.sh. mënyra e faljes së namazit, numri i rekateve etj. Me gjithë urtësitë dhe sekretin që mbart forma dhe mënyra e kryerjes së adhurimeve specifike, thelbi i çdo adhurimi është sinqeriteti dhe që me adhurim të synohet devotshmëria ndaj Krijuesit, sikurse përmendet në ajetin:

لَّيْسَ الْبِرَّ أَن تُوَلُّواْ وُجُوهَكُمْ قِبَلَ الْمَشْرِقِ وَ الْمَغْرِبِ وَ لَكِنَّ الْبِرَّ مَنْ آمَنَ بِاللَّهِ وَ الْيَوْمِ الآخِرِ وَ الْمَلائِكَةِ وَ الْكِتَابِ وَ النَّبِيِّينَ وَ آتَى الْمَالَ عَلَى حُبِّهِ ذَوِي الْقُرْبَى وَ الْيَتَامَى وَ الْمَسَاكِينَ وَ ابْنَ السَّبِيلِ وَ السَّائِلِينَ وَ فِي الرِّقَابِ وَ أَقَامَ الصَّلاةَ وَ آتَى الزَّكَاةَ وَ الْمُوفُونَ بِعَهْدِهِمْ إِذَا عَاهَدُواْ وَ الصَّابِرِينَ فِي الْبَأْسَاء وَ الضَّرَّاء وَ حِينَ الْبَأْسِ أُوْلَئِكَ الَّذِينَ صَدَقُوا وَ أُولَئِكَ هُمُ الْمُتَّقُونَ

Nuk është tërë e mira (e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, ditës së gjykimit, melekëve, Librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do, ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zekatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit. (Bekare:177)

Ne e adhurojmë Allahun xh.sh. sepse e duam. Me anë të adhurimeve, i shprehim Atij besimin, dashurinë, respektin që ndiejmë për Të dhe për të përmbushur detyrën tonë si robër të Tij. Adhurimi i jep njeriut ndjenjën e sigurisë dhe e bën të ndihet mirë dhe në paqe.

Duhet theksuar se Allahu nuk ka nevojë për adhurimin e njeriut. Dobi nga kryerja e rregullt dhe e pastër e adhurimit ka vetë njeriu,  kurse, në qoftë se njeriu nuk e plotëson detyrën që ka, atëherë ai e dëmton veten e tij e nuk i bën asnjë dëm Allahut xh.sh. Allahu xh.sh. e krijoi botën jo se kishte nevojë për melekët apo për njerëzit, nuk e krijoi as sepse e rëndonte vetmia. Ai vetëm se i fali mëshirë gjithçkaje që krijoi dhe që sot ekziston. Janë mëshira dhe dashuria e Tij ato që e shtyjnë t’u tregojë rrugën e drejtë krijesave të Tij, të cilat e kanë për detyrë që të synojnë në jetë drejtësinë dhe ta ruajnë me përkushtim rendin e krijuar nga Allahu xh. sh. në mbarë gjithësinë.

Ne e adhurojmë Allahun xh.sh., sepse Ai është Krijuesi i gjithçkaje dhe e meriton adhurimin më të sinqertë. E adhurojmë si falënderim për gjithë ç’na ka dhënë, madje shpërblimi me Xhenet nuk është fryt i adhurimeve tona, por është Mëshira dhe Mirësia e pafundme e Allahut, që i porosit njerëzit për bamirësi.

Kështu mund të themi se nëse adhuruesit do t’i kategorizonim në tri grada, në gradën e tretë gjenden ata që e adhurojnë Allahun xh.sh. për shkak të frikës ndaj Xhehenemit dhe dëshirës për Xhenet, në të dytën gjenden ata që e adhurojnë Allahun për shkak se Ai ka urdhëruar dhe në gradën më të lartë gjenden personat, të cilët i bëjnë Adhurim Allahut vetëm sepse Ai kështu dëshiron dhe se ky është pëlqimi i Tij. Kjo nuk do të thotë që besimtari nuk do kërkojë prej të Madhit Zot që ta ruajë nga dënimi në Xhehenem dhe ta vendosë në Xhenet, por është shprehja e gjendjes shpirtërore deri ku personi mund të arrijë me anë të adhurimit.

Adhurimi është një formë falënderimi ndaj mirësive të Allahut. Mes gjithë mirësive të Zotit, jeta është pa dyshim, mirësia më e madhe. Për sa kohë të jetë gjallë, njeriu duhet të bëjë adhurim si përgjigje ndaj kësaj mirësie. Në Kur’an thuhet: Adhuroje Zotin tënd gjersa të të vijë vdekja. (Hixhr :99)

Adhurimet tona si myslimanë mund t’i ndajmë në tri grupe:

Adhurimet trupore: janë adhurimet e bëra me trup, si namazi dhe agjërimi.

Adhurimet pasurore: janë adhurimet e bëra me para dhe sende pasurie, si zekati, sadakaja, kurbani etj.

Adhurime trupore dhe pasurore: janë adhurimet e bëra edhe me trup edhe me pasuri, si Haxhi, Umreja etj.

Pavarësisht kësaj ndarjeje, në përgjithësi adhurimet janë të ndërfutura te njëra-tjetra. Për shembull, zekati mund të cilësohet si një adhurim pasuror, por derisa njeriu të vijë në gjendje të japë zekatin ai iu hyn edhe shumë përpjekjeve trupore.

Kuptimi i adhurimit është që robi t’i shikojë e t’i ndiejë gabimet, nevojat, pafuqinë e varfërinë e tij dhe t’i përulet me dashuri të pastër e me mahnitje e vlerësim përpara plotësisë, mëshirës dhe fuqisë së Tij.

Më poshtë do t’i rendisim përkufizimet e terminologjisë islame të përdorur që do të na duhet për të kuptuar si duhet adhurimet-ibadetet, si dhe përgatitjen që duhet për disa adhurime. Më tej do të shpjegohen me radhë adhurimet kryesore, të cilat janë shtylla të fesë islame: namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: