Kriteri më i qenësishëm i trimërisë: Thjeshtësia

Thënia “Ji një njeri prej njerëzve.”, e cila i atribuohet Aliut të nderuar, është shumë e rëndësishme për ne. Nëse ndokush dëshiron që të bëhet përfaqësues i shpirtit trimëror, duhet ta lëshojë veten në shpërfillje, në mënyrë që të mos njihet prej njerëzve. Sipas mendimit tim të varfër, kjo është një thellësi esenciale e trimërisë, dhe njëkohësisht një disiplinë tejet e rëndësishme. Unë nuk e arrita dot as jetën e Said Nursiut. Por me aq sa kam dëgjuar prej nxënësve të tij të radhës së parë, ai, për aq sa ishte prijës dhe mësues i tyre, dhe për aq sa ata ishin tejet të dhënë pas tij, ai asnjëherë nuk pretendoi ndonjë gjë prej tërë këtij respekti të treguar karshi tij. Ai e pati quajtur përherë veten “vëllai juaj”, dhe në një vend ku e thekson këtë, shprehet: “Zaten thelbi i profesionit tonë është sinqeriteti. Nuk është marrëdhënia e vendosur mes babait dhe fëmijës, mes shejhut dhe nxënësit të tij. Ato janë ndoshta lidhjet e forta vëllazërore. Edhe po hyri ndonjë gjë në mes, ajo është pozita e mentorit. Por, meqë profesioni ynë është “miqësor”, lidhjet tona duhet të jenë miqësore. E kjo miqësi e sinqertë do të thotë të jesh miku më i ngushtë, shoku më sakrifikues, bashkudhëtari më i vlefshëm dhe vëllai më sypatrembur.”[1]

Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), me lidhjen e Tij me sahabët, është shembulli ynë më i mirë dhe mësimdhënës. Ndërsa sahabët fisnikë e njihnin më mirë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), dhe duke e kuptuar më mirë se si i jepej haku asaj atmosfere, silleshin më me kujdes, më me edukatë dhe më me sqimë ndaj Profetit tonë të dashur (s.a.s.). Për shembull, ndërsa mbante hutbe me zërin e Tij magjepsës, e që kur lexonte Kuran ndikonte edhe në zemrat e idhujtarëve, prej Tij doli një njeri si Ebu Bekri (r.a.), i cili kur hynte në praninë e të Dërguarit të Allahut, futej me supe të mbledhura, dhe në qoftë se do t’i mblidhnim të gjitha fjalët që ka artikuluar në praninë e Profetit (s.a.s.), nuk bëhen as dyqind fjalë gjithsej.

Mirëpo, kush është ky njeri ndaj të cilit tregohet tërë ky respekt i veçantë? Edhe nëse mund të çalojë paksa, përsa i përket kritereve të hadithit, por që e mbështesin të gjithë njerëzit e lartë, Allahu thotë: “Po të mos ishe Ti, nuk e krijoja gjithësinë.”[2] Sepse, qoftë në shpjegimin e librit të universit, qoftë në përmbledhjen e ligjeve të krijimit, që është Kurani Fisnik, Ai ka qenë përherë një mësues i pashoq. Dhe e gjitha kjo ishte vetëm kryerja e detyrës prej këtyre sahabëve; një respekt i këtillë ishte obligim për ta. Po, nëse në një vend prekte këmba e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), jo vetëm njerëzit që gjendeshin të pranishëm aty, por edhe kockat që treteshin nën tokë duhet të ngriheshin prej vendit. Mirëpo, Ai kur shihte ndokënd që çohej në këmbë për Të, i thoshte: “Mos u ngrini në këmbë, siç i ngrihen jobesimtarët të parëve të tyre.”[3] Poashtu, Ai e kryente vetë çdo nevojë të Tijën. Po të ishte nevoja, edhe ushqimin e përgatiste vetë, enët i lante vetë, e poashtu edhe shtratin e rregullonte vet. Por, po të donte, e të hapte paksa derën, të gjithë njerëzit, qoftë nga brenda shtëpisë, apo nga jashtë saj, do të fluturonin për ta ndihmuar. Mirëpo, ai Shpirt i Veçantë nuk i lejonte, duke i kryer vetë të gjitha punët dhe nevojat e Tij. Sepse treguesi i madhështisë tek i madhi është thjeshtësia, ndroja dhe modestia. Ndërsa, kur bëhet fjalë për t’u dukur si i madh, mund të them se ky është një kompleks i njerëzve të vegjël. Sepse të kërkosh që të tjerët të të shohin vetëm ty, të të respektojnë vetëm ty, e që ti pastaj të kesh njëfarë udhëheqjeje mbi ta, kjo është një sjellje që nuk i shkon të mëdhenjve. Dhe Krenaria e Njerëzimit nuk i ka kryer as edhe një herë, qoftë edhe një gjest që të mos i shkonte. Atij i kishin hije aq shumë të gjitha veprimet që kryente, saqë edhe banorët e qiellit kanë qenë xhelozë për gjendjen e Tij, duke e admiruar. Me pak fjalë, përfaqësimi i shpirtit trimëror na është paraqitur si shembulli më i mirë në jetesën e Tij.


 

[1] Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, fq. 204. (Shkrepëtima e Njëzetenjëtë)
[2] Aliju’lkari, el-Esraru’l-merfua, fq. 295; el-Axhluni, Keshfu’l-hafa, 2/214.
[3] Ebu Daud, edeb, 152; Ibni Maxhe, dua, 2; Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 5/253.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: