Të mësojmë si të lutemi!

Një nga begatitë më të mëdha të Islamit që e begaton besimtarin është ruajtja e raportit dynja-ahiret.
Ne jemi njerëz të cilët në krijimtarinë tonë jemi të tillë që kemi nevojë për mjete të caktuara të kësaj bote për të jetuar një jetë të mirë dhe për të plotësuar nevojat bazë që na nevojiten. Gjithashtu është kusht dhe nuk duhet harruar se jemi kalimtarë në këtë botë dhe duhet të jemi ne ata të cilët e kontrollojmë këtë botë dhe jo ajo neve.
Kontrolli minimal që duhet të ketë çdo njeri në rradhë të parë mbi këtë botë kalimtare është mbrojta dhe ushqyerja e shpirtit me adhurimin karshi Allahu të Lartësuar.
Nëse njeriu ruan raportin shpirtëror dhe fizik të jetës së kësaj bote, atëhere mund të themi se është në rrugën e duhur.

Në suren Bekare ajetet 200-203 Allahu i Lartësuar na flet dhe na tregon mbi këtë raport fiziko-shpirtërorë.
فَإِذَا قَضَيْتُمْ مَنَاسِكَكُمْ فَاذْكُرُوا اللَّهَ كَذِكْرِكُمْ آبَاءَكُمْ أَوْ أَشَدَّ ذِكْرًا ۗ فَمِنَ النَّاسِ مَنْ يَقُولُ رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا وَمَا لَهُ فِي الْآخِرَةِ مِنْ خَلَاقٍ
“E kur t’i kryeni detyrat e juaja, përmendeni Allahun sikurse përkujtoni prindërit tuaj, bile përmendeni edhe më fort. Ka disa prej njerëzve që thonë: “Zoti ynë, na jep Ti neve në këtë botë”! Për ta nuk ka asgjë në botën tjetër”.
وَمِنْهُمْ مَنْ يَقُولُ رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الْآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ
E ka prej tyre asish, që thotë: “Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr”!
أُولَٰئِكَ لَهُمْ نَصِيبٌ مِمَّا كَسَبُوا ۚ وَاللَّهُ سَرِيعُ الْحِسَابِ
Të tillët e kanë shpërblimin nga ajo që fituan. Allahu është i Shpejtë në llogari.

Shikojmë se ajo çfarë na tregohet ështe se njeriu nuk duhet që adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar ta bëj për përfitime të kësaj dynjaje. Ky lloj adhurimi është i destinuar me dështim në dy botet. Ajo çfarë na tregohet është që njeriu duhet që në adhurimim ndaj Zotit të Lartësuar të ruaj raportin e dynjasë dhe ahiretit, pra, të kërkoj për furnizimin e gjërave materiale të nevojshme, por gjithashtu të kërkoj dhe botën e përtejme, xhennetin e premtuar.
Po të lexojmë me vëmëndje ajetet e lartë përmenduara shikojmë se kategoria e njerëzve të cilët janë robër të kësaj dynjaje, në lutjen e tyre ata kërkojnë vetëm dynjanë pa e përmendur kurrësesi ahiretin.
Ajo çfarë ata kërkojnë nga kjo dynja është e paspecifikuar. Për ta nuk ka rëndësi se nga vjen apo si vjen mirëqënia, por ata duan të jenë zotërues të kësaj bote kalimtare me çdo kusht.
Nga ana tjetër ata të cilët duan të mira në dynja por dhe në ahiret e kanë specifikuar lutjen e tyre duke thënë :”na jep HASENETEN ”, pra në këtë dynja na jep gjëra të cilat janë të mira, të mjaftueshme dhe prej burimeve hallall të pastërta, pa i bërë askujt padrejtësi. Kësisoj kjo kategori e njerëzve jana ata të cilët nuk janë robër të dynjasë, janë të kujdesshëm në atë çfarë kërkojnë për këtë botë dhe gjithashtu për botën tjetër duke kërkuar gjithashtu mbrojten nga xhehennemi.
Në tefsirin e tij për ajetet e lartë përmenduara, Zemahsheriu për fjalën “HASENETEN” të përdorur nga njerëzit që dinë të luten siç duhet thotë kështu: “Kur njeriu kërkon hasenten e kësaj dynjasë ka për qëllim: Shëndetin, rehati në përballimin e anës ekonomike, sukses në punet e dynjasë që i japin sukses në ahiret, bashkëshort/e të mirë, fëmijë të hajirt, një punë të mirë, dituri, dhe sukses në detyrat e adhurimit”.
Pra ai kërkon çdo të mirë në këtë dynja e cila drejtpërdrejtë ose tërthorzi ka dobi për të në ahiret.
Prandaj sidoqofshin vështirësitë e jetës, problematikat dhe sprovat, besimtari kurrësesi nuk duhet të harroj lutjen e lartëpërmendur, lutja e cila është aq e rëndësishme saqë Muhammedi a.s e praktikonte shumë shpesh në përditshmërinë e tij.
Sido që të vinë sprovat, besimtari kujton fjalën e Muhammedit a.s se حُفَّتِ الْجَنَّةُ بِالْمَكَارِهِ، وَحُفَّتِ النَّارُ بِالشَّهَوَاتِ
Xhenneti është i rrethuar me vështirësi të dynjasë ndërsa Xhehennemi është i rrethuar me kënaqësi të dynjasë, kësisoj ai mëson se në çdo situatë asnjëherë nuk duhet të harroj lutjen për të fituar xhennetin, sepse vetë sprova që përballet besimtari është një shenjë për të që është në rrugën e duhur. Kjo gjë e bën besimtarin ti shikoj gjërat me syrin e falenderimit dhe të pozitivitetit, ku kurrësesi nuk është mosmirënjohës ndaj Zotit të tij. Kjo gjë pikërisht merr vlerë kur njeriu di të lutet siç duhet tek Allahu i Lartësuar, ku lutja më e mirë është lutja të cilën vetë Zoti na e ka mësuar.

Leonard Çela

Postime të ngashme

%d bloggers like this: