Pendimi i Malik ibn Dinarit

Krijuesi yt është Ai që të thërret çdo ditë dhe natë! Ai të thërret çdo natë duke të të thënë: O robi Im, nëse ti më afrohesh një pëllëmbë, Unë do të të afrohem sa një krah. E nëse ti më afrohesh sa një krah, Unë do të të afrohem sa një pashë. E kush më afrohet Mua duke ecur, do t’i afrohem atij duke vrapuar.

Malik Ibn Dinar e fillon rrëfimin e tij mbi mënyrën se si është penduar duke treguar se ai ishte një njeri i humbur, mëkatar, alkoolist, njeri që u bënte zullum të tjerëve, merrej me kamatë, rrihte njerëzit e pafajshëm, bënte padrejtësi, saqë thoshte se nuk kishte mbetur ndonjë mëkat që të mos e kishte bërë. Ishte tepër i vrazhdë, saqë njerëzit largoheshin prej tij për shkak të vrazhdësisë që kishte dhe e urrenin për shkak të mëkateve.

Një ditë prej ditësh, kishte vendosur të martohej dhe të kishte fëmijë, ashtu edhe bëri. Pasi u martua, Allahu xh.sh i dhuroi një vajzë të cilën e quajti Fatime dhe e donte tej mase. Sa më shumë që i rritej vajza, ia shtonte besimin dhe e largonte nga mëkatet, saqë ende pa i mbushur dy vite kur e gjente të atin me gotë të verës në dorë, shkonte dhe ia largonte atë, thuajse Allahu xh.sh po e dërgonte të vepronte në atë mënyrë. Kjo ishte edhe arsyeja pse dita ditës i shtohej besimi, largohej nga mëkatet dhe afrohej më afër Zotit xh.sh, ashtu si edhe vetë Fatimja që rritej dita ditës nga pak.

Kështu vazhdoji jeta e tij derisa vajza i mbushi tre vjeç. Por fatkeqësisht, kur Fatimja mbushi tre vite, Allahu xh.sh e kishte caktuar që ajo të vdiste.

Malik ibn Dinari këtë e kishte përjetuar shumë rëndë, saqë ishte kthyer në një gjendje edhe më të rëndë dhe më të keqe nga ajo që kishte qenë para lindjes së Fatimes. Kjo kishte ardhur si rezultat i mos posedimit të durimit, gjë të cilën e posedojnë besimtarët dhe me anë të së cilit i tejkalojnë vështirësitë. Si pasojë e kësaj, Shejtani kishte filluar të ndikojë tek ai, saqë një ditë erdhi dhe i tha: Sot do të dehesh! Një të dehur që nuk e ke bërë kurrë më parë?

Andaj dhe vendosa që të pi, vendosa që të dehem dhe e kalova natën duke pirë…. derisa arrita në shkallë të lartë të dehjes, duke e humbur tërësisht vetëdijen, thuajse isha në gjumë. Përderisa isha në atë gjendje, thuajse në gjumë, nga të dehurit e rëndë pashë një ëndërr.

Ëndërrova ditën e gjykimit, ëndërrova se si dielli ishte nxirë, deti ishte shndërruar në zjarr, toka dridhej, njerëzit ishin tubuar për këtë ditë të llahtarshme. Në këtë ditë, ku frika ta ndalte frymëmarrjen, njerëzit vinin grupe-grupe, dhe në mesin e këtyre njerëzve isha edhe unë. Dëgjoja një thirrës i cili po thërriste: O Filan i biri i filanit, a nuk të ka ardhur koha që të shfaqesh para Zotëruesit dhe Krijuesit të te gjitha botëve?

Personi që ftohej nga ky thirrës i panjohur, e shihja se si fytyra i nxihej nga frika. Kështu vazhdoi kjo gjendje derisa u thirra edhe unë nga i njëjti thirrës që të dilja para Krijuesit të botëve. Në çast, të gjithë njerëzit që ishin përreth meje u zhdukën, në tokën e ringjalljes nuk mbeti askush. Pastaj pashë një gjarpër të madh, të fortë dhe të gjatë që filloi të vinte me nxitim drejt meje, ndërsa gojën e kishte hapur thuajse do ta përpinte tërë botën.

Fillova të vrapoja, me sa forcë kisha, në përpjekje për të shpëtuar nga ky gjarpër përbindësh, që më ishte vërsulur nga prapa. Ashtu duke vrapuar, takova një plak të shtyrë në moshë, të lodhur dhe të molisur.

Ah, sikur të më shpëtoje nga ky gjarpër i llahtarisur që më është vërsulur. Iu drejtova, me një zë që më dridhej nga frika dhe mezi dëgjohej, duke i kërkuar ndihmë këtij të moshuari!

‘’ O biri im, unë jam shumë i dobët për të të ndihmuar, por vrapo në këtë drejtim, sepse ndoshta do të shpëtosh‘’, i ishte përgjigjur plaku.

Vrapova andej nga më këshilloi plaku, por u habita kur përpara meje u shfaq një zjarr që desh më përvëloi fytyrën. Ndërsa me vete thashë: A ky qenka shpëtimi, të ikësh nga gjarpri e të hidhesh në zjarr?

U ktheva me nxitim në përpjekje për të gjetur shpëtim, por gjarpri sa vinte e më afrohej edhe më shumë, dhe përsëri arrita tek plaku i moshuar të cilit në shenjë qortimi i thashë: Të lutem, më ndihmo dhe më shpëto! Ndërsa ai përsëri m’u përgjigj: Siç e sheh edhe vetë, o biri im, unë jam i moshuar dhe i lodhur, andaj edhe nuk kam mundësi të të ndihmoj, por vrapo drejt asaj kodrine se ndoshta do të gjesh shpëtim!

Vrapova drejt asaj kodrine dhe u habita kur pashë disa fëmijë të vegjël tek po loznin dhe me të më parë mua filluan të gjithë të thërrisnin: Oj Fatime, Oj Fatime, nxito ta shpëtosh babanë tënd!

E kuptova se ajo ishte vajza ime dhe në çast u gëzova pse ajo kishte vdekur kur i kishte vetëm tre vite, sepse ja tani ajo do të më shpëtonte jetën. Me dorën e saj të djathtë më kapi mua, ndërsa me të majtën e saj e largoi gjarprin, unë isha stepur dhe nga frika isha bërë sikur të isha i vdekur.

Pasi u largua gjarpri, Fatimja u ul në prehrin tim ashtu siç bënte zakonisht sa ishim në këtë botë, dhe m’u drejtua me këto fjalë: O babi im, a nuk ka ardhur koha, për ata që kanë besuar, që zemrat e tyre të rrëqethen prej frikës ndaj Zotit? Ndërsa unë isha i habitur nga fjalët e saj dhe ashtu i ndrojtur e pyeta rreth punës së atij gjarpri, ndërsa ajo më tha: Ai është vepra jote e ligë, ti ishe ai që e ushqeje dhe e rrite aq sa ai desh të hëngri ty. A nuk e ke ditur, o babi im, se veprat e asaj bote në këtë botë vijnë në formë krijesash? Ndërsa kur e pyeta për punë e tij plakut të moshuar që nuk ishte në gjendje të më ndihmonte, ajo m’u përgjigj: Ai është vepra jote e mirë, të cilin ti e dobësove dhe e bërë në atë gjendje sa të qajë nga pamundësia e shpëtimit tënd. E sikur të mos më lindje mua, dhe sikur unë të mos vdisja e vogël, kush do të të shpëtonte ty sot?

U zgjova nga ai makth i ëndrrës, ndërsa me tërë forcën time isha duke thirrur: Ka ardhur koha, o Allah, ka ardhur koha, o Allah! Po, e vërtetë ishte ajo që më tha ime bijë, ka ardhur koha që të rrëqethen zemrat e atyre që kanë besuar nga frika ndaj Allahut xh.sh.

U ngrita, edhe pse trupi më dridhej nga frika, u pastrova dhe dola jashtë. Pashë se ishte koha e namazit të sabahut andaj edhe iu drejtova xhamisë në kërkim të pendimit dhe në kërkim të shpëtimit. E kërkoja rrugën e kthimin për tek Krijuesi im.

Hyra në xhami, dhe për habinë time, Imami ishte duke lexuar të njëjtin citat që ma kishte thënë ime bijë në ëndrrën që kisha parë.

Ky është tregimi për Malik Ibn Dinarin, njërin prej imamëve të tabiinëve. Ky është bërë i njohur më vonë me të vajtuarit e tij gjatë tërë natës duke thënë: O Zot, vetëm Ti e di se kush janë banorët e xhenetit dhe të xhehenemit! O Zot, a thua vallë, cilit grup i takoj unë? O Allah, të lutem të më bësh prej banorëve të xhenetit dhe assesi prej banorëve të xhehenemit!

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: