Argumentimi i jetës tjetër
- Përjetësia (bota e përtejme)
(Çfarë ndodh me njeriun pasi largohet nga kjo botë. Bota tjetër, llogaridhënia, xheneti dhe parajsa. Çfarë na pret atje që na bën ti përkushtohemi Krijuesit në këtë botë.)
Argumentimi i jetës tjetër
Në Kur’an, Zoti premton dhe njofton për organizimin e quajtur “Mahsher”, grumbullimi i të njerëzve të ringjallur pas vdekjes për të dhënë llogari dhe fillimin e jetës tjetër.
Sipas përshkrimeve kur’anore, mahsheri përmban dy pamje: njërën që do ta bënte njeriun të buzëqeshte dhe tjetrën që do ta bënte t’i plaste buza!
Ringjallja duhet parë jo si një mundësi, por si një dukuri që do të ndodhë jashtë çdo diskutimi!
“Atë ditë i fryhet bririt dhe ju vini grumbuj-grumbuj. Qielli është hapur si portë fletë më fletë!” (Kur’an, Nebe’, 78/18, 19)
Bashkë me njerëzit dhe xhindet që do të grumbullohen për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi amanetin e madh që patën ngarkuar mbi supe, mahsherin ose vendgrumbullimin do ta rrethojnë edhe engjëjt.
Cilësia e ringjalljes
Vendgrumbullimi i llogaridhënies është vendi ku njerëzit do të ringjallen shpirtërisht dhe trupërisht.
Në Kur’an thuhet: “O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt i kënaqur e i pranuar (i kënaqur ti me Zotin për të mirat që të ka dhënë dhe i kënaqur edhe Zoti me punët e mira që ke bërë) dhe hyr mes robve të Mi dhe hyr në xhenetin Tim!” (Kur’an Fexhr, 89/27-30)
Këtu flitet vetëm për kthimin e shpirtit te Zoti, por në përshkrimin e përgjithshëm të kiametit, në dhënien e shembujve nga pranvera, pemët, gjërat lëndore dhe të patejdukshme, bëhet fjalë për rilindjen edhe të shpirtrave, edhe të trupave dhe se grumbullimi pas ringjalljes do të jetë shpirtëror dhe trupor.
Myslimanët i besojnë të vërtetës së ringjalljes dhe grumbullimit ashtu siç thotë dhe siç e përshkruan Kur’ani dhe hadithet.
Xheneti dhe xhehenemi janë dy përfundime të rëndësishme, të dyja të nevojshme e të domosdoshme. Dhe për besimtarët, edhe xheneti, edhe xhehenemi janë mëshirë.
Nëse xhehenemi me të gjithë tmerrin e vet, duke shkaktuar frikë dhe drojë në zemrën e besimtarit, ndikon te ai për ta rregulluar jetën, kjo do të thotë se frikësimi dhe paralajmërimi me anë të xhehenemit është një e mirë.
Ashtu siç është xheneti faktor për t’i shtyrë njerëzit drejt majave të larta, edhe xhehenemi është shkak që njerëzit ende të paformuar ta fusin nën një kontroll serioz jetën e tyre nga frika e tij. Po, xhehenemi është si një zjarr i ndezur në një rrugë të rrezikshme. Ai e ruan njeriun për të mos hyrë në atë rrugë. Kurse xheneti është një sofër e shtruar në rrugën e drejtë e të orientuar dhe e fton njeriun në atë rrugë.
Të vërtetën e xhenetit dhe xhehenemit, Kur’ani e trajton në mbi një qind e njëzet vende, duke e përshkruar në mënyrë të përmbledhur ose të hollësishme. Kur’ani aludon për bashkëshoqërimin shpirt-trup. Fytyra e njeriut që hyn në xhenet është e lumtur, gjë që është shprehje e kënaqësisë shpirtërore. Ndërkaq, atje ka edhe nga të gjitha të mirat që ia do zemra. Atje ai shoqërohet nga gratë dhe hyritë, gjë që është shprehje e kënaqësive trupore.
Pendimet e njerëzve të xhehenemit, vuajtjet që ua bëjnë ndërgjegjet t’u kullojnë gjak, janë gjithmonë shpirtërore, vetëm se specifika të tilla si hyrja në zjarrin që flakëron, ndërrim i i lëkurëve të djegura menjëherë me të reja me qëllim që t’u vazhdojë vuajtja dhe mundimi, dëshmimi i gjymtyrëve kundër tyre janë lloje ndëshkimesh e mundimesh krejtësisht të posaçme vetëm për trupin.
©URTESI.AL