Agjërimi është për Mua dhe Unë do të shpërblej për të

Agjërimi është një prej adhurimeve mbi të cilat është ngritur Islami dhe ai është detyrim të mbahet gjatë muajit të Ramazanit. Kuptohet lehtësisht se në thelb të këtij adhurimi të veçantë qëndron devotshmëria, apo të qenit i vetëdijshëm për Zotin. Ky adhurim është i veçantë për arsye të ndryshme dhe njëra prej tyre përmendet në Hadithin Kudsi: “Çdo punë e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë do të shpërblej për të.”

Sigurisht, çdo punë e jona është për Zotin, por cila është arsyeja e përzgjedhjes së agjerimit në këtë rast? Agjërimi është një vepër e pastër sinqeriteti dhe ai s’mund të përzihet asnjëherë me shtirje dhe dëshirë për t’u dukur. Ai është një sekret mes robit dhe Zotit. Askush s’mund ta dijë nëse ne jemi vërtet agjërues, askush s’mund ta kontrollojë atë gjatë gjithë kohës, përveç Zotit, i Cili sheh çdo gjë. Kështu mund të themi se agjërimi është një akt i pastër sinqeriteti dhe ai nuk mund të përzihet me ndonjë cilësi që e dëmton atë.

Në një hadith tjetër është dhënë një lloj numri për sa i përket shpërblimit të çdo vepre dhe agjërimi bën sërish dallimin. “Çdo vepër e birit të Ademit shpërblehet me 10 të mira deri në 700-fish apo edhe më tepër, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë do të shpërblej për të.” Mbajtja e fshehtë e shpërblimit të agjërimit është një tjetër veçori dalluese e këtij adhurimi. Kjo tregon se shpërblimi i tij do të jetë tepër i madh dhe diçka e tillë është lënë si një surprizë për njeriun ditën që do të kthehet te Zoti.

Fjala “agjërimi është për Mua” tregon se ky lloj adhurimi është shumë i dashur për Zotin. Ai dëshiron që të adhurohet nëpërmjet agjērimit. Profeti (a.s) pati thënë për agjërimin: “Të këshilloj të agjërosh, sepse nuk ka të ngjashëm me të”. Ky adhurim është shumë i dashur për Zotin përderisa Ai përmend edhe faktin “ai ka lënë ushqimin, pijen dhe dëshirat e tij vetëm për Mua”. Sigurisht, Zoti dëshiron që disa gjëra t’i lëmë si shenjë e përmbushjes së urdhrit të Tij dhe si dëshirë nga jonë për të fituar pëlqimin e Tij.

Agjërimi i mëson njeriut përuljen e nënshtrimit ndaj madhështisë së Allahut. Gjithashtu, ai thyen krenarinë dhe arrogancën që mund të ekzistojë si cilësi brenda nesh. Agjërimi nuk synon të dobësojë energjitë apo pasionet tona që janë pozitive për ne, por ato dëshira e epshe, që e shkatërrojnë njeriun kur ai nuk i kontrollon dhe kur bëhet robi i tyre. Agjërimi nuk është gjë tjetër veçse një shkollë e vërtetë, një proces i ri edukimi për mendjen dhe shpirtin.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: