Ah Sikur!
“Pikërisht atë ditë, i padrejti kafshon gishtat e tij dhe thotë: “Ah sikur të kisha ndjekur rrugën e atij profeti! I mjeri unë! Ah sikur të mos isha bërë mik me filanin!” (Furkan, 25/27-8).
“Atë ditë”, që përmendet në ajet “pikërisht atë ditë” nis ajetin me një shprehje tronditëse që lajmëron ardhjen e një dite të frikshme, dhe menjëherë pas saj, lajmëron se në një ditë të tillë që të bën të hidhërohesh, i padrejti, i kapluar prej disa ndjenjash pendese dhe vuajtjesh shpirtërore, do të kafshojë gishtat e tij. Shprehja “kafshoj gishtat”, që është një idiomë e gjuhës arabe, që përdoret pikërisht për të shprehur gjendjen e të përpëliturit prej vuajtjeve shpirtërore, mërzisë kapitëse dhe djegies prej një malli përvëlues.
Në vazhdim të ajetit, ndjenja e pendesës së të padrejtit jepet me këto fjalë:
“Ah sikur të kisha qëndruar në një rrugë me atë profet famëmadh.” E pendesa e të padrejtit nuk përfundon me kaq. Kurani, e përforcon shprehjen për gjendjen e tij të kapluar prej një malli dhe shqetësimi shpirtëror me këto fjalë: “I mjeri unë! Ah sikur të mos e kisha bërë shok filanin!” Domethënë, “Ah sikur të mos isha bërë duartrokitësi i filan tradhtari, duke bërë mik atë të paudhë! Ah sikur të mos kisha shkuar në udhën e të devijuarve!”
Por, sa keq, që asnjë prej këtyre “ah sikur”-eve nuk kanë për t’i vyer, përkundrazi do t’ia dyfishojnë pendesën. Me fjalë të tjera, të thuash “ah sikur” atje do të jetë një energji e harxhuar më kot, ajo vetëm sa do t’ia shtojë shqetësimin njeriut. Pra, ashtu si këto fjalë që shprehin pendesë mund të thuhen në Ahiret, kjo mund të ndodhë edhe kur njeriu të jetë duke i dhënë lamtumirën duarve dhe këmbëve të tij, pikërisht në ato çastet kur të jetë duke hedhur hapin e parë në botën e përtejme. Vetëm se, kurdo që të thuhet, një gjë është e vërtetë, se këto fjalë janë shprehjet e vuajtjes, mallit dhe pendesës së një njeriu që i ka shpërdoruar mundësitë që i janë dhënë.
Më e madhja e “ah sikur”-eve
Megjithëse gabimet dhe mëkatet që mund ta bëjnë njeriun që të thotë “Ah sikur!” në Ahiret, duke e bërë që të digjet e përvëlohet së brendshmi, ajo që vjen në krye të të gjithave është mohimi. Sepse çdo gjë në Univers, fjali fjali, fjalë fjalë, shkronjë shkronjë, tregon veç për Allahun. Kur njeriu ia vë veshin librit të Universit, cilësdo fjalë apo shkronjë të tij, nga të gjitha do të dëgjojë një zë që thotë “La ilahe il’lallah”. Pikërisht prej kësaj të vërtete të hapur, është shprehur se edhe njerëzit që nuk u është dërguar një profet, janë përgjegjës për njohjen e Allahut. Sepse ata njerëz që nuk u është dërguar asnjë profet, megjithëse nuk mund ta njohin Allahun me të gjitha cilësitë dhe emrat e Tij, e nuk mund ta njohin me shpjegimin e revelacionit hyjnor, ata vetëm duke parë universin do ta kuptojnë se duhet të jetë medoemos një krijues. Një mendim të tillë pati shprehur Zejdi, xhaxhai i Omerit të nderuar (r.a.) në periudhën e errësirës; “Unë e di se është një krijues. Por nuk e di se ç’kërkon prej meje. Ah sikur ta dija se ç’kërkon prej meje, e të mund ta bëja gjer në vdekje.” (Buhari, menakib, 24) Me pak fjalë, ajo “ah sikur” që do ta bëjë njeriun të përpëlitet prej pendesës, që do ta djegë së brendshmi, është ajo e thënë gjatë dorëzimit të shpirtit në një gjendje të mungesës së besimit.
E një prej mëkateve më të mëdha, që do ta shtynte njeriun të thotë “Ah sikur!” matanë, është ajo e njeriut që bie në devijim pasi ka gjetur rrugën e drejtë. Sepse mes besimit dhe mohimit, mes udhës së drejtë dhe devijimit, gjendet një cipë aq e hollë, saqë njeriu mund ta hedhë veten menjëherë në anën tjetër. Kësodore, ne si njerëz që besojmë, i kërkojmë Allahut plot dyzet herë në ditë gjatë namazeve bashkë me sunetet e tyre, që të na mbajë në udhën e së drejtës, e mandej duke thënë: “Në rrugën e atyre që i ke bekuar.” , ku Allahu na kërkon që ne të jemi në udhën e njerëzve që Allahu i ka mbuluar me mirësitë e Tij.
Në një tjetër ajet, thuhet se njerëzit që janë meritues të mirësive të Allahut, janë profetët, besnikët, dëshmorët dhe njerëzit që kryejnë vepra të mira. (Nisa, 4/69) Dhe ne, po dyzet herë në ditë, i kërkojmë Allahut që të na fusë në njërën udhën e këtyre katër bashkësive. Dhe duke thënë “Jo në rrugën e atyre që të kanë zemëruar dhe kanë devijuar.” nga pas, kërkojmë mbrojtje në mëshirën dhe madhështinë e Allahut, dhe pas një udhëzimi të këtillë, themi “O Zot, mos na lër neve të jemi prej atyre njerëzve që kanë merituar dënimin duke rënë në çudhëzim!”
Me një fjalë, mendimi “Ne e gjetëm rrugën tonë. Kështu që, mbërrijmë në synimin tonë pa rrëshqitur, pa rënë, pa u ndotur, pa u rrëzuar gjëkundi, pa u mashtruar dhe pa ngecur nëpër lojërat e djallit.” është veç një mashtrim. Sepse askush nuk ka sigurinë se do të ecë në të njëjtën rrugë gjer në çastin e frymëmarrjes së fundit. Madje një njeri që fillon të besojë me vetësiguri pas diçkaje të këtillë, do të thotë se e ka hedhur në rrezik gjithë sigurinë e tij. Sepse duhet shqetësuar për përfundimin e atij njeriu që është i sigurt prej përfundimit të tij. Nga ky këndvështrim, çdo njeri, gjatë çdo çasti duhet të dridhet prej frikës se mund të bjerë sërish në çudhëzim pasi ka gjetur rrugën e drejtë, e për këtë duhet të gjendet përherë në një ngjitje metafizike.
Po, njeriu nuk duhet ta lërë veten, qoftë edhe sa një hapje-mbyllje qepallash, vetëm për vetëm me egon e tij, madje edhe duhet t’i përgjërohet Allahut që ta mbrojë prej mashtrimit të djallit. Sepse e vërteta e besimit me të cilën fitohen parajsat, pëlqimi i Allahut, e për më tepër, soditet bukuria e Allahut, është një gur i çmuar shumë i rrallë. Ka shumë djaj prej njerëzve dhe xhindeve që kanë thurur kurthet, e që duan t’ia vjedhin. Kështu që, detyra që i takon njeriut, është t’i dalë për zot këtij xhevahiri, e për më tepër ta mbrojë atë prej sulmeve të ndryshme që vijnë prej djajve xhinde dhe njerëzore, duke qenë kësisoj edhe vetë, gjatë gjithë kohës, në një kontroll të vetvetes.
Sa i kërkuar emr’i Allahut në çdo frymë,
Me emrin e Tij realizon çdo punë.
Po të njëjtën të vërtetë, një tjetër mik i së vërtetës e shpreh me këto fjalë:
Ah sikur e tërë një bota ta donte atë që dua unë;
E fjala e fjalia jonë sakaq një mësim i ëmbël të bëhej..!
Nëse ne në çdo veprim tonin bisedojmë vazhdimisht rreth Tij, i ndriçojmë kuvendet tona me Të dhe arrijmë brenda kohës sonë një thellësi të atillë mbikohore, ahere i kemi dalë përpara shumë negativiteteve që mund të na shtyjnë të themi “sikur”.
“Ah sikur”-e që shprehin pendesë
Ashtu siç janë disa “ah sikur”-e që nuk kanë kurrfarë vlere për njeriun, por që përkundrazi do t’ia shumëfishojnë më tepër vuajtjet, sipas përcaktueshmërisë së nijetit, ka edhe disa “ah sikur”-e që pranohen, madje edhe vlerësohen, prej kritereve të fesë sonë. Për shembull, “ah sikur”-et e thëna prej Ebu Bekrit të nderuar janë të këtij lloji. Siç dihet, në një vend ai shprehet: “Ah sikur t’ia pyesja Resulullahut kuptimin e ajetit të “kelales”; ta kisha pyetur, e të mos ia lija zbërthimin interpretimit të njerëzve!” Të njëjtën pendesë, ai e ndjen ndërsa janë duke ndarë trashëgiminë e gjyshes së tij. Pasi kjo çështje nuk është shpjeguar prej Kuranit. Në një tjetër rast, ai është shprehur kësodore: “Ah sikur, kur e nisa Halidin drejt persëve të kisha nisur edhe Omerin drejt romakëve, e të kisha shpëtuar njëherë e mirë prej këtyre problemeve.” (Taberani, el-Mu’xhemu’l-kebir, 1/62) Sipas mendimit tim, këto “ah sikur”-e janë shprehje e kuptimit drejt të fesë, dhe kthimit të saj në jetë të jetës, i kanë përftuar aq shumë shpërblime Ebu Bekrit të nderuar (r.a.), dhe e ka ngritur drejt një lartësie të atillë, saqë është e pamundur që të kuptohet prej nesh. Mendoni që, Krenaria e Njerëzimit (s.a.s.) e shpreh kështu rëndësinë e saj: “Sikur të peshohej besimi i Ebu Bekrit me besimin e tërë këtyre njerëzve të tjerë, patjetër që besimi i tij do të vinte më i rëndë.” (Bejhaki, Shuabu’l-iman, 1/69) Ai, që është Besniku ndër besnikë. Ai, që me lejen e Allahut (xh.xh.) brenda vetëm dy vitesh, tri muajsh dhe dhjetë e kusur ditësh ngriti një shtet, që Shteti i Lartë nuk e bëri dot as për njëqind e pesëdhjetë vjet. Ai nuk u ka shkuar t’i shkatërrojë vendet e tjera siç kanë bërë tiranët, përkundrazi, u ka derdhur atyre frymëzimet e tij shpirtërore. Kudo ku ka hedhur këmbën apo vështrimin, ai ka siguruar që në ato vende të lulëzonte shpirti i lartë i Muhamedit (s.a.s.). Në fakt, ai ka qenë edhe ai që nga ngritur themelet për triumfin e madh dhe zhvillimet e tjera të mëdha. Kështu që, të gjitha këto “sikur”-e u kanë shtuar personaliteteve të tyre aq të larta një tjetër peshë.
Njësoj, për çdo besimtar ka lloje të tilla “sikur”-esh pozitive që mund t’ia ngrenë më sipër nivelin. Për shembull, “Ah sikur ta kisha përdorur më mirë rininë time! Ah sikur t’i ndaja dy orë nga nata ime, e të falja njëqind rekate namaz! Ah sikur ta mbroja veten prej dëshirave të egos! Ah sikur në atë trysninë e fortë të rinisë, edhe në kohën kur të gjitha ndjenjat e mia epshore më fshikullonin, të mund t’u dilja zot siç duhej duarve, këmbëve, syve apo veshëve të mi! Ah sikur të mos e kisha hedhur fare vështrimin kah gjërat e ulëta, e në mendimet e mia të mos hynte asnjë mendim i huaj!” Ja, të gjitha këto “sikur”-e janë të atilla që derdhen prej gojës së ndonjë besimtari me synim kthimin e tyre në veprim apo prej ndjenjës së pendesës. Kurse “ah sikur”-et e lëshuara në botën e përtejme janë veç pendesa dhe pikëllime të kota. Ndërsa pendesat e shprehura këtu, në njëfarë kuptimi janë pendesë e vërtetë. Njeriu, sa herë që i vijnë ndërmend thotë: “Estagfirullah!”, dhe me shpirtin e pendesës dhe kërkesës së faljes kërkon mbrojtje prej Allahut. Ja, pikërisht, nëse njeriu i troket portës së mëshirës me të gjitha këto, shpresohet që, edhe Allahu nuk i lë lotët e këtij pa një përgjigje, por vepron me të me mirësinë dhe mëshirën e Tij të thellë.