A lejohet mes’hi mbi çorape?

Në fenë islame janë bërë shumë lehtësime lidhur me kryerjen e detyrimeve fetare. Një ndër to është dhënia mes’h mbi meste, fashë ose mbi plagë.

Mes’h, siç është sqaruar më herët, do të thotë të fërkosh diçka me dorë përsipër, por mes’h do të quhet edhe fërkimi me dorë të lagët i kokës, këmbëve, apo mesteve të veshura, ose mbi fashë.

Mes’hi mbi meste

Në fenë islame është e lejuar bërja mes’h, fërkimi me dorë të lagët mbi meste apo të ngjashme me ato që plotësojnë kushtet e mesteve. Me fjalën meste”, në terminologjinë e Sheriatit, nënkuptojmë ato lloj mbathjesh të këmbëve që e mbulojnë nyjën e këmbës dhe mund të ecet me to. Ky rregull vlen si për meshkuj ashtu edhe për femra. Ligjësimi i mesteve është vërtetuar në shumë hadithe të Pejgamberit a.s., por me këtë rast do ta përmendim hadithin me transmetim nga Safuan b. Asali, i cili ka thënë: “Pejgamberi na urdhëroi që të udhëtojmë, e të mos i zbathim mestet tri ditë dhe tri net, me përjashtim nëse bëhemi të papastër (xhunub), kurse për urinim, nevojën e madhe dhe gjatë gjumit, të mos i zbathnim”. (Nesaij)

Ebu Hanifja r.a. ka thënë: Ai i cili refuzon mes’hin mbi meste ka drojë se mund të bjerë në kufër (mosbesim), sepse mes’hi mbi meste është transmetuar me hadithe që i përngjasin hadithit mutevatir.

Kushtet e mes’hit mbi meste

Mestet duhet të jenë aq të mëdha sa të përfshijnë këmbën deri në kyçe.

Mestet e mbathura duhet të jenë të përshtatshme për të ecur.

Duhet të qëndrojnë në këmbë pa lidhëse.

Nuk duhet ta depërtojnë ujin.

Nuk duhet të jenë të shqepura, ose të dëmtuara, aq sa të duken tre gishtërinjtë e këmbës.

Kur marrim abdes i lajmë këmbët me ujë, pastaj  i mbathim mestet, e më pas, nëse e prishim abdesin, nuk i zbathim mestet, por vetëm u japim mes’h me dorë të lagur.

Koha e mesteve është 24 orë (një ditë dhe një natë) për vendasin dhe 72 orë (tri ditë) për udhëtarin. Koha e mes’hit mbi meste fillon atëherë kur prishet abdesi, p.sh.: nëse një person ka marrë abdes dhe ka veshur mestet, i ka mbajtur ato pesë orë veshur dhe pastaj ka prishur abdesin, atëherë koha e mes’hit nis me prishjen e abdesit dhe zgjat 24 orë për atë që nuk është udhëtar dhe 72 orë për udhëtarin.

Zbathja e mesteve nga këmbët ose vetëm nga njëra këmbë, lagia brenda në meste e më tepër se gjysmës së këmbës, përfundimi i kohës së mes’hit ia humb vlefshmërinë mes’hit. Nëse personi merr abdes me meste dhe më pas i heq mestet, mund ta plotësojë abdesin e tij duke larë vetëm këmbët.

Çka e prish mes’hin mbi meste?

Mes’hin mbi meste e prishin katër gjëra:

Çdo gjë që e prish abdesin, e prish edhe mes’hin mbi meste.

Zbathja e mestes. Me zbathjen e njërës meste bëhet e detyrueshme edhe zbathja e mestes tjetër si dhe marrja abdes.

Nëse depërton uji dhe e lag njërën këmbë më shumë sesa gjysma e këmbës, atëherë duhet patjetër të zbathet edhe tjetra dhe të merret abdes.

Kalimi i afatit të paracaktuar sipas rregullave të Sheriatit islam.

Mes’hi mbi fashë

Mes’hi mbi fashë është ndryshe nga ai mbi meste. Nuk ka kushte apo vlefshmëri kohore. Ai është thjesht një lehtësim për atë që e ka të dëmshme larjen e organit të fashuar.

Në rastet kur thyejmë, nxjerrim ose lëndojmë një pjesë të trupit, e nëse ajo pjesë mbështillet me fashë ose me allçi dhe nuk duhet të laget, fërkohet sipër me dorë të lagët. Madje, nëse edhe fërkimi me dorë të lagët është i dëmshëm, mund të hiqet dorë dhe prej tij. Një herë është i mjaftueshëm si mes’h mbi fashë. Nuk ka rëndësi nëse fasha mund të jetë vënë në kohën kur personi ka qenë pa abdes dhe nuk ka një afat të caktuar. Për sa kohë do të vazhdojë të jetë i sëmurë, do të vazhdojë të bëjë mes’h. Nuk është kusht të jesh me abdes para se të vësh fashën. Nëse pas mes’hit fasha bie ose thyhet, nuk është e nevojshme të bëhet dhe një herë mes’h.

Dallimi mes mes’hit mbi fashë dhe mes’hit mbi meste

Mes’hi mbi fashë është sikur pastrimi me ujë i asaj që gjendet në fashë, dhe vlefshmëria e saj nuk varet nga afati, porse varet nga shërimi.

Vendosja e fashës nuk kushtëzohet me pastrimin e trupit në momentin e lindjes.

Në dhënien mes’h mbi fashë, lejohet dhënia mes’h e njërës këmbë dhe pastrimi i tjetrës.

Nuk prishet mes’hi (abdesi) me rënien e fashës apo ilaçit, qoftë edhe para shërimit.

Lejohet ndërrimi i fashës me tjetër fashë dhe nuk detyrohet me përsëritjen e mes’hit mbi fashën e re, edhe pse përsëritja e mes’hit është më e mirë.

Dhënia mes’h mbi fashë mund të bëhet edhe në rastet e papastërtisë (xhunubit) por edhe me rastin e marrjes së abdesit.

Nëse fasha bie apo hiqet për shkak të shërimit të plagës, nuk detyrohet të përsëritet abdesi, por vetëm pastron vendin ku ishte fasha, normalisht nëse personi ka qenë me abdes në momentin e rënies së fashës e, nëse frikohet nga të ftohtit, atëherë vetëm i jep tejemum.

Nëse i jep mes’h mbi fashë, pastaj mbi të vendos tjetër, lejohet që edhe tjetrës t’i japë mes’h mbi të.

Nëse uji depërton në fashë nuk prishet mes’hi.

Postime të ngashme