Agjërimi dhe edukimi i vetvetes

Nefsi i njeriut përbëhet nga tri fuqi, të cilat janë fuqia e epshit, fuqia e zemërimit dhe fuqia e mendjes. Fuqia e epshit është instikti themelor i njeriut, i cili konsiston në nevojën dhe dëshirën për ushqim dhe riprodhim. Fuqia e zemërimit konsiston në dëshirat e sulmimit, posedimit, ndërsa fuqia e mendjes lidhet me aftësinë të menduarit dhe drejtimit të fuqive të epshit dhe zemërimit. Për të  arritur virtytshmërinë, njeriu duhet të orientojë dhe të menaxhojë këto fuqi në mënyrën e duhur.

Zemra ose shpirti është drejtuesja e të gjithë aktivitetit në qenien e njeriut. Ajo i jep urdhra mendjes, e cila me anë të fuqisë së saj menaxhuese kontrollon dhe urdhëron fuqitë e zemërimit dhe epshit në bazë të këtyre urdhrave. Si rrjedhojë e menaxhimit dhe orientimit të këtyre fuqive, njeriu fiton virtyte si ndershmëria, guximi dhe urtësia.

Kështu nën udhërrëfimin e zemrës dhe drejtimin e mendjes, fuqitë e nefsit të njeriut bëhen bartës të tij drejt pajisjes me virtyte dhe arritjes së lumturisë të përhershme. Por nëse mendja bëhet mjet i fuqive të epshit atëherë njeriu nuk vepron në harmoni me natyrën e tij dhe humb lumturinë e përhershme në këmbim të disa kënaqësive të përkohshme.

Agjërimi është një adhurim që i mëson njeriut përvetësimin e virtyteve, duke menaxhuar si duhet fuqitë brenda tij. Me anë të largimit nga dëshirat e epshit, njeriu mëson dhe trajnon veten në kontrollimin e tij. Sipas disa mendimtarëve myslimanë epshi nuk është përgjegjës vetëm për dëshirat e tij. Duke qenë se është instikti themelor te njeriu, bindja ndaj tij i paraprin bindjes ndaj fuqisë së zemërimit dhe dëshirave tjera.

Kështu, sipas tyre edukimi i njeriut duhet të fillojë nga edukimi i epshit. Pikërisht, kriteri kryesor i agjërimit është largimi nga dëshirat e epshit. Më pas duke iu referuar kritereve të brendshme të agjërimit, njeriu me anë të kontrollimit të dëshirave dhe shqisave tjera mund ta edukojë më shumë veten gjatë kësaj periudhe. Në këtë mënyrë agjërimi kthehet në një metodë dhe trajnim për të poseduar diturinë më të lartë, edukimin e vetvetes.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: