Besimtarët, heronjtë e pa çmim

Nga Ali Zaimi

Që nga dita që njohëm të vërtetën e besimit, ne nuk kemi reshtur së kërkuari shembuj,  që të na orjentojnë të jetojmë sipas besimit. Në Kuran dhe traditën profetike, në kontekste dhe për arsye të ndryshme, flitet për cilësi që duhen të mbartin besimtarët. Natyrisht që termi besimtar është mjaft i gjerë, por në përfytyrimin tonë të menjëhershëm, pas kësaj fjale, na shfaqen përfaqësuesit më të denjë e më të devotshëm që e meritojnë këtë etiketim. Diku ata na paraqiten si “besimtarët e vërtetë”, diku si “të devotshmit”, diku si “robtë e vërtetë të të Gjithmëshirshmit”, diku si simbole të sigurisë, përkrahjes, dashurisë, sakrificës, durimit e falënderimit. E ndërsa theksojmë cilësitë e besimtarëve ne kemi parasysh të gjitha këto cilësi që duhet të mbartin besimtarët e vërtetë, dhe që në periudha të ndryshme të historisë njerëzore, me në krye profetët, i kanë mbartur një sërë njerëzish të bekuar, e do të vazhdojnë të mbarten nga më fatlumët e çdo kohe, deri në ditën e fundit.

Besimtarët e vërtetë janë shpirtra të dedikuar Zotit, që kridhen në thellësitë e njohjes e që lundrojnë në ujërat e dashurisë. Tipari më i veçantë i tyre është që nuk presin asgjë materiale apo shpirtërore si kundërshpërblim.  Ata janë altruistë, aq sa të kërkojnë lumturinë e të tjerëve para vetes së tyre. Të lidhur fort me realitetin hyjnor, të ndërgjegjshëm në përmbushjen e detyrimeve ndaj Allahut, me urtësi e dëlirësi ata përpiqen marrëzisht që ti ndriçojnë dhe ndihmojnë njerëzit që të gjejnë Zotin e ti shpëtojnë nga humbëtira e errët e ateizmit, injorancës, mëkatit dhe anarkisë. Ndërsa e kryejnë këtë detyrë me një entuziazëm që lexohet në gjithë qenien e tyre, ata ngazëllehen kur mundin ti prezantojnë qoftë edhe një njeriu të vetëm, Zotin e tyre të dashur. Në këtë mënyrë besimi që kanë në zemër i gatuan ata me dashurinë për Allahun dhe njerëzit. Si njerëz ata kuptojnë se detyra e tyre në këtë botë është të njohin Allahun, ndërsa detyra e tyre, si besimtarë tashmë, është t’ua bëjnë të njohur njerëzve Atë. Ata janë të përgjegjshëm, të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm se janë ftuar në një udhëtim për t’u përsosur duke nxënë e mësuar…

Në suren Muminune, Allahu jep sihariqin se besimtarët janë të shpëtuar. Janë ata të fituarit e përjetshëm. Por treguesit e këtij besimi janë veprat e tyre me në krye përkushtimin në namaz që ata e konsiderojnë si vëllain binjak të besimit, të lindur vetëm pak çaste pas tij. E mandej të qenët larg kotësive, dhënia e zekatit, ruajtja e nderit, kujdesi ndaj amanetit dhe vetëdija se nga kush dhe përse u gatuan të reflektojnë skalitjen e emrave më të bukur të Krijuesit, Të Ditur e Të Urtë, i bën ata shembuj të shkëlqyer të banorëve të tokës; e mbi të gjitha i bën trashëgimtarë të Firdeusit të amshuar.

Duke soditur emrat e bukur të Allahut si dhe me anë të lutjes, pa të cilën nuk do të kishte kuptim ekzistenca e tyre përpara Zotit, besimtarët përpiqen t’u japin frymës të tyre vlerat e merituara.

Ata nuk dinë ç’është fama e pozita, por janë totalisht indiferentë ndaj tyre. Ata nuk kanë nevojë as për kamera, as për podiume e as për mitingje madhështore për të shpjeguar Zotin e tyre. Brendësinë e tyre ata e shfaqin në fytyrat e tyre plot dritë, që flasin më shumë se mijëra fjalë të shpërdoruara në organizime gjigande. Ata dinë të lexojnë mirë lëndoren e shpirtëroren, dhe nuk bien ndesh kurrsesi me natyralen. Janë njerëz të zemrës, të ndritur brenda tyre, me ndjenja të trëndafilta, me mendime të kulluara, e ndërsa atmosfera e tyre është një qetësi me burim parajsor.

Në boshtin e mendimit dhe aksionit që karakterizon gjithë veprimtarinë e tyre, ata nuk e ndiejnë lodhjen e rrugës. Ata nuk i përfillin as frikën as pengesat as mundimet. Janë të vendosur dhe të qëndrueshëm. Edhe një mijë pengesa tu dalin përpara, nuk e ndryshojnë rrugën. Ata arrijnë një gradë të tillë në përparimin e tyre shpirtëror saqë as bukuritë e xhenetit nuk ua turbullon dot qëllimin e tyre sublim. Besimtarët përparojnë me dëshirë e shpresë drejt ëndrrave të kaltërta të së nesërmes, për të cilat nuk kanë as dyshimin më të vogël.

Nga ana tjetër besimtarët janë vlerë e paçmueshme e shoqërisë në të cilën jetojnë. Përtej vlerave, ata janë domosdoshmëri për shoqërinë. Janë faktorë stabiliteti, paqeje, mirëkuptimi e përkrahjeje. Ata janë përçues të dashurisë, respektit dhe nderit.

Sot, kur çdo ditë e më shumë shoqëritë moderne po shkojnë drejt individualizmit, nevoja për rolin e besimtarëve të vërtetë vjen e bëhet përherë e më evidente, sepse ata ruajnë dhe mbjellin frymën e komunitetit dhe bashkësisë, pasi kështu janë urdhëruar. Duke qenë besimtarë të devotshëm ata janë njëkohësisht edhe qytetarë shembullorë, që rrezatojnë vlera e mirësi. Sepse besimtarët nuk mendojnë vetëm për vete, po edhe për fqinjët, për komunitetin dhe shoqërinë ku jetojnë. Ata janë të porositur që edhe nëse është duke ndodhur dita e kiametit të mos e lënë përgjysmë fidanin që kanë nisur të mbjellin. Ata janë të edukuar se besimtarët më të mirë janë ata që janë më të vlefshëm e më të dobishëm për njerëzit dhe shoqërinë.

Në vendin tonë besimtarët e vërtetë kanë qëndruar jo vetëm në pararojë të shembullit të mirë, të qytetarit model, por, për më tepër, ata kanë qenë flamurtarë të sakrificës, qëndresës dhe vendosmërisë së shërbimit ndaj njeriut dhe njerëzores.

Ata ishin aty në ballë të vendit ndërsa formohej shteti, megjithëse balli i tyre prekte dyshemenë nga modestia. Ata rendën me zellin më të madh për të ndërtuar këtë vend megjithëse, për shumë kohë, si shpërblim morën internimet, burgimet e më pas harresën. Ata denoncuan të parët të keqen që po afrohej; e ndërsa ditët e lira u kthyen, ata u vlerësuan më pak se gjithë të tjerët.

Gjithsesi, me vetëdije ose jo, shoqëria edhe pse e ndjen që të nesërmen mund të jetë përsëri mosmirënjohëse ndaj tyre, ka nevojë të patjetërsueshme për njerëzit që i besojnë Zotit, për njerëzit që si shpërblim kërkojnë vetëm kënaqësinë e Krijuesit, për njerëzit që ju rreh zemra me dashuri për Zotin, për njerëzit dhe për të gjitha krijesat.

Ata janë heronjtë e vërtetë që asnjë libër e asnjë skenar nuk mund ti përshkruajë.

Ata janë heronjtë që nuk reshtën së kërkuari, përpjekuri e së luturi për lirinë, paqen, dashurinë. Janë prej atyre heronjve që në këtë botë nuk mund t’i çmosh dot, ata janë heronjtë e të sotmes dhe e së nesërmes, qëllimi epror i të cilëve është përftimi i kënaqësisë së Allahut.

Zoti na bëftë prej tyre, ose së paku në atë rrugë…

©URTËSI.AL

Postime të ngashme