AGJËRIMI SUNNET – TRADITË PROFETIKE

Agjërimet tradicionale të Muhamedit a.s. janë:

 

  1. Agjërimi tri ditë për çdo muaj

Nga traditat e çmuara të Profetit a.s. është edhe agjërimi i tri ditëve për çdo muaj, e që në të drejtën e Sheriatit njihen me emrin “ditët e bardha” ose “të ndriçuara” (origj. ejjami bid). Fjala është për agjërimin e ditës së 13-të, të 14-të  dhe të 15-të të çdo muaji hënor, sepse gjatë këtyre ditëve hëna është e plotë, kështu që reflektimi i dritës së saj i bën ato të ndriçuara. Ebu Hurejreja rrëfen: “I dashuri im, Pejgamberi a.s. më këshilloi tri gjëra; e para, të agjëroj tri ditë për çdo muaj; e dyta, të fal dy rekate namaz të duhasë para drekës; e treta, ta fal namazin e vitrit para se të bie për të fjetur.” (Transmetojnë Buhariu dhe Nesaiu).

Ndërkaq, lidhur me këtë, sipas një transmetimi tjetër, tregohet se Profeti a.s. i kishte thënë Ebu Dherrit r.a.: “O Eba Dherr! Kur të agjërosh tri ditë në muaj, agjëro ditën e 13-të, të 14-të dhe të 15-të.” (Transmetojnë Nesaiu dhe Ibni Hanbeli).

Me një rast, Abdullah bin Amër bin Asi rrëfen: “Profetin a.s. e kishin lajmëruar se kisha thënë sesa të isha gjallë, natën do të falja namaz e ditën do të agjëroja. Profeti a.s. më thirri e më pyeti:

 – Ti ke thënë kështu, kështu?

Po!, – iu përgjigja unë.

Atëherë Profeti a.s. më tha: “– Po ti s’ke  mundësi për këtë! Andaj, ti nganjëherë agjëro e nganjëherë mos agjëro, herë fli e herë fal namaz. Ose agjëro nga tri ditë për çdo muaj, sepse për një veprim të mirë e të bekuar jepet dhjetëfish shpërblim. Tri ditë agjërim në muaj janë si të kishe agjëruar tërë vitin.

Unë i thashë: -Unë mund të bëj më tepër se kaq. Por Profeti më tha: – Më mirë se kjo s’mund të ketë.” (Transmeton Buhariu).

Sipas një hadithi tjetër, Profeti a. s. kishte thënë: “Agjërimi më i çmuar është agjërimi i mbajtur nga Profeti Daud a.s. Ai një ditë agjëronte, një ditë jo.

 

  1. Agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte

Nga tradita profetike është edhe agjërimi i ditës së hënë dhe ai i ditës së enjte. Hz. Aisheja r.a. ka thënë: “Profeti a.s. tregonte kujdes të veçantë për të agjëruar ditën e hënë dhe të enjte.” Kjo për arsye se veprat e njerëzve i paraqiten Allahut xh.sh. në këto dy ditë. Lidhur me këtë, Usame bin Zejdi r.a. tregon: “Kur e pashë Pejgamberin duke agjëruar ditën e hënë dhe të enjte, e pyeta për shkakun, e ai m’u përgjigj kështu: “Veprat e njerëzve i paraqiten Allahut të hënën dhe të enjten dhe unë do të doja që kur t’i paraqiten Allahut veprat e mia, unë të jem agjërueshëm.

Për agjërimin e ditës së hënë ka edhe një rrëfim të Ebu Dherrit r.a. sipas të cilit Profeti a.s. kishte thënë: “Atë ditë unë erdha në këtë botë dhe atë ditë filloi të më zbriste vaji.” (Transmeton Muslimi)

 

  1. Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Shevval

Personi i cili e agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell atë me agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval, e ka sevapin sikur të ketë agjëruar tërë vitin. Profeti a.s. ka thënë:

من صام رمضان ثم أتبعه ستا من شوال كان كصوم الدهر

“Kush e agjëron Ramazanin dhe atij ia shton edhe gjashtë ditë agjërim të Shevalit, është sikur ta kishte agjëruar tërë vitin.” (Transmeton Muslimi).

 

  1. Agjërimi i ditës së Arafatit

Për ata të cilët nuk janë duke e bërë vizitën e Qabesë, agjërimi i ditës së Arafatit ka sevape të shumta. Ky agjërim bëhet natën e Kurban Bajramit, e kjo është dita e nëntë e muajit Dhulhixhe. Lidhur me vlerën e kësaj dite, Profeti a.s. ka thënë: “Nuk ka ditë tjetër kur Allahu të ketë çliruar më shumë njerëz nga zjarri i Xhehenemit sa në ditën e Arafatit.” (Transmeton Muslimi). Madje, Ibn Katade ka transmetuar edhe këtë: “Agjërimi  i ditës së Arafatit llogaritet te Zoti xh.sh. se do t’i falë mëkatet e një viti para dhe një viti pas.” Lidhur me këtë, Ibni Katade pohon se ky është mendim i ehli-synetit, megjithëse fjala është për mëkatet e vogla. Nga ana tjetër, personat që kanë vajtur për ta kryer adhurimin e Haxhit, në ditën e Arafatit e kanë të ndaluar të agjërojnë, sepse ajo paraqet vështirësi për ta, kështu që kryerja e detyrave të Haxhit ka përparësi.

 

  1. Agjërimi i ditës së Ashurasë
    (dita e dhjetë e muajit muharrem)

Sipas Ibn Abasit, kur Profeti a.s. kishte bërë hixhret në Medinë, kishte vërejtur se si hebrenjtë e agjëronin ditën e Ashurasë, kështu që i kishte pyetur: “Ç’është ky agjërim?” Ata i kishin thënë: “Kjo është një ditë e mirë, sepse në këtë ditë Allahu i Lartësuar i kishte shpëtuar Musain dhe bijtë e Izraelit nga armiqtë, prandaj Musai ka agjëruar këtë ditë.” Profeti a.s. u kishte thënë hebrenjve: “- Unë jam më i afërt se ju (në një transmetim tjetër unë kam më shumë përparësi se ju) me Musain!, – dhe urdhëroi që ditën e Ashures të agjërohej.” (Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi). Kjo vazhdoi gjersa u bë farz agjërimi i Ramazanit. Më pas Profeti a.s. i la njerëzit të lirë në agjërimin e ditës së Ashurasë, përkatësisht të ditës së dhjetë të muajit Muharrem, sikurse tregohet edhe me këtë hadith: “Kjo është dita e Ashurasë dhe agjërimi i saj nuk është detyrim për ju. Kështu që kush dëshiron të agjërojë, të agjërojë, e kush nuk dëshiron të agjërojë, të mos agjërojë.” (Transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe Imam Maliku në Muvetta’). Personi që dëshiron ta agjërojë ditën e Ashures, duhet t’ia bashkëngjisë edhe ditën paraprake ose atë pasuese, përkatësisht ditën e nëntë ose ditën e njëmbëdhjetë të muajit Muharrem.

  1. Agjërimi gjatë muajit Shaban

Edhe agjërimi i muajit Shaban është përplot me sevape, sepse, siç tregon Aishja r.a., Profeti a.s. asnjë muaj tjetër nuk ka agjëruar më shumë, përveç Ramazanit, sesa në muajin Shaban, madje nganjëherë i ngjitte Shabanin me Ramazanin pa shkëputje.

Postime të ngashme