Atributet e Profetit tonë nga pikëpamja e krijimit

Nëse shohim atributet e bukura të Zotërisë së gjithësisë nga aspekti i krijimit, Ai zotëron atributet më të bukura. Përsa i përket bukurive, tek Ai janë mbledhur të gjitha mirësitë. Madje Imam Kurtubiu thotë: “Disa nga cilësitë e bukura të Profetit tonë ishin të dukshme, mund të shiheshin. Po të mund të shiheshin të gjitha, atëherë sahabet nuk do kishin pasur fuqi ta përballonin atë bukuri.”

Janë transmetuar hadithe të shumta rreth kësaj teme nga sahabet e nderuar. Nga këta mund të përmendim disa prej tyre si: Hz. Aliu (r.a.), Bera ibn Adhib (r.a.), Hz. Aishja (r.a.), Ebu Xhuhajfe (r.a.), Xhabir bin Semura (r.a.), Umu Ma’bed (r.a.), Ibn Abas (r.a.), Muarri bin Muajkib (r.a.), Ebu Tufejl (r.a.), Ada ibn Halid (r.a.), Hurejm bin Fatek (r.a.), Hakim ibn Hizam (r.a.). Edhe sahabe të tjerë kanë shpjeguar atributet e larta të Profetit tonë. Ne po japim një hadith të transmetuar nga Hz. Aliu (r.a.):

Kur e pyesnin Hz. Aliun për t’i përshkruar cilësitë dhe veçoritë e më të bukurit të të bukurve, Profetit Muhamed paqja qoftë mbi të!, ai thoshte:

“Profeti ynë nuk ishte as i gjatë, e as i shkurtër. Kishte trup mesatar, që anonte tek të gjatët. Flokët nuk i kishte as të drejtë, e as kaçurrela. Kishte flokë me onde. Fytyra e ndritur nuk ishte as e shëndoshë, as e gjatë, e as dobët. Ishte e rrumbullakët. Lëkura delikate duke filluar nga ngjyra rozë ishte e bardhë e ndritur. Kishte sy të zinj dhe qerpikë të gjatë. Kocka të mëdha dhe shpatulla të gjera. Qimet në trupin e Tij të bekuar fillonin nga pjesa e kraharorit dhe theksoheshin në pjesën poshtë tij. Duart dhe këmbët ishin të mbushura në masën e duhur. Ecte sikur të zbriste nga tatëpjeta me përulësi dhe i sigurt në vendosjen e këmbës në tokë. Kur fliste apo kur donte të shihte diçka, kthehej me gjithë trupin e tij nga ajo anë. Mes dy shpatullave kishte vulën e profetësisë, sepse Ai ishte Profeti i fundit ose vula e vargut profetik. Ai kishte zemrën më të gjerë ndër njerëz. Ai ishte më fjalëdrejti, më gojëmbli, më i duruari, më i ndershmi, më i respektuari, më i sjellshmi, më bujari dhe përsëri Ai ishte më i këndshmi. Çdokush që e sheh për herë të parë, ndjen një lloj ngrohtësie ndaj Tij, hyn në atmosferën e Tij për ta njohur më afër dhe kur arrin ta njohë, dashurohet me Të, lidhet fort pas Tij. Njëri i cili deshi ta përshkruante Profetin, duke pranuar fillimisht paaftësinë e tij për diçka të tillë, shprehej: “Nuk kam parë një si Ai, as para Tij, e as pas Tij, dhe nuk besoj se do të shoh më.”

Të gjitha përshëndetjet dhe mirësitë, të gjitha respektet qofshin për Të dhe për gjithë familjen dhe shokët e Tij, o Zot!”7

Bera ibn Adhib (r.a.) thotë: “Nuk kam parë njeri më të bukur se Resulullahu brenda një veshjeje të kuqe.”8

Luani i Devsit, Ebu Hurejre (r.a.) tregon: “Nuk kam parë më të bukur se i Dërguari i Allahut. Dukej sikur në fytyrën e Tij lindte dielli. Kur buzëqeshte, shkëlqimi i dhëmbëve ndriçonte dhe muret.”

Kur një sahabe erdhi tek Beraja dhe i tha që: “Fytyra e profetit tonë shndriste si një shpatë”, Bera ia ktheu: “Jo, fytyra e Profetit tonë të vetëm ishte si një diell, si një hënë. Ai kishte një fytyrë të rrumbullakët.”9

Umu Ma’bed (r.a.) është një nga gratë anëtare të Huzasë. Edhe ajo në një përshkrim të gjatë mbi Profetin, na thotë: “Kur e shikoje nga larg, ishte njeriu më i bukur, kur e shikoje nga afër, ishte më i ëmbli.”

Ndërsa Ebu Hâle, transmeton kështu: “Fytyra e ndritur e Profetit shndriste sikur shndrit hëna e plotë.”

“Lëkura e Profetit mbante një lloj arome të mirë.”10 Bulëzat e djersës i rridhnin poshtë fytyrës si margaritarë. Kishte një lëkurë shumë të butë. Hz. Enesi (r.a.) thotë: “Ngjyra e lëkurës së Profetit ishte si e trëndafilit. Djersët i kishte si copa margaritarësh.11 As mëndafshi e as atllasi nuk ishte më i butë se lëkura e Tij. As misku nuk mban erë më të mirë se era e trupit të Tij.”12

Bera ibn Adhib e përshkruan kështu Profetin: “Qimet në trupin e Resulit të nderuar, Profetit tonë, si ato në kokë, ashtu dhe në mjekër, ishin me onde.

Profeti i nderur kishte trup mesatar.

Kishte një shpinë të gjerë mes shpatullave. Po ashtu dhe një kraharor të gjerë.

Profeti i nderuar kishte flokë të dendur të cilët shtriheshin deri poshtë shpatullave dhe arrinin deri në pjesën e poshtme të veshëve.

Në të vërtetë, ka transmetime të ndryshme rreth flokëve të Profetit të dashur. Sipas një transmetimi, thuhet se flokët i arrinin deri në mes të veshëve, sipas një transmetimi tjetër ia mbulonin veshët, një tjetër transmetim thotë se i arrinin deri mbi supe, ndërsa në një transmetim tjetër thuhet se i mbërrinin deri në shpatulla. Nga këto transmetime kuptohet që Profeti herë i ka zgjatur flokët e herë i ka shkurtuar deri në mes të veshëve.

Imam Nevevi thotë se “hul’le” është një veshje që përbëhet nga dy pjesë. Këto pjesë quhen idhar dhe rida. Ndërsa Ebu Ubejde thotë se është një lloj veshjeje nga e njëjta copë dhe e përbërë nga dy pjesë. Ndërkohë që Imam Shafiu ka lejuar veshjen me ngjyrë të kuqe, Ebu Hanifja e ka vlerësuar si të papëlqyeshme. Ajo që nënkuptohet nga hadithi me veshje të kuqe, është një veshje me pulla të kuqe. Nuk do të thotë të jetë e tërë veshja në të kuqe.

Bera ibn Adhib kur tregon për Profetin, thotë: “Nuk kam parë njeri më të bukur se Profeti ynë. Nëse do të më pyesnin se çfarë nënkupton me shikim, them se nuk kam parë më të bukur se Profetin. Profeti i Allahut ishte më i bukur se të gjitha gjërat e bukura që di dhe që kam parë.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: