Burimi i vërtetë i zbrazëtisë te fëmijët

Burimi i vërtetë i zbrazëtisë te fëmijët

Në një rrëfenjë tregohet: fëmija i njërit prej njerëzve të lartë të Allahut, duke dashur të bëjë shaka, u shponte mbajtëset e ujit njerëzve që mbartnin ujë prej një burimi shumë të largët. Në fillim, për hatër të atij njeriu të nderuar, askush nuk bëri zë për këtë punë. Mirëpo me kalimin e kohës gjendja nisi të bëhej e padurueshme. Kështu që një a dy vetë shkojnë e ia rrëfejnë çështjen atij njeriu të nderuar. I nderuari nisi menjëherë të bënte një llogari me egon e vet, duke e vrarë mendjen se cili do të ketë qenë gabimi që ai vetë kishte bërë e që kishte sjellë në këtë përfundim. “Vallë ç’të kem shpuar e ç’të kem prishur unë, që im bir ta ketë trashëguar prej meje?” – tha me vete dhe nisi të rishikojë të shkuarën e vet. Duke qenë se të dashurit e Allahut i marrin si mëkate edhe të këqijat që u shkojnë në mend nëpër ëndërrime, do të ketë gjetur ndoshta plot të meta te vetja. Mirëpo në fushën e realitetit nuk i kujtohet asnjë mangësi e kësaj natyre. Atëherë shkoi tek e shoqja për t’ia shpjeguar edhe asaj çështjen duke e këshilluar kështu: “Djali ynë prej shumë kohësh bëkërka diçka të tillë, po njerëzia, për shkak të mirësjelljes e të edukatës së mirë të tyre, nuk na paskëshin thënë kurrgjë. Tani, ne duhet t’ia presim rrugën kësaj sjelljeje të papëlqyeshme. Mendohu një herë edhe ti, dhe rishikoji të gjitha ngjarjet e jetës tënde.” Kaq duhej, dhe gruaja nis të mendojë dhe më pas thotë: “Zotëri! Për Zotin, unë nuk ia gjeta vetes një mangësi të tillë, por kur isha shtatzënë, pata shkuar në shtëpinë e dikujt. Po thurja dhe kisha grepin në dorë. Pashë një thelë portokalli. Me majën e grepit e preka pak dhe e futa në gojë.” Kur e dëgjoi këtë, i nderuari i tha të shoqes që të shkojë menjëherë te fqinji, t’i kërkojë falje për të drejtën që i ka shkelur dhe të ulet e të shprehë pendesë te Zoti.

Nuk kalon shumë, dhe fëmija, teksa shponte mbajtëset e ujit, papritmas tha me vete: “Unë jam i biri i filanit, që e njohin dhe e nderojnë të gjithë. A më shkon për shtat mua, si biri i një njeriu të tillë, të bëj lojëra të tilla të pahijshme? Falmë, o Zot!” Dhe rendi për tek i ati duke i thënë: “Baba! Unë deri tani kam bërë një gabim të tillë.” Kush e di, ndoshta në atë çast i ati, do t’i jetë përgjigjur: “O bir! Atë gabim nuk e bëre ti, por e bëmë ne me kohë.”

Kështu pra, prindërit duhet t’i ndjekin nga afër fëmijët e tyre dhe të mos u japin rastin që ata të shkaktojnë prishjen e ndonjë gjëje. Sepse një mangësi e juaja, në mos te ju, del te fëmija, dhe sërish do të jeni ju ata që do ta vuani prej dhembshurisë prindërore për fëmijën. Faqe Allahut, ju do të turpëroheni e do të ulni kokën kundrejt kësaj gjendjeje të fëmijëve tuaj ju do ta përjetoni hidhërimin dhe vuajtjen. Gjithsesi kjo është një rrëfenjë. Mirëpo në lidhje me rrëfenjat unë i varfri kam një mendim. Them se në rastin e rrëfenjave, nuk duhet parë vërtetësia e thelbit të tyre, por përmbajtja që ato bartin.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: