BESIMI NË KADER (PËRCAKTIMIN HYJNOR)
Kaderi dhe Kada-ja bëjnë pjesë në gjashtë kushtet themelore të besimit islam, pa të cilat nuk plotësohet imani/besimi në Allahun xh.sh. Kader do të thotë matje, prerje, formësim, trajtësim. Njohja dhe caktimi nga Allahu qysh më parë i çdo gjëje që ka ndodhur dhe do të ndodhë në botë, quhet kader.
Ndërsa kada-ja është dalja në shesh, kryerja e gjërave të njohura dhe të përcaktuara nga Zoti qysh më parë. Bashkë me këtë, të njohura dhe të paracaktuara janë edhe koha, vendi dhe rrethanat apo kushtet përkatëse.
Në një kuptim, kaderi dhe kadaja janë e njëjta gjë, kurse në një kuptim tjetër, kaderi është paracaktimi (vendimi i paracaktuar) i Allahut, kurse kadaja është ekzekutimi i këtij paracaktimi.
Allahu është në dijeni të gjithçkaje, Ai e di se ç’ndodh në qiell dhe në tokë. Asgjë nuk mund të fshihet prej Tij dhe fati i të gjitha krijesave është i ditur prej Tij përpara se Ai t’i krijonte ato. Në Kur’an thuhet:
وَ عِندَهُ مَفَاتِحُ الْغَيْبِ لاَ يَعْلَمُهَا إِلاَّ هُوَ وَ يَعْلَمُ مَا فِي الْبَرِّ وَ الْبَحْرِ وَ مَا تَسْقُطُ مِن وَرَقَةٍ إِلاَّ يَعْلَمُهَا وَ لاَ حَبَّةٍ فِي ظُلُمَاتِ الأَرْضِ وَ لاَ رَطْبٍ وَ لاَ يَابِسٍ إِلاَّ فِي كِتَابٍ مُّبِينٍ
“Çelësat e fshehtësisë janë vetëm tek Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det, Ai di për çdo gjethe që bie, dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë që nuk është (shënuar) në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).” (En‘am:59)
Gjithashtu, kaderi është përputhja dhe koherenca ndërmjet asaj çka arrin dhe fiton njeriu dhe asaj çka krijon Allahu xh.sh.. Thënë ndryshe, kur njeriu nis e i futet një pune, Allahu, po deshi, e krijon atë punë. Pra, kaderi është njohja hyjnore nga Allahu, me Dijen e Tij të pafundme të këtyre dy specifikave kryesore si dhe, gjithashtu, përcaktimi dhe miratimi hyjnor i tyre (para se të ndodhin) nga Allahu xh.sh.
Allahu e zotëron mundësinë e të ndryshuarit të njerëzve. Ai mund t’i ndryshojë ata që të gjithë, pa asnjë përjashtim, duke e vënë gjithsecilin në rrugën e mbarë, në rrugën e të drejtës dhe të arsyes, por është dëshira e Tij që njerëzit, gjithsecili njeri, të bëjnë zgjedhjen e tyre në mënyrë të pavarur dhe të jenë provë për njëri-tjetrin. Në Kur’an thuhet:
وَ لَوْ شَاء رَبُّكَ لَجَعَلَ النَّاسَ أُمَّةً وَاحِدَةً َ
“Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një feje…” (Hud:118).
Kaderi nuk mund të mendohet pa vënë në llogari vullnetin dhe arritjen e vetë njeriut.
Në shumë vende të Kur’anit theksohet se njeriu ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e tij, të vendosë në mënyrë të pavarur sesi duhet të veprojë, ndonëse, në fund të fundit, edhe vetë vullneti i njeriut i nënshtrohet vullnetit të Allahut:
وَ مَا تَشَاؤُونَ إِلاَّ أَن يَشَاء اللَّهُ رَبُّ الْعَالَمِينَ
“Po ju nuk mund (ta dëshironi këtë), në qoftë se nuk e dëshiron Allahu, Zoti i botëve.” (Tekuir:29)
Në qoftë se një njeri ka ndër mend të kryejë një veprim të mirë, atëherë është Allahu Ai, që ia lejon atij këtë ta bëjë, duke u treguar me të i mëshirshëm dhe dashamir dhe duke i premtuar shpërblim; në qoftë se ai ka ndër mend të kryejë një veprim të keq, atëherë është Allahu ai që ia lejon atij edhe këtë, duke u treguar me të i paanshëm, por duke bërë kujdes për dhënien e ndëshkimit të merituar për mosbindje ndaj porosive të Allahut dhe për shkuarje kundër vullnetit të mirë të Tij. Allahu kurrë nuk u bëhet pengesë njerëzve në kryerjen e punëve të mira, por Ai ata nuk i përmban në rastet e keqbërjeve, duke treguar vetëm mëshirë ndaj tyre. Në këtë mënyrë, krijimi i veprave (gjërave) në dukje negative, në të vërtetë, nuk është negativ. I keq është veprimi i tyre dhe jo krijimi.
Pra njeriu nuk është plotësisht i zoti i fatit të vet, por as kukull në duart e fatit. Allahu i ka dhënë njeriut pushtet të kufizuar dhe liri të madhe, ku përfshihet edhe liria e zgjedhjes. Kjo e bën secilin individ përgjegjës për veprimet e tij. Në qoftë se dikush vendos të godasë me grusht një gur, ai nuk mund të ankohet për padrejtësi kur e plagos dorën. Pra koncepti i kaderit është një tregues që na bën të qartë se duhet të kërkojmë harmoninë me ligjet e Allahut që kanë të bëjnë me natyrën njerëzore e me natyrën në përgjithësi dhe me ndërgjegje duhet t’i bindemi vullnetit të Tij. Kaderi në konceptin islam nuk e përjashton të drejtën e zgjedhjes.
Te njeriu që beson se kaderi është prej Allahut, nuk ndodh as më i vogli pesimizëm dhe lëshim. Pastaj, njeriu që i beson kaderit, kur arrin sukses, nuk heq dorë nga thjeshtësia e modestia dhe nuk e humbet veten me dehjen e fitores. Në ajetin e mëposhtëm shprehet në mënyrë të thukët se besimi te kaderi jo vetëm që përbën burim force për njeriun përballë fatkeqësive, por edhe e shpëton atë nga krenaria:
مَا أَصَابَ مِن مُّصِيبَةٍ فِي الأَرْضِ وَ لا فِي أَنفُسِكُمْ إِلاَّ فِي كِتَابٍ مِّن قَبْلِ أَن نَّبْرَأَهَا إِنَّ ذَلِكَ عَلَى اللَّهِ يَسِيرٌ لِكَيْلا تَأْسَوْا عَلَى مَا فَاتَكُمْ وَ لا تَفْرَحُوا بِمَا آتَاكُمْ وَ اللَّهُ لا يُحِبُّ كُلَّ مُخْتَالٍ فَخُورٍ
“S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe juve, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai jua ka dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë.” (Hadid:22-23)
Allahu e ka krijuar gjithë ç’është në Gjithësi, përfshirë dhe bëmat e njeriut dhe synimet e përpjekjet e tij: “E Allahu ju krijoi juve dhe atë që e punoni” (Saffat:96).
Kush i është bindur kaderit, është mbështetur te Allahu xh.sh., i hyn çdo pune në jetë dhe gjatë gjithë jetës ecën nga suksesi në sukses pa e humbur forcën dhe guximin. Edhe sikur të ndodhë që të mos ketë sukses, duke menduar se në atë mungesë suksesi apo dështimi do të ketë një urtësi, përpiqet ta provojë të njëjtën gjë edhe në rrugë të tjera; edhe po s’e bëri këtë, mendon se i tillë ka qenë kaderi dhe vazhdon në udhën e vet pa e humbur vendosmërinë dhe vullnetin.
Prandaj, njeriu që është i bindur në kader, duke pasur parasysh edhe tërheqjen e vëmendjes që bën Kur’ani, duke thënë, “Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët.” (Nisa, 32), ai (njeriu) nuk i vë syrin gjësë së tjetrit. Ndodh asisoj sepse ai e di se një veprim i tillë është zemërim ndaj kaderit dhe kadasë së Allahut, shikim me sy të keq i dhuntisë së Tij të përpjesëtuar mes robve të Tij, konsideratë e pakëndshme për drejtësinë e vendosur me urtësi prej Tij. Për pasojë, besimtari e konsideron lakminë faj të kryer ndaj thelbit të teuhidit, prandaj shmanget nga ai veprim.
Në dëmin ose dhimbjen që i ka shkaktuar dikush tjetër, besimtari merr parasysh se është edhe pjesa e mëkateve të veta, pra, duke menduar se gjendja e krijuar mund të jetë edhe ndëshkim për të për një mëkat të kryer prej tij më parë, bën dhe duhet të bëjë një vetëllogari. Me të vërtetë, Kur’ani thotë: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” (Shura, 30) Kështu, shpëton më lehtë nga neveria dhe urrejtja që do të ndiente ndaj tjetrit.