Allahu ekziston dhe është Një

Allahu xh.sh. është Një, i zhveshur, i pastër dhe i lartësuar nga çdo e metë. Për Atë nuk ekziston anë (poshtë, lart, lindje, perëndim, e djathtë, e majtë, përpara, mbrapa etj.). Ai ekziston para ekzistimit të tyre. Ai është Krijuesi, Caktuesi dhe Sistematizuesi i tyre. Sa u përket krijesave të tjera, ato kanë nevojë për të gjitha këto gjëra. Kanë nevojë për kohë, për vend, për hapësirë, etj., kurse Krijuesi i tyre nuk ka nevojë për to.

Njeriu mund ta kuptojë ekzistencën e Allahut xh.sh., duke bërë një sërë shqyrtimesh edhe në botën e tij të brendshme, edhe në botën jashtë tij. Për shembull, duke vështruar rregullsinë në organet e veta, përsosmërinë e funksionimit të tyre, njeriu e kupton se kjo përsosmëri nuk mund të arrihet me fuqinë e qenieve të krijuara. Veçanërisht, duke vështruar rregullsinë në natyrë, njeriu e kupton se malet dhe detet, stinët, ditët dhe netët, Dielli dhe Hëna nuk mund të lëvizin në mënyrë të harmonishme vetvetiu. Njeriu i arsyeshëm e kupton se prania e ujit në përbërjen e gjallesave, se vënia në lëvizje e reve nga era dhe se e gjithë kjo rregullsi, si për shembull, ringjallja e tokës së vdekur pas rënies së shiut, nuk mund të ndodhin vetvetiu dhe, si përfundim i kësaj, arrin në pranimin e ekzistencës dhe njëshmërisë së Allahut.

Gjithësia është një libër i mrekullueshëm që më së miri flet për Madhështinë dhe Përsosmërinë e Krijuesit të saj. Po ta lexosh me vëmendje këtë libër, në çdo faqe të tij gjen shenja, të cilat e dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme Madhështinë e Allahut dhe atributet e larta të Tij. Sigurisht, mendja jonë nuk është në gjendje të depërtojë aq thellë, sa të arrijë ta bëjë zbulimin e të gjitha fshehtësive dhe sekreteve të gjithësisë në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, por gjithsesi njeriu duhet të merret me studimin e saj për të përfituar në raport me aftësitë që Allahu ia ka dhënë. Ai e ka për detyrë t’i shfrytëzojë si duhet të gjitha mundësitë e veta për ta njohur gjithësinë, për ta vënë në dukje në çdo hap Madhështinë e Allahut dhe për t’iu afruar sa më shumë Atij.

Feja islame faktikisht i drejtohet natyrës fillestare të njeriut dhe ia kujton atij pohimin e besimit, dhënë para krijimit, në botën e shpirtrave sikurse përmendet në ajetin Kur’anor:

أَلَسْتُ بِرَبِّكُمْ قَالُواْ بَلَى

 “A nuk jam Zoti juaj? Ata thanë: Gjithsesi je, dëshmuam.” (Araf: 172)

Në Kur’an, Allahu xh.sh. ua parashtron kështu ekzistencën dhe Njëshmërinë e Vetes atyre që kanë arsye:

قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ اللَّهُ الصَّمَدُ لَمْ يَلِدْ وَ لَمْ يُولَدْ وَ لَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ.

Thuaj: “Ai, Allahu është Një. Ai nuk ua ka nevojën të tjerëve, e të tjerët ia kanë nevojën Atij. As s’ka lindur kë e as është lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.” (Ihlas:1-4)

Meqë Zoti e di se robërit, krijesat e Tij do të mendojnë se mund të ketë më shumë se një Krijues, na e tërheq vëmendjen në këtë çështje dhe na sqaron kështu:

لَوْ كَانَ فِيهِمَا آلِهَةٌ إِلاَّ اللَّهُ لَفَسَدَتَا فَسُبْحَانَ اللَّهِ رَبِّ الْعَرْشِ عَمَّا يَصِفُونَ

Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) zota të tjerë veç Allahut, toka e qielli do të shkatërroheshin, larg asaj që i përshkruajnë është Allahu, Zoti i Arshit.” (Enbija: 22)

Postime të ngashme