AGJËRIMI HARAM (I NDALUAR)
Agjërimi sado që është i dobishëm e me shumë sevape, jo gjithmonë është i lejuar. Nganjëherë është haram të agjërohet e nganjëherë i papëlqyeshëm (mekruh).
Është haram të agjërohet ditën e parë të Fitër Bajramit dhe katër ditët e Kurban Bajramit. Ditët e bajrameve janë ditë gëzimi, prandaj ato ditë duhet bashkuar familjes në sofrën e stolisur me begatitë e Allahut të Gjithëmëshirshëm. Ukbe bin Amiri transmeton një hadith nga Profeti a.s.: “Dita e Arafatit, dita e Kurban Bajramit dhe ditët e teshrikut (dita e dytë, e tretë dhe e katërt e Kurban Bajramit quhen “ejjamu teshrik”) janë festat tona të myslimanëve. Këto janë ditë gostie dhe përmendjeje të Allahut xh.sh.” (Transmetojnë Buhariu, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu). Gjithashtu, lidhur me këtë ndalesë ka edhe një transmetim nga Said El-Hudrij kur thotë: “I Dërguari i Allahut ndaloi agjërimin në këto dy ditë: në ditën e Bajramit të Ramazanit dhe Bajramit të Kurbanit.”
Gjatë periudhës së zakoneve femërore dhe të lehonisë, femrat e kanë të ndaluar agjërimin, për shkak të papastërtisë dhe të dobësimit të tyre fizik dhe psikik që rëndom shkaktohet nga gjakrrjedhja.
Agjërimi i tërë vitit, përveç ditëve të ndaluara, nuk është i lejuar, ngase e dobëson njeriun për kryerjen e detyrimeve fetare dhe të përfitimit material me të cilin edhe jeton, megjithëse, nëse këto nuk paraqesin pengesa edhe mund të agjërojë, por me këtë rast është i papëlqyeshëm (mekruh tenzijhen).
I ndaluar është gjithashtu edhe agjërimi i njëpasnjëshëm (uisal), që është agjërimi i dy a ma shumë ditëve pa bërë iftar fare në mes tyre. Hz. Aisheja, ka thënë: “Nga dhembshuria për myslimanët, i Dërguari i Allahut e ka ndaluar agjërimin e njëpasnjëshëm (të pandërprerë).” (Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).