Besimi

Nga Ali Zaimi

Besim (iman) si kuptim fjale, do të thotë bindje e fuqishme dhe e palëkundur në qenien dhe drejtësinë e diçkaje. Në terminologjinë Islame, besimi është identiteti i pranimit të Islamit me gojë, duke qenë ndërkohë i miratuar e i vërtetuar me zemër. Pra për një njeri që e konsideron veten mysliman, është kusht shqiptimi me gojë i fjalës së dëshmisë: “Eshhedu en la ilahe il’lallah ue eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluh – Dëshmoj se nuk ka tjetër zot veç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij”, si dhe besimi e pranimi i saj me zemër.

Por dijetarët i qëndrojnë mendimit se nëse një njeri që ka besuar me zemër, në disa situata, nuk e pohon dot besimin me gojë, besimi i tij vazhdon të jetë i vërtetë dhe i vlefshëm. Besimi është ushqimi i shpirtit dhe është një burim i pafund fuqie dhe force. Por për të marrë frytin e kërkuar dhe rezultatin e dëshiruar, është kusht që besimi të mbështetet me veprimin.

Ideja e Zotit të Vetëm të Vërtetë, të Krijuesit të Gjithësisë, të Vetmit që meriton të adhurohet, zë vend themeltar në besimin Islam.

Njeriu është krijuar në atë mënyrë që të mundet ta kuptojë se Zoti ekziston dhe është një. Në sajë të arsyes që i është dhënë, njeriu e pranon ekzistencën e Zotit dhe e beson Atë. Zemra e pranon në brendësi besimin dhe e përforcon atë edhe me arsyen. Besimi nuk arrihet me detyrim apo frikë. Në islam, besimi është vepra e mendimit, arsyes, ndjenjës dhe dashurisë; është punë e zemrës dhe e mendjes. Në kur’an Allahu (xh.sh.) thotë: “Nuk ka detyrim në fe” (Bekare, 256). Pra, besimi arrihet me arsye, dashuri, dëshirë e dituri.

Në arabisht kuptimi Zot identifikohet me fjalën Allah, e cila është formuar prej fjalës ilah, që në arabisht do të thotë “Ai të cilin e hyjnizojnë, Ai përpara të cilit përulen, Ai të cilin e duan me besnikëri dhe e nderojnë me adhurim”.

Koncepti I përgjithshëm besimor mbi  Zotin, I një besimtari mysliman është: Zoti, Krijuesi i Lartë e I Përjetshëm zotëron vetitë më të përsosura: Ai ka Madhështi pa kufi zotëron Plotfuqi pafund,  ka Mençuri dhe Dije absolute. Prandaj vetëm Allahu e zotëron pushtetin më të lartë, zotëron dije të përsosura dhe gjithëpërfshirëse, Ai bën atë që do. Dhe asgjë nuk ndodh në qiell dhe në tokë pa dijeninë e Tij dhe pa lejen e Tij. Ai e ka në dorë si jetën ashtu dhe vdekjen, Ai i paracakton fatet e krijesave të Tij, është Ai që ua zbret atyre, gjithsecilit prej tyre, fatin. Ai i lartëson disa popuj dhe i nënshtron disa të tjerë i prirë prej Mençurisë së Tij. Vendimet që Ai merr dhe veprat që Ai kryen janë plot e përplot me drejtësi dhe me zemërgjerësi si dhe mbartin qindra – mijëra urtësi.

Allahu është i Vetëm! Nuk ka Zot tjetër përveç Tij, I Gjalli, I Përjetshmi. Ai për askënd nuk ka nevojë, nuk ka nevojë për ndihmës e shok që të krijojë botë të reja dhe ta drejtojë Gjithësinë. Ai nuk ka nevojë për bashkëshorte apo djalë, sepse është i Përjetshëm, Ai nuk ka as fillim e as fund. Ai nuk ka nevojë për vazhdim fisi, sepse kurrë nuk zhduket. Ai nuk ka nevojë për bëma, që do t’ia zbukuronin vetminë apo do t’ia vinin në vend Plotfuqinë. Edhe në u mbledhshin njerëzit e i parashtrofshin gjithçka që do t’u vinte në mendje, dhe Ai do t’ua përmbushte gjithsecilit kërkesën, nga kjo Gjithëfuqia e Tij nuk do të pakësohej as dhe një pikë.

Atributet e Larta të Allahut i gjejmë të përshkruhen në shumë versete Kuranore. Ndër to dallohet “Ajeti i Fronit (Kursij)”, që është verseti më i lartësuar në Kuran:“Allahu është një, nuk ka Zot tjetër përveç Atij. Ai është mbikëqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm. Atë nuk e kap as kotje e as gjumë, gjithë ç’ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij, e di të tashmen që është pranë tyre dhe të ardhmen, nga ajo që Ai di, të tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar, Kursija e Tij (froni-dija-sundimi) përfshijnë qiejt dhe tokën, kujdesi i tij ndaj të dyjave nuk i vjen i rëndë, Ai është më i larti, më i madhi” (El Bekare, 255).

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: