Profeti Ynë (16) – Begatia e shiut që erdhi sajë Tij
Kishte kohë që Mekën e kishte mbërthyer një i nxehtë përvëlues e frymëmarrës, dhe gjithandej mbizotëronte thatësira. Qielli i kishte mbyllur me kohë portat e mëshirës. Toka kishte zënë gjithandej të plasaritej nga mungesa e lagështirës. Askund nuk kishte gjelbërim, përrenjtë ishin tharë krejt, duke mos u ngelur në shtretër asnjë pikë uji. Kafshëve u priteshin këmbët, dhe njerëzit po përjetonin ditët e tyre më të vështira për këto kafshë.
Si një shpresë, populli u mblodh për të shkuar njëherë pranë Ebu Talibit.
O Ebu Talib, – i thanë ata, – luginat u thanë, fëmijët kanë ngelur ashtu si të kapitur, të lutemi, hajde të shkojmë e të bëjmë ndonjë lutje për shiun!
Zaten nuk kishte asgjë tjetër që mund të bëhej kundër kësaj thatësire, andaj Ebu Talibi mori edhe nipin e tij, për t’u nisur për në vendin ku do të bëhej lutja. Nga pas i ndiqte një re, e cila nuk i linte rrezet e diellit të depërtonin mbi kokat e tyre. Më në fund mbërritën në Qabe.
Ebu Talibi u mbështet në murin e Qabes, kapi në fillim dorën e të nipit, dhe bashkë me duart e tij të hapura, nisi t’i lutej Zotit të Qabes që t’u lëshonte shiun, sepse kishin shumë nevojë për të.
Pa kaluar shumë kohë, retë mbuluan qiellin krejtësisht. Lutja nuk kishte përfunduar, kur qielli filloi ta lante murin e Qabes me piklat e mëshirës. Gjithandej ndjehej lagështia e shiut të mëshirës së pandërprerë. Luginat filluan të gjelbëronin, ndërsa ditët fituan gjallërinë e vjetër të humbur. Tashmë fytyrat e mekasve dukeshin të qeshura.
Megjithëse shumë prej njerëzve mund t’u shpëtonte kjo panoramë, sytë e Ebu Talibit ishin mbushur nga ndjenjat që ishin ndezur nga kjo përgjigje e menjëhershme e mëshirës së Zotit. Nuk kishte kurrfarë dyshimi se shkas për këtë shfaqje të mëshirës ishte nipi i tij, Muhamedi i nderuar paqja qoftë mbi Të!. Ai duhej të tregohej shumë i kujdesshëm për të ardhmen e nipit të tij. Kjo që kishte ndodhur me lutjen për shi, ia kishte përforcuar akoma më tej këtë bindje, e ia kishte shtuar akoma më tej respektin dhe dashurinë ndaj të nipit.[1]
[1] Hejthemi, Mexhmau’z-Zeuaid, 8/222