Bujaria dhe gjerësia e shpirtit

Bujar është ai njeri që e ka dorën të lëshuar në dhurata, që ndihmon e dhuron me zemër të hapur. Bujaria është sjellja a zakoni i të dhuruarit me zemërgjerësi, i të ndihmuarit të të tjerëve pa ngurrim. Bujaria është një rregull i lartë i moralit, sipas të cilit njeriu, me mundësitë që ka, pa synuar tjetër shpërblim përveç kënaqësisë së Allahut, u dhuron në pastërti e mirësi të plotë atyre që kanë nevojë, brenda përmasave të së ligjshmes.

Pa dyshim, ndër treguesit më të fuqishëm të imanit është edhe vënia e pasurisë dhe e të mirave vetjake në shërbim të të tjerëve. Kësaj, në shprehjen më të përdorshme, i themi bujari (xhud, seha). Një veli e ka quajtur bujarinë profesion të profetëve dhe të evlijave. Bujaria është shprehje themelore e të qenit i sigurt në fuqinë, mëshirën dhe mirësinë e Allahut. Zemrat që nuk janë të përlyera prej lakmive, prej babëzive e prej mungesës së dhembshurisë, e pasqyrojnë kthjelltësinë dhe pastërtinë e tyre në formën e bujarisë.

Njeriu që beson se mallrat dhe ngjarjet janë veçse një shprehje e emrave dhe e cilësive të të Lartit Krijues, e dinë se njëri prej atyre emrave është edhe Rezzak (Ai që u dhuron rizkun të gjitha krijesave) dhe besojnë se përmes këtij emri, Allahu ka premtuar t’i ushqejë të gjitha krijesat: “Të ushqyerit e të gjitha gjallesave në faqe të dheut i përket Allahut. Edhe vendet ku ato do të banojnë dhe vendet e banesës së tyre të fundit Ai i di.” (Hud, 6) Një zemër që e beson këtë, nuk sheh kurrfarë rreziku në të dhuruarit pa masë të gjithçkaje që ka në dorë; përkundrazi, me këtë sjellje ndien lumturi e mirëqenie.

“Kush ruhet prej zemërngushtësisë e koprracisë, pikërisht të tillët janë ata që kanë mbërritur shpëtimin.” (Hashr, 10) Për të mposhtur lakminë, duhet të jesh bujar, qoftë duke dhuruar shumë, qoftë pak, qoftë kur je i pasur, qoftë i varfër. Ai që nuk jep në varfëri, kur pasurohet sërish nuk jep. Duhet dhuruar pavarësisht sasisë. Sasia është çështje lëndore, ndërsa ajo çka kërkohet është arritja e dëshirës dhe e forcës për të dhuruar. Të dhënit është çështje e nijetit.

Bujaria është mjeshtëri e shpirtit. Ajo i shtyn njerëzit që t’u dhurojnë atyre në nevojë, i nxit që të zhvillojnë mirësinë, ihsanin. Njeriu që e zotëron këtë mjeshtëri, ndihmon gjithkënd me gjithçka të dobishme në fushat personale e shoqërore. Që të gëzosh ihsanin e të bësh mirësi pa qenë i detyruar nga kurrkush, kërkon shpirt e zemër. Ata që veprojnë me mendimin se “Ai që jep rizkun është Allahu” (Neml, 64; Dharijat, 58), i kanë zemrat të pastra e të pasura. (Lejl, 17-20). Ata mundohen që, me qenien e vet, në gjithfarë mënyrash, të jenë të dobishëm për të tjerët. Ata besojnë se Allahu i Madhëruar u ka dhuruar prej mirësisë e begatisë së vet dhe se në këtë që u është dhuruar njerëzit në nevojë kanë pjesën që u takon (Hud, 6). Bujarinë e konsiderojnë si bazën e të drejtës së robit. Të drejtat e tyre ua falin të tjerëve. Pa menduar për nevojat e veta, mundohen t’u përmbushin nevojat të tjerëve. Madje edhe diçka që e kanë nevojë të domosdoshme për vete, zgjedhin t’ia dhurojnë tjetërkujt.

Në mënyrë që të fitohet virtyti i bujarisë, duhet që ndihma të ofrohet vullnetarisht (Hashr, 5; Hadid, 11-18; Maide, 13), që kundrejt ndihmës të mos priten shërbime, lëvdata e shpërblime, (Insan, 8-l0), që të shmangen sjelljet që mund ta turpërojnë e ta vënë në pozitë të vështirë atë që përfiton nga ndihma (Bekare, 263-264) dhe që ajo çka dhurohet të ketë një vlerë të lartë për vetë dhuruesin (Ali Imran, 92).

Sipas kushteve nën të cilat mund të renditet, dijetarët e Islamit e ndajnë bujarinë në këto shkallë:

Sehavet: bujaria që ushtrohet duke ndarë një pjesë të mallit. Kjo pranohet si shkalla më e ulët e bujarisë. E tillë është dhënia e zekatit.

Xhud: bujaria që ushtrohet duke shpërndarë pjesën më të madhe të mallit në zotërim dhe duke mbajtur për vete vetëm pakicën e tij. Kjo është si ndihma që Ebu Bekri ofronte në shumicën e rasteve për nevoja të luftës.

Ithar: bujaria e ushtruar me diçka që njeriu e ka të nevojshme për vete, por që duke iu nënshtruar humbjes dhe vështirësive, në vend që ta përdorë vetë, e dhuron në dobi të të tjerëve. Shembulli i kësaj bujarie nga Epoka e Lumturisë ishin myslimanët e Medinës (ensarët), që i ftuan muhaxhirët nga Meka në qytetin e tyre dhe duke ndarë me ta gjithçka që kishin, fituan vlerësimin e Allahut (Hashr, 5). Një tjetër shembull është edhe ai i Ebu Bekrit, që gjatë Hixhretit, kur ndodheshin në shpellë, vuri jetën e vet në rrezik, i gatshëm për t’u flijuar për Profetin tonë, që e donte aq shumë (Tevbe, 40).

Në Kuranin Fisnik, bujaria vendoset në të njëjtin nivel me xhihadin. Kurani nxit që prej rizkut që Allahu u ka dhuruar njerëzve, këta t’u mundësojnë edhe robërve të tjerë që të përfitojnë (Bekare, 254). Na bëhet e ditur se bujaria, në Ditën e Kiametit, do të bëhet shkak që njeriu të shpëtojë prej çdo vështirësie e shqetësimi. (Bekare, 222). Në disa ajete, bujaria krahasohet me tregtinë. Ajo vendoset në simbolikën e një borxhi që i jepet Allahut të Lartësuar (Bekare, 244; Maide, 13; Hadid, 11).

Zemrat, në sajë të bujarisë, pastrohen (Lejl, 17-20), sepse pas kufrit dhe nifakut, një ndër shkaqet që e njollosin më së shumti zemrën është dashuria e tepruar për pasurinë dhe dëshira për t’u lidhur me tepri pas mallit e pronës. Kështu, në Kuranin Fisnik urdhërohet e thuhet: “Dhe pasurinë e doni me tepri.” (Fexhr, 20) Pikërisht prej kësaj dashurie të tepruar, njeriu mendon me frikë: “Nëse e dhuroj këtë mall, mua nuk më mbetet asgjë.” Dhe menjëherë Shejtani kalon në veprim: “Shejtani ju tremb me varfërinë, ju urdhëron koprracinë.” (Bekare, 268) Kurse Allahu i Lartësuar na ka bërë të ditur se “malli dhe pasuria për njeriun janë veç një sprovë” (Zumer, 49-52) dhe rruga për ta kapërcyer me sukses këtë sprovë është bujaria (Tegabun, 15-17).

Në krye të arsyeve për të cilat njerëzit i shmangen bujarisë është ndjesia: “Përse t’ua jap të tjerëve një pasuri që e kam timen?” dhe mendimi që pason prej saj: “Nëse u dhuroj të tjerëve, pasuria ime pakësohet dhe në kohë nevoje mbetem në vështirësi.” Feja Islame i ka çrrënjosur të tilla ndjesi e mendime. Sipas Islamit, malli e pasuria nuk janë monopol i asnjë individi. Malli dhe pasuria janë vetëm të Allahut të Lartësuar. Pronari i vetëm i gjithçkaje është vetëm Ai (Ali Imran, 179; Hadid, 10). Në Kuranin Fisnik, kjo është theksuar në më shumë se njëzet ajete. Dhe duke qenë se pasuria i përket Allahut të Lartësuar, shpenzimi i saj në rrugën e të Zotit, vlerësohet prej besimtarit si dukuria më e natyrshme. Ndjenja e bujarisë te besimtari buron pikërisht prej këtij mendimi. Profeti ynë i dashur (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Njeriu bujar është pranë Allahut, pranë Xhenetit, pranë njerëzve dhe larg zjarrit. Njeriu koprrac është larg Allahut, larg Xhenetit dhe pranë zjarrit të Xhehenemit. Xhahili bujar është më i dashur për Allahun sesa koprraci që bën ibadet.”[1] “Ndër njerëzit që janë për t’u pasur zili është bujari.”[2] Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) u këshillon njerëzve që gjatë kohës që jetojnë në këtë botë të jenë zemërgjerë e bujarë dhe të mos e lënë këtë punë për kohën pasi të ndahen nga kjo jetë: “Sadakaja më e mirë është sadakaja që njeriu e dhuron vetë. Sadakaja që, duke qenë gjallë, teksa malli është në duart tuaja, ia jepni në masën që dëshironi njeriut që dëshironi. Përndryshe, kur shpirti mbërrin në grykë, mbeteni vonë. Ata që vijnë pas jush bëjnë ç’të duan me të.”[3]

Abdullah bin Abbasi tregon kështu për bujarinë e Profetit tonë: “I Dërguari i Allahut ishte më bujari dhe më dashamirësi i njerëzve. Gjatë Ramazanit, në kohët kur gjendej së bashku me Xhebrailin, ai dhuronte gjithçka.” Xhebraili vinte pranë të Dërguarit të Allahut çdo natë Ramazani dhe i mësonte atij Kuranin. Xhebraili thoshte kështu: “I Dërguari i Allahut është më bujar sesa erërat që sjellin bereqetin.”[4]

Prej Hz. Aliut na bëhet e ditur kështu: “Kur të Dërguarit të Allahut i kërkohej diçka, nëse ai dëshironte t’ia plotësonte kërkuesit këtë dëshirë, thoshte: “Mirë.” Dhe kur nuk dëshironte, heshtte. Për asgjë nuk thoshte “jo”.”[5]

Për të mos u penduar më vonë, myslimani, duke u sjellë me bujari, mallin e gjënë që Allahu ia ka dhuruar duhet ta shpenzojë në të gjallë të vet, për kënaqësinë e Zotit, në një mënyrë të përshtatshme. Zoti i Madhëruar urdhëron e thotë: “Përpara se ndonjërit prej jush t’i afrojë vdekja dhe të thotë: ‘O Zoti im, sikur të më jepje edhe pak kohë që të jepja sadaka e të bëhesha prej të mirëve”, shpenzoni (në rrugë të Allahut) prej sendeve që ju kemi dhuruar.” (Munafikun, 10).

Kur bëjmë fjalë për bujarinë, duhet të tregojmë kujdes për pikat e mëposhtme, që mbartin një rëndësi përmbledhëse:

  • Bujaria duhet të ushtrohet me sende që pëlqehen e që kanë vlerë.
  • Ajo që jepet nuk duhet t’i përmendet tjetrit.
  • Bujaria e pranuar është ajo që bëhet në kushte nevoje.
  • Të dhënit nuk pakëson, por shton.

 

[1] Tirmidhi, Birr, 40.

[2] Buhari, Temenna, 5; Tevhid, 45

[3] Buhari, Vesaja, 14.

[4] Muslim, Fedail, 12.

[5] J. Kandehlevî, Hajâtu’s-Sahâbe, III, 1181

Postime të ngashme

%d bloggers like this: