Agjërimi mekruh (i papëlqyeshëm)
Dijetarët kanë konfirmuar se është e mekruh nëse agjërohet vetëm ditën e xhuma, sepse ajo është ditë feste e myslimanëve. Profeti a.s. në një hadith ka thënë: “…dhe mos e caktoni vetëm ditën e xhuma për agjërim. Por, po qe se dikush nga ju mban një agjërim që e ka bërë traditë, kjo përjashtohet.” (Transmetojnë Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).
Është mekruh tahrimen (e ndaluar) për gruan në qoftë se agjëron vullnetarisht duke e pasur burrin të pranishëm dhe pa marrë leje nga ai. Ndërkaq, në qoftë se burri i ka dhënë leje gruas së tij për të agjëruar, atëherë atij nuk i lejohet të ndërhyjë në agjërimin e saj. Lidhur me këtë, Profeti a.s., ka thënë: “Nuk i lejohet gruas të agjërojë vullnetarisht sa kohë që burrin e ka të pranishëm, përveç se me lejen e tij, e as asaj nuk i lejohet të lejojë hyrjen e askujt në shtëpi, përveçse me lejen e burrit të saj.” (Transmeton Buhariu).
Pra, që të ketë të drejtë për të agjëruar vullnetarisht, gruas i duhet të marrë leje nga bashkëshorti i saj. Natyrisht, për agjërim të detyrueshëm – farz, siç është ai i Ramazanit, nuk ka nevojë dhe as që duhet kërkuar leje nga bashkëshorti i saj.