A duhet të largohemi nga teprimi në adhurime?

Edhe pse adhurimi është qëllimi i krijimit të njeriut, edhe në të nuk duhet të ketë teprim. Këtë mund ta ilustrojmë me ngjarjen e mëposhtme:

Tre persona shkuan në shtëpinë e Profetit Muhamed (a.s) për të mësuar rreth adhurimeve të tij suplementare (nafile). Pasi u informuan rreth adhurimit të tij, sikurse iu duk më pak se ç’e prisnin dhe thanë: “Ku është i Dërguari i Allahut dhe ku jemi ne? Atij i janë falur të gjitha mëkatet e kaluara dhe ato që do të vijnë.” Njëri prej tyre tha: “Unë do të fal namaz të gjithë natën deri në fund të jetës sime”. Tjetri tha: “Unë do të agjëroj çdo ditë deri në fund të jetës sime”. Ndërsa i fundit tha: “Unë s’do të martohem deri në fund të jetës sime”.

Pas një farë kohe ata u sollën para Profetit (a.s) dhe ai u tha:

“Po ju paralajmëroj! I betohem Allahut që unë jam ai që i frikësohem dhe i bindem Atij më së shumti midis jush! (Si adhurim nafile) Ndonjëherë mbaj agjërim dhe ndonjëherë jo. Natën fal namaz dhe fle. Gjithashtu, unë martohem me gratë. Kush i kthen shpinën traditës sime, ai nuk është prej meje!”

Edhe ngjarja e mëposhtme na tregon që teprimi në adhurime nuk është parë i përshtatshëm:

Dikush erdhi te Profeti (a.s) dhe i tha: “Aksh njeri na e fal gjatë namazin, për këtë arsye nuk po shkoj dot ta fal namazin e sabahut”.

I Dërguari i Allahut u zemërua shumë me këtë person, i cili u printe njerëzve në namazet në grup dhe tha:

“Midis jush ka që po jua bëjnë të urryer namazin njerëzve. Kur dikush prej jush t’u prijë njerëzve në namaz, le t’ua lehtësojë sa më shumë atyre, sepse pas tij ka të moshuar, të dobët dhe njerëz me nevoja të ndryshme!”

Postime të ngashme