A na mjafton falenderimi që tregojmë ndaj Allahut?

A është e mjaftueshme sasia e falenderimit që ne shprehim për mirësitë që Allahu na ka dhënë apo shpeshherë edhe neve na merr rryma e kësaj bote dhe harrojmë të falenderojmë për të gjitha ato mirësi që Allahu na ka mundësuar.
Të falenderosh është një nga gradat më të bukura që mund të arrijmë në këtë botë, sepse shumë pak prej njerëzve e falenderojnë Allahun për të gjitha mirësitë që ia ka mundësuar dhe vazhdon tia mundësojë akoma. Shumë pak prej nesh janë falenderues, sepse bota në të cilën gjendemi vazhdimisht na mban të lidhur pas vetvetes dhe nuk na lejon që të falenderojmë Allahun ashtu siç i ka hije madhështisë së Tij. Madje në shumicën e rasteve ne ankohemi tek Allahu për një problem shumë të vogël që na ndodh, dhe as nuk e çojmë ndërmend të mendojmë e të falenderojmë qoftë edhe shumë pak për të gjitha mirësitë e panumërta që na janë dhënë prej Allahut (xh.xh) i Cili ka çdo gjë në dorë.
Të gjithë njerëzit janë gabimtarë dhe prej gabimeve të shumta që kemi, janë pikërisht ato që shpeshherë bëhen pengesë midis nesh dhe falenderimit ndaj Allahut. Profeti Muhammed(s.a.s) na thotë kështu në një prej haditheve të tij madhështore: “ Të gjithë njerëzit janë gabimtarë, por më të mirët e gabimtarëve janë ata që pendohen!”. Nga ky hadith i bukur i Profetit Muhammed (s.a.s) mund të nxjerrim kuptimin që edhe pse kemi gabime të shumta sërish duhet të kthehemi tek Allahu me pendim i cili në realitet është një falenderim ndaj Allahut (xh.xh) i Cili na mundëson që të kërkojmë falje pasi kemi bërë gabime e gjynahe.
Shembullin më të bukur për falenderimin ndaj Allahut (xh.xh) e shohim tek Profeti Muhammed (s.a.s) nuk kishte as edhe gabimin më të vogël por sërish kërkonte falje tek Allahu (xh.xh). Një ditë Aishja e nderuar (r.anha) e pyet: “ O i Dërguari i Allahut, Ti nuk ke asnjë gabim, por sërish kërkon shumë falje prej Allahut (xh.xh). A mund të më thuash se ku qëndron urtësia e këtij veprimi? Profeti Muhammed (s.a.s) i kthen përgjigje duke thënë kështu: “ O Aishe a të mos jem unë një rob falenderues!”. Sa bukur na e jep mësimin Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) që duke kërkuar falje prej Allahut në të njëjtën kohë edhe e falenderojmë Atë që na e ka mudësuar të kërkojmë falje e cila është falenderim më vete.
Të falenderosh Allahun është një cilësi, një rrobë shumë e hijshme që myslimani duhet të veshi dhe me të, ta jetojë jetën e tij deri në çastin e fundit të jetës së tij. E themi kështu sepse të falenderosh Allahun për të gjitha mirësitë që Ai na ka dhënë prapë nuk do të ishte e mjaftueshme sepse edhe për të shprehur falenderimin ndaj Allahut për gjithë mirësitë që na ka dhënë prapë duhet të falenderojmë Allahun që na e mundësoi që të falenderojmë. Pra për çdo falenderim që ne shprehim është e nevojshme që të shprehim një falenderim tjetër. E kështu me radhë të gjitha këto falenderime kërkojnë një falenderim tjetër që na u mundësua të falenderojmë. Fatkeqësisht shumë prej njerëzve janë mosmirënjohës dhe jo falenderues ndaj Allahut, sa më shumë bëjnë gjynahe dhe e harrojnë ndjenjën e falenderimit.
Në një ajet kuranor na thuhet pikërisht kështu: “ Dhe të paktë janë falenderuesit prej robërve të Mi”(Seba, 13) nga ky ajet kuptohet shumë qartë që numri i falenderuesve është shumë i ulët. Është problemi sepse shumica prej tyre humbasin duke u marrë me hallet e kësaj bote dhe harrojnë që ta shtojnë falenderimin ndaj Allahut. E sa bukur që e shpreh edhe Profeti Muhamed (s.a.s) me dynjanë që mundohet të futet në zemrën e tij por që ai e largon atë me dorë.

Përgatiti: Andreot Sefa

Postime të ngashme

%d bloggers like this: