Jini gjithmonë mirënjohës për ato që keni!

Imam Dhehebiu përmend një histori të një prej njerëzve të drejtë të së kaluarës i quajtur Abdullah ibn Muhamed. Ai humbi gjatë një prej udhëtimeve të tij dhe përfundoi në një kodër.

Në kodër ai hasi në një tendë. Tenda ishte shumë e vjetër dhe era e fortë thuajse po e lëvizte nga vendi. Kështu, njeriu i drejtë, Abdullahu, shikoi dhe pa brenda saj një burrë shumë të vjetër. Burri nuk kishte duar dhe ishte i verbër. Për më tepër, ai ishte i paralizuar. E tëra që ai thoshte ndërsa qëndronte ashtu ishte:

“Falënderimi i takon Allahut, i cili më ka zgjedhur mua (në bekime) ndaj shumë prej robërve të Tij.”

Njeriu i drejtë, Abdullah ibn Muhamed u afrua dhe e futi kokën brenda tendës. Burri përsëriste të njëjtën fjali vazhdimisht.

Abdullahu i tha: “Es-selamu alejkum”.

Plaku pyeti: “Kush është?”

Abdullahu: “Unë jam një udhëtar që kam humbur rrugën, por kam një pyetje për ty.”

Plaku: “Unë do t’i përgjigjem pyetjes tënde, por dua që edhe ti të bësh diçka për mua.”

Abdullahu u pajtua dhe pastaj pyeti:

“Po të shoh në këtë situatë në të cilën je, që nuk je në gjendje të ecësh, nuk ke duar dhe je i verbër. Ti nuk ke asnjë lloj pasurie dhe po e falënderon Allahun që të ka preferuar mbi kaq shumë nga robërit e Tij!”

Plaku: “A nuk e sheh se unë jam me mendje të shëndoshë?”

Abdullahu: “Po.”

Plaku: “Sa nga robërit e Allahut janë të çmendur?”

Abdullahu: “Shumë”.

Plaku: “Atëherë Elhamdulilah, (Falënderimi i takon Allahut) i cili më ka preferuar mua mbi kaq shumë nga robërit e Tij të çmendur. A nuk e sheh se unë jam në gjendje të dëgjoj?”

Abdullahu: “Po.”

Plaku: “Sa nga robërit e Allahut janë të shurdhër?”

Abdullahu: “Shumë”.

Plaku: “Atëherë Elhamdulilah, i cili më ka preferuar mua mbi kaq shumë nga robërit e Tij të shurdhër.”

Burri vazhdon dhe përmend se si ai ende mund të flasë, ndërsa kaq shumë nga robërit e Allahut janë memecë. Ai vazhdon të përmendë sesi është bekuar me Islamin, ndërsa njerëzit e tjerë po adhurojnë idhuj, pemë, njerëz, etj.

Pastaj Abdullah ibn Muhamedi i tha: “Ke thënë të vërtetën. Më thuaj, cila është kërkesa jote?”

Njeriu i vjetër: “Të gjithë anëtarët e familjes sime kanë vdekur. Dhe i vetmi person që kam është një djalë i vogël, që sjell ushqim dhe më ndihmon me gjithçka, pasi nuk mund ta marr dot ushqimin apo edhe të ushqehem. Dje, djali doli dhe nuk është kthyer deri më tani. Prandaj, të lutem, dil dhe gjeje atë për mua.”

Kështu Abdullah ibn Muhamedi doli në kërkim të djalit. Pas një periudhe kohe, ai arriti në majë të një kodre. Në horizont, ai vuri re disa shkaba që silleshin rrotull. Abdullahu e dinte që shkabat rrethojnë vetëm një trup të vdekur.

Abdullahu shkoi në atë zonë dhe gjeti trupin e pajetë të djalit të vogël. Një ujk e kishte sulmuar, e kishte vrarë dhe kishte ngrënë pjesën më të madhe të trupit të tij. Abdullahu shikoi kufomën dhe pyeti veten: “Si të kthehem dhe t’i them këtij plaku që nuk ka asgjë në këtë botë, se i vetmi person që i kishte mbetur është ngrënë nga një ujk?”

Abdullahu mendoi të mos kthehej te plaku, megjithatë, ai nuk mundi ta bënte dot këtë gjë. Kështu, ai filloi të kthehej te plaku dhe gjatë rrugës, Abdullahu u kujtua për Profetin e Allahut, Ejubin. Ai hyri në çadër.

Abdullahu e përshëndeti.

Plaku: “Ku e gjete djalin?” (Ai ishte shumë i sigurt se djali ishte gjetur.)

Abdullahu: “Unë do të të bëj një pyetje në fillim. Kush është më i dashur tek Allahu, ti apo Profeti i tij, Ejubi (a.s.)?”

Plaku: “Pa dyshim që është Profeti Ejub.”

Abdullahu: “Atëherë kush ka pasur një provë më të vështirë, ti apo profeti i Tij Ejubi?”

Plaku: “Pa dyshim profeti i tij Ejubi.”

Abdullahu: “Atëherë, kërkoje shpërblimin nga Allahu! Unë e gjeta djalin tënd në majë të kodrës; e kishte sulmuar ujku dhe e kishte ngrënë.”

Plaku: “Le hawle we le kuwwete ille billah. Inne lillahi ue inne ilejhi raaxhiun. Esh-hedu en la ilahe illa Allah. ” (Nuk ka fuqi përveçse tek Allahu. Vërtet, të Allahut jemi dhe tek Ai është kthimi ynë. Unë dëshmoj se askush nuk meriton të adhurohet përveç Allahut.) ”

Dhe burri i përsëriste këto fraza pa pushim. Ai vazhdonte të kujtonte Allahun dhe pastaj filloi të merrte frymë thellë. Abdullahu ndjeu sikur burri do të vdiste. Ai po i mbante kokën dhe vazhdoi t’i jepte ujë.

Burri vazhdonte të përsëriste Esh-hedu en la ilahe illa Allah, Inne lillahi ua inne ilejhi raaxhiun (Unë dëshmoj se askush nuk është i denjë për adhurim përveç Allahut. Vërtet, të Allahut jemi dhe Atij është kthimi ynë), derisa përfundimisht vdiq.

Abdullah ibn Muhamedi priti derisa gjeti një grup udhëtarësh përgjatë asaj lugine. Ai kërkoi ndihmën e tyre për të larë trupin, duke e mbështjellë me qefin dhe për të gërmuar një varr për atë njeri. Ata e varrosën njeriun dhe i falën atij namazin e xhenazes.

Abdullahu më pas vazhdoi udhëtimin e tij. Atë natë Abdullah ibn Muhammedi e pa plakun në ëndërr. Plaku dukej mirë, gëzonte shëndet të plotë dhe ishte në gjendje të shkëlqyer. Në ëndërr Abdullahu bisedoi me burrin.

Abdullahu: “Si arrite këtu? Si u bëre më mirë? Si ndryshove kaq shumë?”

Plaku: “Zoti im më futi në parajsë dhe atje dëgjova: “Paqja qoftë mbi ju për atë që keni duruar dhe çfarë përfundimi të mirë keni. ”

Kjo është historia e një burri të moshuar. Dikush, emrin e të cilit nuk e dimë, i cili nuk njihej fare dhe që vështirë se kishte një jetë për të jetuar. E megjithatë, një prej njerëzve të drejtë të umetit tonë iu shfaq në ëndërr që konfirmonte hyrjen e tij në parajsë. Ai vërtet mishëroi ajetin e Kuranit:

“Nëse jeni mirënjohës, atëherë unë do t’jua shtoj.” (Kurani 14: 7)

Postime të ngashme

%d bloggers like this: